Refuzoj të presim derisa ai të bjerë vetë, që pastaj t’i bëjmë sinodin e kadavrës së tij politike.
Qindra faqe të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR pritet të pasqyrojnë shumicën e shkeljeve që Partia Demokratike i ka denoncuar publikisht para, gjatë dhe pas fushatës elektorale. Ky raport nuk ka fuqi juridike për të certifikuar ose jo zgjedhjet, por mbetet një dokument që gjykon standardin zgjedhor. Për qeverinë, ai është thjesht një tjetër njollë turpi, aspak e para.
Mafia stabilokratike e udhëhequr nga neo-marksisti Soros ka një plan për ta mbajtur Ramën, pavarësisht përmbajtjes së raportit. Po kështu, një pjesë e liderëve të BE-së, të kënaqur nga pazaret me qeverinë shqiptare. Por pyetja është: si do të veprojmë ne?
A do të bëhemi instrument institucional i një mazhorance të dalë nga manipulimi, apo do të pamundësojmë mandatin e katërt? Ky është një moment që, siç thotë populli, ndan shapin nga sheqeri.
Unë besoj se nuk duhet të njohim asnjë institucion të dalë nga vjedhja e zgjedhjeve. Protesta, refuzim, demonstrata të pandalshme deri në realizimin e një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të parakohshme. Të gjitha problemet e brendshme të PD-së janë në plan të dytë, nëse nuk zgjidhim këtë hall të madh ekzistencial: zgjedhjet e lira.
Unë refuzoj të jem dekor i një demokracie fasadë që prodhon një parlament fasadë dhe një qeveri autokratike. Legjitimiteti politik nuk vjen nga propaganda, por nga morali, e vërteta dhe përfaqësimi dinjitoz. Në të kundërt, pason katastrofa, humbja e peshës politike dhe hemorragjia e pashmangshme partiake.
Shkruan Lisandër Hoxha




