15.4 C
Albania
Friday, April 17, 2026
Google search engine
HomeOpinionHistoria shqiptare në shënjestër të shpifjes !

Historia shqiptare në shënjestër të shpifjes !

Në vitet e fundit është shtuar një kategori zërash që nuk bën as histori, as shkencë, por merren me mohimin dhe përmbysjen e gjithçkaje që dimë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ata nuk vijnë me dokumente, arkiva apo burime të bësueshme, por me fjalë të lira, teori të paprovuara dhe me pretendimin se po “zbulojnë të vërtetën”. Në fakt, po e çorodisin shoqërinë dhe po dëmtojnë rëndë kujtesën kombëtare.Sipas tyre, shqiptarët nuk kanë lidhje me ilirët. Gjuha shqipe është “më e vjetra në botë”, por njëkohësisht – paradoksalisht – pretendohet se është deformuar nga gjuhëtarët shqiptarë, sidomos nga Eqrem Çabej. Skënderbeu, në versionin e tyre, ishte thjesht një përndjekës i myslimanëve, dhe jo prijës i arbërorëve kundër përëndorisë Otomane. Ismail Qemali nuk paska pasur dëshirë të ngrinte flamurin, por “u detyrua” ta bënte vetëm sepse Isa Boletini e kishte paralajmëruar se do ta ngrinte vetë nëse ai nuk vepronte.
As kjo nuk mjafton. Thonë se Deklarata e Shpalljës së Pavarësisë nuk është shkruar nga Luigj Gurakuqi, dhe se më vonë është grisur nga Lef Nosi në vitin 1924. Kthehen tek Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe deklarojnë se Abdyl Frashëri nuk ka qenë pjesë e kësaj Lidhje, apo se Esat Pashë Toptani nuk e dorëzoi Shkodrën te malazezët, dhe Hasan Riza Pasha nuk luftoi për ta mbrojtur qytetin nga rrethimi. Disa të tjerë përhapin idenë se në Shqipëri nuk ka pasur luftime gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo që Kosova nuk ka qenë kurrë pjesë e Shqipërisë, as në kuptim historik, as politik. Thonë e çfarë nuk thonë ?! Sipas tyre, gjithçka është shkruar për Shqipërinë e shqipëtarët gjatë 3000 viteve të fundit, duhet rishkruar ! Ky është niveli i “rishkrimit” që këta individë pretendojnë të bëjnë – pa dokumente, pa burime të bësueshme, pa analiza, por me përfundime të prera, shpesh me nota përçarëse dhe ideologjike.
Këto narrativa nuk janë kërkime të ndershme. Janë produkte të injorancës, vanitetit, ose – në disa raste – qëllimshmërisë përçarëse. Kjo kategori njerëzish quhet ndryshe negacionistë, revizionistë ekstremë, ose më qartë: manipulues të kujtesës kombëtare. Ata luajnë me emocionet dhe identitetin e publikut, duke e lënë shoqërinë në mjegull, dyshim dhe përçarje.
Historia nuk është e shenjtë, por as lodër për t’u shtrembëruar sipas qejfit. Ajo kërkon burime, krahasim, analizë dhe kontekst. Këta mohues të gjithçkaje në hustorinë e derisotme, nuk kanë asnjë prej këtyre mjeteve. Ata kanë vetëm rrjetet sociale, dëshirën për famë të lehtë dhe një ndjekje të verbër nga ata që nuk dinë të dallojnë legjendën nga fakti. Po kanë edhe studio të veçanta televizive ku ftohem dhe s’pushojnë duke i dhënë kuptim budallallekut ! Më mirë do të shkonte që këto studio të quheshin studiot televizive të budallallekut, pra ta dinte hapur opinioni i gjërë publik karakterin e tyre! Në një vend që ka ende nevojë të ndërtojë shtylla të qëndrueshme për të ardhmen, historia është gur themeli, jo instrument për klikime. Dhe për këtë, duhet më shumë shkencë, më shumë arsim, më shumë kujdes – dhe më pak rrëmujë me Flamurin Kombëtar në sfondin e Facebook-ut !

Musa Kurtulaj

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat