ARGJIROJA, PRINCESHA E PATHYESHME
Mjeshtrit e gurit, vit pas viti, sfiduan shpatin e pjerrët të malit të Sopotit për të ndërtuar e gdhendur një qytet të gurtë si Gjirokastra. Shtëpitë e këtij qyteti duken sikur kanë mbirë nga shkëmbi. Muret e tyre janë të ndërtuara me gur, çatitë të mbuluara me rrasa guri, oborret të rrethuara po me mure guri, portat e mrekullueshme me harqe guri, por edhe sokakët janë të shtruar vetëm me gur. Për banorët e këtij qyteti, guri nuk është thjesht një lëndë ndërtimi, por lënda e qëndresës, mbijetesës dhe identitetit të tyre.
Thuhet se themelet e para të këtij vendbanimi të pazakontë u hapën tetë a nëntë shekuj më parë, pikërisht në zemrën e Mesjetës. Qyteza u rrit vit pas viti, duke u shtrirë në shpatet e malit. Dy a tre shekuj më vonë, Gjirokastra u shndërrua në një qendër të rëndësishme administrative, ekonomike dhe ushtarake për gjithë jugun. Qysh atëbotë, Gjirokastra jetoi mes gojëdhënave, legjendave dhe historisë së vet të madhe.
Mburrja e saj ishte dhe mbetet kështjella, krejt e veçantë në madhështinë e saj. Ajo është një vepër e frikshme dhe njëkohësisht madhështore, që duket sikur ka mbirë nga mali për të pushtuar luginën e Drinosit. Kwshtjella ngjan me një përbindësh të gurtë, të palëvizshëm, por gjithnjë vigjilent, që jeton në kufirin mes reales dhe mistikes.
Herë-herë, në sytë e banorëve, ajo shndërrohet në një shqiponjë gjigante që ka shtrirë krahët dhe ka futur nën mbrojtjen e saj çdo lagje, çdo shtëpi, çdo frymë jete të qytetit.
Në Mesjetë, kështjella përbënte qendrën kryesore të administrimit të qytetit. Brenda mureve të saj banonte sundimtari, së bashku me këshilltarët dhe funksionarët, të cilët merrnin vendime që lidhnin me organizimin e jetës së përditshme, ekonominë, tregtinë, kontrollin e hyrje-daljeve dhe mbrojtjen e territorit. Në raste rreziku, kështjella kishte edhe funksion mbrojtës për popullsinë. Portat e saj hapeshin për banorët e qytetit, të cilët gjenin aty strehë dhe siguri.
Në një çast kur gjithçka dukej se ishte në rrjedhën e vet, sundimtari i qytetit u sëmur rëndë dhe filloi të shuhej dalëngadalë. Asnjë mjek dhe asnjë mjekim nuk mundi ta shpëtonte. Kur ai u shua përfundimisht, mbi muret e kalasë, por edhe mbi gjithë qytetin, ra zia. Ai u largua nga jeta duke lënë pas zonjën e tij, princeshën Argjiro, dhe birin e tyre ende të sapolindur.
I gjithë qyteti jetonte tashmë me ankthin e pasigurisë. Argjiroja ishte ende e re për të mbajtur mbi supe një barrë kaq të madhe. Ishte një kohë kur fuqia e gruas nuk vlerësohej sa duhej dhe fjala e saj rrallë dëgjohej në marrje vendimesh. Zëri i një sundimtari të fuqishëm duhej të zëvendësohej nga zëri i një gruaje, e cila deri atëherë nuk kishte folur në kuvende, por që tashmë koha e kishte thirrur të thoshte fjalën e saj.
Për Argjironë, kjo ishte një barrë e rëndë që nuk mund ta mbante kushdo, sidomos në një kohë kur gruaja shihej vetëm si kujdestare e shtëpisë. Shumëkush nuk besonte se ajo do të ishte në gjendje të merrte rolin e sundimtares së qytetit, për të siguruar rendin dhe mbrojtjen e tij.
Por Argjiroja nuk u thye. Dyshimet për aftësinë e saj drejtuese nuk e lëkundën dhe as e tronditën. Edhe pse me një fëmijë të vogël në gji, ajo mori drejtimin e kalasë dhe të gjithë qytetit. Vendosi mbi kokë kurorën e princeshës dhe, para këshilltarëve dhe njerëzve të saj të besuar, u betua se do ta mbronte këtë qytet me gjak.
Që të nesërmen e asaj dite, princesha thirri të gjithë këshilltarët dhe kapedanët dhe kërkoi të dinte më shumë për gjendjen e kështjellës, furnizimet dhe pikat e dobëta që armiku mund të shfrytëzonte. Ajo dha urdhra të prerë për kontrolle dhe riparime të mureve të kështjellës, për gjendjen e pikave të vrojtimit dhe për inventarizimin e furnizimeve, nga drithi e deri te kripa e bukës.
Po ashtu, urdhëroi që të vihej nën vëzhgim çdo lëvizje e dyshimtë brenda dhe jashtë kështjellës. Kapedanët morën detyra të qarta për të ditur gjithçka që ndodhte në rrugët përreth qytetit. Që nga ajo ditë, asgjë nuk ishte më si më parë. Askush nuk e kishte besuar se një vajzë e re si Argjiroja do të ishte kaq trimëreshë, kaq e prerë, kaq e zgjuar dhe kaq vendimmarrëse.
Herë pas here, ajo tërhiqej për t’i dhënë gji fëmijës dhe bëhej nënë; por sapo dilte në kështjellë, merrte pamjen e prerë dhe serioze të princeshës.
Pushtuesit osmanë, Despotati i Epirit dhe feudalët rivalë përbënin vazhdimisht rrezik për marrjen e kalasë së Gjirokastrës. Sulmet kishin qenë të njëpasnjëshme, por askush nuk arriti ta pushtonte këtë fortesë. Muret e trasha të saj nuk u çanë kurrë nga gjylet e rënda të topave. Ato mure dëgjuan klithma tmerri, panë tym e gjak, por kurrë nuk u dorëzuan.
Edhe pse të thyer vazhdimisht, armiqtë nuk hoqën dorë kurrë nga përpjekja për ta marrë kalanë. Ata e dinin se me luftë të hapur do të korrnin vetëm disfatë, ndaj e vetmja rrugë që mbetej ishte tradhtia nga brenda. Dhe rruga u gjet.
Dhe plani nisi të thurej. U zgjodh një natë me rrufe e stuhi, kur qielli dukej se po luftonte vetë me tokën. Tradhtari u ngrit në mesnatë, vuri në gjumë rojet dhe, vjedhurazi, hapi portën e madhe të kalasë. Armiqtë, me shpata e heshta në duar, u derdhën brenda mureve të saj.
Beteja shpërtheu e egër. Korridoret e gurta të kalasë u mbushën me gjak dhe kufoma. Lufta trup më trup vazhdoi deri në agim, mes britmave, përplasjes së hekurit dhe rënkimeve të të plagosurve. Princesha Argjiro bëri gjithçka për të siguruar mbrojtjen, por forcat e pushtuesve ishin të shumta dhe rezistenca u thye.
Gradualisht, ata morën kontrollin e pjesës më të madhe të kalasë. Tani mbetej vetëm një gjë për t’u bërë: të mbarohej puna me princeshën. Me shpata në duar dhe rroba të përgjakura, pushtuesit u nisën drejt sarajeve ku ajo banonte, duke e ditur se fati i kështjellës varej tashmë nga një grua e vetme.
Kur princesha e kuptoi se nuk kishte mbetur më asnjë rrugë për t’u mbrojtur, vendosi të mos binte në duart e tyre. Ajo u vesh me rrobat më të mira, vuri kurorën mbi flokët e saj dhe, me djalin në duar, vrapoi drejt murit më të lartë të kalasë.
Për një çast u ndal. Hodhi sytë nga qielli, sikur t’i kërkonte falje Zotit dhe fatit. Pastaj shikoi edhe një herë lagjet e qytetit, shtëpitë prej guri, sokakët që kishte mbrojtur dhe njerëzit për të cilët kishte jetuar.
Trupi i saj ra mbi një shkëmb të thepisur, por edhe në çastin e fundit Argjiroja nuk harroi të ishte nënë. Me një instinkt të fundit, ajo e mbrojti birin e saj, duke e mbajtur mbi trupin e vet, që ai të mos përplasej drejtpërdrejt me shkëmbin e ftohtë.
Legjenda thotë se, mrekullisht, foshnja nuk vdiq, ndonëse mbijetesa e tij dukej e pamundur. Ndërsa jepte shpirt, Argjiroja bëri lutjen e saj të fundit dhe guri i ftohtë mori formë, duke u shndërruar në dy gjinj femre, prej të cilëve rridhte qumësht.
Foshnja piu nga ky qumësht i shenjtë dhe mbijetoi, për të siguruar vazhdimësinë e jetës dhe të qëndresës së përjetshme.
Kështu, Argjiroja u kthye në legjendë. Ajo u bë simbol i gruas arbërore që nuk di të dorëzohet në duart e armikut, duke zgjedhur më mirë vdekjen sesa humbjen e nderit. Emri i saj mbeti i gdhendur jo vetëm në gur, por edhe në kujtesën e një populli që e njeh flijimin si formën më të lartë të qëndresës. Që nga ajo ditë, qyteti i gurtë u quajt Argjirokastër.
Ethem Ruka




