Ka kohë që politika nuk është tribunë, por vitrinë.
Një tezgë ku nuk shiten ide, por fytyra të pastra nga pluhuri i shesheve.
Sot, opozita ngjan me një dritare ku ekspozohen manekinë veshur sipas katalogëve të huaj, të buzëqeshur sipas udhëzimeve, të ngrirë nga frika se mos lëndojnë dikë. E në prapaskenë, fijet i tërheq gjithmonë dikush tjetër.
Anemike prej bjerrjes së emrave të vlertë prej ditësh , qakullojnë emra periferikë
si kandidatët e radhës për Bashkinë e Tiranës.
Individë që nuk janë as zëra, as qëndresa, por dosje të printuara në letër të shtrenjtë. Shfaqen si “frymëmarrje e re”, por nuk kanë mushkëri: janë balona laboratorike, të mbushura me ajrin e huazuar të fondacioneve. Këta nuk janë tribunë, janë formularë. Dhe kjo është fytyra e një opozite që dikur dinte të bënte histori.
Drama ama, nuk mbaron tek boshllëku. Kjo është tradhëtia ndaj demokratëve qëndrestarë. Atyre që e mbajtën ndezur flakën, kur sheshet digjnin gaz lotsjellës e jo fishekzjarre festive. Atyre që ngritën Foltoren si kambanë të ndërgjegjes, që besuan te konservatorizmi jo si modë, por si themel. Sot, pas gjithë atij gjaku e mundi, opozita i lan kujtimet me ujë të ftohtë dhe i vesh me uniformën gri të OJQ-je.
Historia e ka parë edhe më herët këtë farsë.
PPSH dikur përdorte parullat për të shuar individin. Sot, opozita përdor “dinjitetin europian” për të shuar kujtesën e saj. Dje shuhej liria, sot fiket kujtesa; Dje persekutohej fjala, sot ridikulohet qëndresa.
Në të dyja rastet, rezultati është një: rrënjët hiqen nga dheu dhe mbeten vetëm gjethet plastike për dekor.
Prandaj le ti vemë një emër: opozita nuk po përgatitet të fitojë. Opozita po mëson artin e humbjes me elegancë të importuar. Dhe kjo është më e rëndë se një disfatë politike, është një turp i heshtur, një funeral i Foltores, një tallje me gjakun që mbolli pluralizmin.
Një opozitë që harron rrënjët nuk është pemë, por stoli plastike. Dhe stolive plastike nuk u beson askush.
Aleatët e sotëm janë hije që nuk i ndriçon dot as dielli. Pa peshë, pa frymë, pa turp. E megjithatë duan të shpallin përbashkuesin ata që nuk mbledhin dot një grusht vota, gurë të vegjël që rëndojnë qerren e madhe.
Historia nuk lëviz me hije: nyja Gordiane pritet me shpatë. Aleksandri dhe Skënderbeu treguan se madhështia nuk ndërtohet mbi interesa të vogla, por mbi flijim për atdheun. Koha historike na kërkon të flijohemi për interesin e madh kombëtar.
Tirana e Edi Ramës është fortesa e betonit, korrupsionit dhe arrogancës;
Alternativa nuk mund të jetê manekin i fondeve të huaja, por flamur i guximit, integritetit dhe sakrificës. Bashkimi lind nga ata që janë gati të bëhen themeli i kombit, jo nga ata që mbledhin thërrime.
Në këtë udhëkryq, s’është më koha e atyre që s’mblidhen dot as sa gishtat e njërës dorë, por që na shfaqen si mjeshtër të ‘përbashkimit’. E kemi parë këtë film: sa më të vegjël, aq më të zhurmshëm për t’u dukur të mëdhenj. Por Shqipëria nuk është skena e improvizimeve të atyre që nuk bartin as peshën e vet, e jo më të kombit.
Nyja Gordiane nuk zgjidhet me fjalë të zbrazëta e me emra të hedhur si fishekzjarrë. Ajo pritet vetëm me vendim, guxim dhe shpatë të pastër. Dhe këtë shpatë e kanë qytetarët, që dinë ta bëjnë prerjen e drejtë: mes farsës dhe alternativës reale.
Irma Marku




