Dikur, në fillimet e qytetërimit, skllavëria ishte e dukshme. Skllavi shitej e blihej në treg, si një send, si një kafshë pune. Ai nuk kishte emër, nuk kishte zë, nuk kishte të drejtë. Ishte pronë, pasuri, mall që mund të përdorej deri në shterim. Punonte nën kamxhikun e zotërisë, jetonte në varfëri dhe vdiste në harresë.
Por nëse e shohim me vëmendje, çfarë ka ndryshuar sot? Sot, skllavi modern nuk shitet në treg, por punon gjithë jetën për të paguar taksa, kredi, energji, ushqim e barna në favor të oligarkisë. Ai nuk ka pranga në duar, por është lidhur me zinxhirët e sistemit financiar, me borxhet, me frikën për bukën e përditshme. Kamxhiku është zëvendësuar nga ligje të padrejta, të bëra me porosi për oligarkët që sundojnë në heshtje.
Dikur, skllavët punonin për pallatet e mbretërve dhe perandorëve. Sot, punojnë për perandoritë e betonit të oligarkëve. Ata ndërtojnë kulla që nuk mund t’i blejnë, rrugë që nuk mund t’i përdorin lirshëm, hotele që nuk mund t’i frekuentojnë. Dikur, skllavi ushqente luksin e sundimtarit me djersën e ballit. Sot, qytetari ushqen luksin e pushtetarëve e “biznesmenëve strategjikë” me taksat, tarifat dhe padrejtësitë që i mbulohen me fjalën “zhvillim”.
Në të kaluarën, mbretërit sundonin me shpata. Sot, oligarkët sundojnë me kontrata. Ata nuk e pushtojnë tokën me ushtri, por me vendime qeverie. Nuk e marrin pronën me dhunë fizike, por me “leje ndërtimi”, “koncesione”, e “ligje të posaçme”. Nga Konispoli në Vermosh, toka, bregdeti e çdo pasuri publike janë bërë plaçkë e gllabërimeve strategjike. Në vend të zhvillimit strategjik, kemi grabitje strategjike.
Dikur, sundimtarët rrinin në pallate dhe shikonin popullin nga lart. Sot, oligarkët fshihen pas fasadave të bizneseve, por kanë në duar gjithçka: deputetët, ministrat, drejtuesit e institucioneve, madje edhe policinë që duhet të mbrojë qytetarin. Ata vendosin se kush qeveris dhe kush bie, kush dënohet dhe kush shpëton, kush punon dhe kush mbyllet. Pushteti nuk është më në parlament, por në llogaritë bankare të pak vetëve.
Flitet çdo ditë për “barazi gjinore”, por në fakt nuk ka as barazi ligjore, as barazi njerëzore. Sepse kur ligji përdoret për të mbrojtur të pasurin dhe për të shtypur të varfrin, çdo fjalë për “barazi” bëhet tallje. S’ka barazi aty ku një njeri s’ka bukë, ndërsa tjetri ka fuqi të blejë ligjin. S’ka barazi aty ku drejtësia shitet me çmim, ndërsa ndershmëria mbetet rrugëve.
Në pamje të parë, mund të duket sikur jemi të lirë: mund të flasim, të votojmë, të udhëtojmë. Por në realitet, jemi të lidhur nga një sistem që kontrollon çdo aspekt të jetës sonë punën, shëndetin, arsimimin, drejtësinë. Liria është bërë iluzion, demokracia fasadë, shteti pronë private e oligarkëve.
Nëse dje skllavi i bindur i shërbente sundimtarit nga frika e kamxhikut, sot qytetari i bindur i shërben pushtetit nga frika e varfërisë. Dje mbreti sundonte me forcën e frikës, sot oligarku sundon me forcën e parasë.
Kështu, historia përsëritet jo me pranga hekuri, por me pranga ligjesh. Jo me skllevër të lidhur, por me njerëz të mashtruar. Ne mendojmë se jemi të lirë, por jemi më të varur se kurrë.
Dhe prandaj, o popull, duhet ta pranojmë me guxim këtë të vërtetë të hidhur. Ne jetojmë në skllavërinë moderne. Vetëm zinxhirët kanë ndryshuar formë, por jo qëllim.
Shkruan avokat Arben Llangozi




