Trump në Davos: Konflikt i hapur apo sinjale për marrëveshje?
Sytë e mbarë botës janë drejtuar sot drejt Davosit në Zvicër, ku pritet të flasë edhe Presidenti amerikan Donald Trump. Ai ka shkëmbyer këto ditë fjalë shumë të ashpra në veçanti me Presidentin e Francës Macron, por edhe disa liderë të tjerë evropianë dhe ka përsëritur se instiston që Amerika të marrë Groenlandën.
Para fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, sot pasdite, Trumpi ka shprehur “optimizëm në lidhje me konfliktin e Groenlandës”.
Por udhëtimi u nis mbrapsht: Pas nisjes për në Davos avioni i tij Air Force One, u detyrua të kthehet në aeroportin ushtarak pranë Uashingtonit. Arsyeja, sipas zëdhënëses së Trump, ishte një problem i vogël elektrik me aeroplanin. Trump hipi në një aeroplan tjetër dhe sot pritet në Davos, rreth dy orë e gjysmë me vonesë.
“Do të jetë një takim shumë interesant në Davos,” njoftoi presidenti amerikan pak para ngritjes. Përveç fjalimit të tij, në Davos janë planifikuar edhe disa takime me krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish. Kësaj radhe në qendër të vëmendjes do të jenë Groenlanda dhe mundësia e vendosjes së tarifave ndëshkuese.
Shumë vende të Evropës thonë se janë kundër “kolonializmit të ri” të Trumpit, ndërsa ai riafirmon pretendimin për Groenlandën.
Parlamenti Evropian dje nuk e ka miratuar marrëveshjen e arritur muaj më parë për raportet me Amerikën edhe pse ishte e panifikuar. Çfarë do të ndodhë pas ditës së sotme, nuk e di askush, sepse gjërat mund të shkojnë në drjetim të marrëveshjes por edhe mund të përashkallëzojnë.
BE ka përgatitur kundërsanksione ndaj Amerikës, në qoftë se Trumpi vazhdon me tarifa të reja dhe me aspiratat për të marrë Groenlandën. Më shumë do të dihet sonte vonë, pas fjalimit të tij dhe bisedimeve me disa nga krerët evropianë.
Por raportet mes BE dhe Amerikës, nuk kanë qenë kaq të tendosura kaherë, e disa thonë kurrë.
Sidoqoftë, në pyetjen e gazetarëve, se sa larg ishte i përgatitur të shkonte për ta vënë ishullin nën kontrollin e SHBA-së, përgjigja e Trumpit ishte: Do ta shihni!




