15.4 C
Albania
Friday, April 17, 2026
Google search engine
HomeOpinionVetkonkurencë në mungesë të konkurencës!

Vetkonkurencë në mungesë të konkurencës!

Edi Rama si Armand Duplantis, vetëkonkurrencë në mungesë të konkurrencës.

Ditët e fundit, një sërë zhvillimesh kanë tërhequr vëmendjen në skenën politike shqiptare. Pas fitores spektakolare të 83 mandateve në zgjedhjet e 11 majit, Edi Rama ka ndërmarrë një seri lëvizjesh të papritura: dorëheqje të imponuara të nënkryetarëve dhe drejtuesve kryesorë në disa nga bashkitë më të rëndësishme të vendit. Në pamje të parë, këto veprime duken të pakuptueshme. Nëse do t’i gjykonim ngjarjet vetëm nga prizmi elektoral, do të konkludonim se qeverisja qendrore dhe ajo vendore kanë qenë të shkëlqyera përderisa janë shpërblyer nga publiku me një mbështetje të jashtëzakonshme, një mandat i katërt dhe numri më i lartë historik i deputetëve për Partinë Socialiste.
Por realiteti në terren nuk përputhet domosdoshmërisht me rezultatin elektoral dhe këtë, më mirë se kushdo tjetër, e di vetë Edi Rama. Pavarësisht triumfit numerik, ai është i vetëdijshëm për problematikat që rëndojnë mbi qeverisjen në shumë nivele. Për sfidat që janë përpara. Ndaj edhe ndërmerr veprime që, në kushte të tjera, mund të dukeshin si “paszgjedhore” e jo “pasfitore”.
Në mungesë të një opozite funksionale, e cila nuk përbën asnjë kërcënim real dhe që nuk ka asnjë fuqi korrektuese të pushtetit, Edi Rama ka zgjedhur një rrugë tjetër: vetëkorrigjimin. Ose të paktën përpjekjet për vetëkorigjim. Kjo sjellje e pozicionon atë në një garë të pazakontë, jo me kundërshtarët, por me vetveten. Në këtë kontekst, ai ngjan me Armand Duplantis-in, kampionin suedez të kërcimit së larti, i cili në mungesë rivalësh të denjë, garon me rekordet e veta.
Me përvojën e gjatë në qeverisje, Rama ka arritur në një pikë ku, për të mbajtur nën kontroll jo vetëm pushtetin por edhe ritmin e tij të ndryshimit, është i gatshëm të trazojë ujërat e ndenjura, të prishë ekuilibrat brenda vetes dhe të rifreskojë strukturat me vendime që shpesh vijnë pa paralajmërim. E gjitha kjo jo thjesht për të rregulluar mangësitë, por për të fuqizuar më tej pozitat e veta, për ta mbajtur pushtetin në gjendje lëvizjeje dhe për të prodhuar dinamizëm në një sistem që rrezikon ngurtësimin nën peshën e vetë fitores.

Shpëtim Luku

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat