22.4 C
Albania
Thursday, April 16, 2026
Google search engine
HomeOpinionRREBELET E DJRSHËM:DEKOR I SOTSHËM I PUSHTETIT:

RREBELET E DJRSHËM:
DEKOR I SOTSHËM I PUSHTETIT:

Ajo që ndodhi sot nuk është thjesht një takim protokollar në Kuvendin e Shqipërisë.
Është një sinjal alarmi për një fenomen shumë më të rrezikshëm:
Tentativa e vazhdueshme e pushtetit për të neutralizuar zërat kritikë të diasporës duke i afruar, përqafuar…
Dhe në fund, shpesh, duke i zbutur.
Dje, në një samit që duhej të ishte tribunë e lirë për shqiptarët jashtë vendit, disa prej përfaqësuesve të diasporës patën guximin të thonë një të vërtetë të madhe:
Diaspora nuk është dekor.
Ishte një deklaratë që goditi drejtpërdrejt narrativën e ndërtuar prej vitesh nga politika në Tiranë – ku emigranti trajtohet si votë, si statistikë, si fotografi për propagandë.
Dhe sot?
Sot, Taulant Balla i pret në zyrë, i falënderon, i vlerëson, i vendos në kornizën e “bashkëpunimit institucional”.
Një kthesë që nuk mund të kalojë pa u analizuar me kujdes.
A është kjo një shenjë reflektimi nga ana e pushtetit?
Apo është një lëvizje klasike për të absorbuar kritikën dhe për ta kthyer atë në dekor institucional?
Sepse historia politike shqiptare është e mbushur me raste kur zërat kritikë, sapo afrohen pranë pushtetit, ose heshtin, ose relativizojnë qëndrimet e tyre.
Nuk është çështje individësh – është një mekanizëm i vjetër i sistemit:
Afroji, jepu vëmendje, legjitimoji…
Dhe gradualisht, neutralizoji.
Rasti i Eva Baçi është emblemë e këtij tensioni.
Dje e cilësuar si një zë i fortë, madje nga shumëkush si “heroina” e fjalës së lirë të diasporës.
Sot, në të njëjtën tavolinë me një nga figurat më të rëndësishme të qeverisë.
Pyetja nuk është nëse ajo ka të drejtë të takohet:
Sigurisht që po.
Pyetja është:
Çfarë ndodh me integritetin e kauzës kur kontakti me pushtetin bëhet kaq i shpejtë dhe kaq i ngrohtë?

Kjo nuk është akuzë, është analizë.

Sepse diaspora shqiptare sot ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm:Nga njëra anë, ka potencialin të jetë një forcë reale politike dhe shoqërore, e pavarur nga partitë.
Nga ana tjetër, rrezikon të shndërrohet në një satellite të radhës të pushtetit, ku individë të veçantë përdoren për të dhënë imazhin e një dialogu që në fakt nuk ekziston.
Takime të tilla, të papritura dhe të shpejta pas deklaratave kritike, ngjallin dyshime legjitime:
A kemi të bëjmë me përfaqësim të sinqertë apo me kooptim të heshtur?
Sepse nëse dje thuhej “nuk jemi dekor”, ndërsa sot shfaqesh në fotografi zyrtare duke falënderuar të njëjtin pushtet që kritikoje, atëherë lind një kontradiktë që kërkon shpjegim publik.
Transparencë.
Kjo është fjala kyçe që mungon.

Çfarë u diskutua realisht në atë takim?
A u mbajt i njëjti ton kritik?
A u vendosën kushte konkrete për përmirësimin e politikave ndaj diasporës?
Apo gjithçka u shndërrua në një tjetër moment PR-i për qeverinë?
Në mungesë të përgjigjeve, mbetet vetëm perceptimi.
Dhe perceptimi sot është i rrezikshëm:
Që diaspora, sa herë ngre zërin, rrezikon të përthithet nga sistemi që pretendon të sfidojë.

Nëse këta përfaqësues do të vazhdojnë të jenë kritikë, të pavarur dhe të pakompromis – atëherë ky takim është një hap përpara.
Por nëse pas këtij momenti vjen heshtja, zbutja, ose relativizimi i problemeve – atëherë kemi përpara një tjetër episod të njohur shqiptar:
Rebelët e djeshëm, dekor i sotëm.
Dhe kjo do të ishte humbja më e madhe – jo për individët, por për vetë diasporën.

Përgatiti:
Koja Leonard:

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat