QASJE NË POEZINË ME MESAZH TË FUQISHËM ETIK TË POETES FATMIRA LIMANI
Poezia “Një botë, që vuan” e autores Fatmira Limani paraqet një reflektim filozofik, shoqëror dhe emocional mbi gjendjen e njeriut dhe shoqërisë në kohët moderne, përmes një gjuhe të drejtpërdrejtë, shpesh diagnostike dhe profetike. Nga aspekti tematik dhe estetik në fokus të poezisë qëndron vuajtja universale, si pasojë e krizave të thella shpirtërore, mendore, shoqërore dhe morale në glob. Vargjet përshkruajnë një botë në gjendje kritike, ku fryma e jetës është e bllokuar, dhe njeriu është njëkohësisht shkaktar dhe viktimë e kësaj gjendjeje.
Nga aspekti etik/moral poetja e trajton realitetin aktual të ekzistencës si një sëmundje globale, ku virusi nuk është më biologjik, por shpirtëror: xhelozia, urrejtja, hakmarrja, çorientimi etj. Në këtë mënyrë, autorja krijon një metaforë të madhe të një bote “të sëmurë”, që përfaqëson rrënimin e moralit dhe ndërgjegjes njerëzore. Edhe pse dominon një frymë përshkruese e katastrofës, poezia e Fatmirës nuk është nihiliste në pikëpamje filozofike, sepse ajo përfundon me apelin për rikthim te humanizmi: vetëm një pakicë me zemër e mendje të ndritur mund ta shpëtojë botën. Ky është një mesazh thellësisht etiko-humanist i kësaj poeteje mendjendritur, që përçon shpresë në fund të dekadencës ose kur njerëzimi gjendet buzë greminës.
Në aspektin stilistik-gjuhësor, ndërsa Fatmira shfaq një talent o prirje jo vetëm në poezi por edhe në rrafshin e prozës poetike, duke e ruajtur gjithnjë një ritëm emocional që e përshkon poezinë si një puls i brendshëm i zemrës së botës.
Mdërsa, sa i përket figuracionit, metaforat e poezisë, si “Bllokuar si sferë atomike”, “botë e fryrë si tullumbace” etj., kanë mesazhe të fuqishme që i japin asaj tension vizual dhe dramatik, kurse togfjalëshat: “Bota e lënduar”, “bota kurohet” , e trajtojnë botën si një “qenie të ndjeshme”. Në këtë kontekst, brenda poezisë kemi dhe antitezën / kontrastin në trajtat: “Disa në ankth… disa të gezuar… disa të humbur”, përmes të cilave poetja krijon një tension dramatik dhe pasqyron kaosin moral të shoqërisë moderne, ndërkohë që pohimi i saj “U nënshtruam…” , thekson mekanizmin e dorëzimit të njeriut përballë forcave të errëta që vetë i krijon.
Nga ana tjetër, përdorimi i termave si “makabre”, “çorientim”, “nënshtrim”, “vuajtje”, i jep poezisë një ngarkesë semantike të rëndë, që pasqyron natyrën dramatike të realitetit të përshkruar. Stili është didaktik dhe reflektiv, me tone herë të qeta, herë të alarmuara.
Për fund, pas gjithë kësaj që elaborova, më duhet të konstatoj që poetja Fatmira Limani i afrohet poezisë së angazhimit të mirëfilltë etiko-moral, ku vargjet nuk fjalëndërtohen për të zbukuruar realitetin tokësor, por ato shfaqin pasqyrime dhe gjykime morale për tablotë e trishta e plot dramaticitet në shoqëri. Së këndejmi dhe poezia “Një botë, që vuan” është një gjurmë letrare dhe etike në hartën e shqetësimeve bashkëkohore. Me një gjuhë të kuptueshme, por e veshur me figuracion dhe simbolikë, poezia e saj ngre një alarm shpirtëror për kthimin te njerëzorja, te fisnikëria: te njeriu i pastër, i drejtë dhe i përgjegjshëm për veten, familjen dhe për mbarë shoqërinë.
E përgëzoj nga zemra miken time, poeten Fatmira, për këtë perlë kaq sublime të një etike e ndërgjegje të lartë njerëzore!
Një botë, që vuan.
Gjendje e rëndë kritike.
Bllokuar si sferë atomike.
Ngadalësuar organet e brendshme.
Nuk ka frymëmarrje, mungesë oksigjeni.
Askush në botë nuk mund ta di
Si mund të sherohet kjo plagë e rëndë
Që ka mbërthyer tërë njerezimin.
Të prekur në mendje, shpirt e zemer.
Mendje të çorientuara, fund e krye.
Xhelozi, urrejtje, hakmarrje pa masë.
Zemërthyer e plagosur, sy të lotuar.
Nga vrasje makabre e mjerim pa fund.
Shohim një botë të fryrë si tullumbace.
Disa në ankth, çpo ndodh kur të pelcasë.
Disa të gezuar, presin për të përfituar.
Disa të humbur, të pamundur për t’u kuruar.
Kjo botë e lënduar, hallemadhe e vuajtur.
Kjo gjendje e rëndë, njerezimi e bën e vuan.
Jeta, historikisht na ka mësuar e provuar.
“Njerëzimi tërësisht është i nënshtruar”.
U nenshtohemi aftesive mendore
U nenshtohemi aftesive fizike.
U nenshtrohemi karaktereve njerezore.
Me i forti i të kundërtës fiton gjithmonë.
Ndaj bota lehtë nuk sherohet.
Thuajse është në dorë të një pakice.
Në kaneë mendje, zemër e shpirt njerëzor.
Bota kurohet, njerëzimi jeton pa vuajtur.
Zekerija Idrizi – shkrimtar, kritik letrar.




