15.4 C
Albania
Friday, April 17, 2026
Google search engine

RETRO:

Biçikleta vietnameze
me një tel disku të këputur,
zvarritej në asfalte të thyera.

Bulza që fryheshin verës dhe ngjiteshin si dëshmi,
në gomat me formën e humbur
të luleve.

Telefoni më mungonte;
monedha dylekëshe,
shpenzim i madh për një student konvikti;
parajsa ime, një ditë me shi,
dhe të huajt në hotel Dajti,
shpëtimtarë ëndrrash të fshehta.

Ndërsa me nënën bisedoja çdo muaj në një gabinë telefonike,
të ndihesha parizien në Tiranë.

Pse më pëlqen të ngelem fëmijë?
Po i madh kur do të rritem
e zëri të më ndryshojë si një makinë e vjetër që gulçon në zbrazëtinë e rrugëve me gropa?

Supa e peshkut me vaj kikiriku
më kthente në europian,
në atë tavolinën te bar “Trekëndëshi”.

Dhëmballën e pjekurisë e shkula, por jo dhembjen për të dashurën e parë,
kur mes lotësh më pyeti: “Pse më dhe durët?”,
ndërsa shkoja tek tjetra,
e cila më priste shkallëve të korpusit me violinën e institutit.

E adhuroja “Rondo Capriccioso”
ndaj ajo nuk shqetësohej për tradhëtinë e radhës.

Në një vend të pushtuar nga diktatura,
Çelentano ishte çlirimi im, mbështjellë me betimin në ngjyrë lulëkuqesh;
dhe urinimi mbrapa kinemasë, revoltë kundër askujt.

Në Kopshtin Zoologjik,
arusha më kuptonte më mirë se njerëzit,
kanarinën e dëgjoja sikur zërin e të dashurës së fantazuar, pas filmit “Më fal!”.

Në krikëllin e birrës të së shtunës mbytja imagjinatën e vërtetë,
për të mos braktisur veten në burgun pa mure ligji.

Ndërsa tani i përulem Zotit,
se e pushtova planetin e rinisë si një poet anonim.

Ditët nuk i kam njëjtë me Walt Whitman,
ai një poet lagështie oqeani,
mua as përroi dimëror nuk më lagu ndonjëherë.

Origjinaliteti nuk kryqëzon rrugë vazhdimësie;
dhe dialektikën e gjuhës
e ndjek natyrshëm, si fotosinteza diellin.

Jam një hallkë e ndërmjetme prej Homerit
deri në infinitin e kohës së një bote me poetë.

Kastriot. Fetahu.

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat