Nëse ka një vend ku natyra dhe shpirti shqiptar flasin një gjuhë hyjnore, ai është Valbona.
Lumenjtë që shpërthejnë nga shpatet, pyjet që mbulojnë malet si mantel i gjelbër, fshatrat që qëndrojnë si kulla krenarie mbi çdo furtunë – kjo është Valbona, djepi i mikpritjes dhe i rezistencës.
Aty ku të huajt vijnë e mahniten dhe shqiptarët ndihen krenarë, sepse shohin se edhe ky vend i braktisur nga shteti, ka akoma margaritarë që i bëjnë nder kombit.
REDAKSIA WINDOW.AL
Por sot, Valbona është kthyer në fushëbetejë.
Jo kundër ndonjë pushtues të huaj, por kundër fadromave të qeverisë shqiptare.
Bujtinat që u ngritën gur mbi gur, me djersë, me kredi, me sakrificën e brezave që vendosën të mos ikin, por të qëndrojnë, po shemben një nga një.
Fadromat nuk shembin vetëm çati – ato shembin ëndrra, djersë, identitet, të ardhmen e fëmijëve që jetojnë aty.
Në vend që të mbështesin këta njerëz si pasuri kombëtare, qeveritarët i trajtojnë si armiq.
Në vend që t’i shpallin bujtinat e Valbonës modele të turizmit të qëndrueshëm, i fshijnë si të ishin baraka të paligjshme.
Dhe nesër, aty ku sot ka hotele familjare të ndershme, do të ngrihen resorte luksoze për oligarkët e pushtetit, me kapital të huaj, me rrethime hekuri, ku vendasit do të shërbejnë si kamarierë në tokën e tyre.
Thethi dhe Valbona – dy plagë të hapura:
Ky nuk është film i parë.
Në Theth, i njëjti skenar u luajt:
Fadroma, polici, rrënime.
Banorët e Thethit, që kishin investuar gjithçka për të mbajtur gjallë jetën në Alpe, u trajtuan si kriminelë.
Sot, filmi po përsëritet në Valbonë, dhe nesër kush e di ku.
Ky nuk është thjesht shkatërrim i banesave – ky është një projekt i heshtur për të boshatisur veriun nga shqiptarët e ndershëm.
Kuvendi i Veriut – farsë që fsheh turpin:
Dhe në këtë kohë, kur Valbona digjet, ku është i ashtuquajturi “Kuvend i Veriut”?
Hesht. Bën sehir.
Përgatitet të mblidhet më 27 shtator, me flamuj, me fjalime të stisura, me poza folklorike.
Pretendon se flet në emër të maleve, ndërkohë që malet po rrënohen.
Pretendon se mbron veriun, ndërkohë që veriu është sot nën dhunë.
Ky “kuvend” nuk ka lidhje me burrat e maleve që dikur mblidheshin në logje burrash për të vendosur mbi jetën dhe lirinë e tyre.
Ky është një show politik, një pazar interesash, një vitrinë patriotizmi prej kartoni.
E vetmja gjë që ky kuvend ka të përbashkët me të kaluarën është fjala “kuvend” – por bosh, pa dinjitet, pa qëndresë.
Nëse do të kishte pak moral, Kuvendi i Veriut do të ishte sot në Valbonë, mes banorëve të dëshpëruar, përballë fadromave.
Aty do të ishte prova e burrërisë dhe e patriotizmit.
Por jo – aty nuk guxon të shkojë askush.
Sepse më e lehtë është të bësh fjalime në salla me karrige të buta, se sa të përballesh me dhimbjen e vërtetë të njerëzve.
Një rrezik për përçarje kombëtare:
Më 27 shtator, ky kuvend nuk do të prodhojë bashkim, por ndarje.
Me vetë faktin që quhet “i Veriut”, ky është një përçmim i hapur për jugun, për Shqipërinë e Mesme, për diasporën.
A thua se shqiptarët e Çamërisë nuk kanë halle?
A thua se shqiptarët e Preshevës e Bujanocit nuk meritojnë zë?
Po shqiptarët e Malit të Zi, të Ulqinit, Hotit, Grudës, të Plavës e Gucisë?
Po shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që ende luftojnë për të drejtat e tyre?
Po diaspora që e mban gjallë ekonominë shqiptare me miliarda euro çdo vit?
Ky nuk është Kuvend – ky është ndarje krahinore, është një fyerje për gjithë kombin.
Dhe është një rrezik serioz që nxit përcarje jug-veri, një plagë që Shqipëria e ka paguar shtrenjtë në histori.
Historia na turpëron:
Kur Skënderbeu mblodhi Kuvendin e Lezhës, nuk e quajti “Kuvendi i Veriut”, megjithëse vetë vinte nga veriu.
Ai e quajti Kuvendi i Kombit, sepse e dinte se vetëm bashkimi i të gjithëve sjell liri.
Kur u bë Lidhja e Prizrenit, aty ishin të gjitha trevat – sepse e dinin se vetëm bashkimi shpëtonte Shqipërinë.
Dhe sot, në vitin 2025, ne kthehemi prapa, në krahinë, në ndasi?
Kjo është një poshtërim i historisë sonë.
Valbona si thirrje mbarëkombëtare:
Valbona është sot sirenë alarmi për të gjithë kombin.
Nëse lejojmë që të heshtim, nesër do të jetë Voskopoja, pasnesër Dardha, pastaj Çamëria, pastaj Presheva.
Kush hesht sot për Valbonën, ka humbur të drejtën të quhet përfaqësues i popullit.
Kush bën “Kuvend të Veriut” ndërkohë që veriu qan, është pjesë e farsës, jo e zgjidhjes.
E vetmja rrugë është një Kuvend Mbarëkombëtar Shqiptar – nga Vermoshi në Konispol, nga Tropoja në Korçë, nga Çamëria në Preshevë, nga Ulqini në Tetovë, nga mërgimtarët e Amerikës deri te ata të Gjermanisë.
Vetëm atëherë fjala “kuvend” do të ringjallë kuptimin që kishte dikur:
Bashkim, burrëri, qëndresë.
Deri atëherë, le të mbahet mend një gjë:
Valbona po digjet, dhe Kuvendi i Veriut po fle.




