19.3 C
Albania
Friday, April 17, 2026
Google search engine
HomeArt/KulturëLETËR NJË TË PANJOHURE:

LETËR NJË TË PANJOHURE:

LETËR NJË TË PANJOHURE

Nuk e di pse Zoti të sjell ty në një tavolinë para meje në mëngjes…
Nuk e di kush më provokon ti, apo Zoti?
Ajo hunda jote e kthyer me atë harkun pa asnjë gradë gabim, më le pa ngrënë. Dua të kem atë para syve, që ta quaj të ushqyerit një proces të kryer.
Nuk ta di emrin, po dua të të quajnë Ana, ose Milena, por jo ajo e Kafkes, ajo nuk është mesdhetare dhe e ëmbël si ty dhe për më shumë nuk e ka hundën pipiruqe, nëse hunda jote quhet kështu.
Vajzat çeke janë abrazive.
Ti nuk e di se prej çastit kur të pashë ndihem shumë vetëm në këtë botë të padashur, kjo nuk do të thotë që ndihem aq i vogël dhe i vetmuar kur të shikoj ty.
Ti nuk e di kush jam, as nuk e di se të mendoj…
Realisht unë nuk mendoj për ty, thjesht jetoj në një dhomë të mbyllur me mure në ngjyrë të verdhë, si rrobat e plazhit që vesh ti.
S’e di pse zgjodhe atë ngjyrë, duket sikur do të më torturosh të gjej nëse thyhen rrezet e diellit në të verdhën tënde, apo thyhen rrezet e tua në diell?
Kur ti afrohesh askush nuk i di gjërat e mia të fshehta, as unë vetë nuk i di, sepse jam si një pasqyrë në të cilën ndryshon pamja jote nga indiferentizmi i lëvizjeve të tua përpara syve të mi që nuk dinë ç’të bëjnë.
Ato harqet magjike në trupin tënd më tundojnë tmerrësisht, sepse dyzimi nëse Zoti ka përdorur kompas duke kërkuar qendrën, po më ankthon brenda një gënjeshtre të bukur për ëndrrën që dua të jetoj.
Nuk e di çfarë kishe në mendje kur mbajte derën e ashensorit të hapur për mua, por di që vetëm unë nuk ndodhesha aty.
Prania jote e panjohur e trullos plazhin, e ndalon kohën dhe ndërpret mendimin e turmës, sa nuk dua që ata të më kopjojnë mendimin për ty.
Durimi im për enigmat e pazgjidhura në zemrën tënde mbytet brenda një libri me pyetje pafund.
Ti nuk je përgjigje, por një pirg i madh mitesh të lashta me kuptime pikturash postmoderniste, je një trup si tokë e pjekur në aromën e detit.
Të lutem, ktheji sytë nga unë, më verbo me të verdhën dhe atë qeshjen që i jep një hark tmerrësisht të bukur hundës pipiruqe.
Më thuaj, ç’më duhen sytë pa ty?
Më pëshpërit nxitimthi, fshehtas nga bota se dëshiron shumë të ta nis këtë letër, që të shkruaj më pas romanin e jetës me ty.
Ajo çfarë më ndodh nuk është një provim përfundimtar për të të gjetur, po shpresë si ai zogu i vogël që ngrihet në fluturim pas shumë provave, edhe pse në qiell të ndryshëm nga ai i imi.
Ti nuk je inerci, ti je besim, rreth të cilit vërtitem dhe lutem shumë herë në ditën e pakohë.
Të lutem më shiko njëherë të vetme, është çast përgjigjeje për librin me pyetje, aq më mjafton të më shuash vuajtjen dhe rindezësh qarkullimin e gjakut, e dashur Milena ime e panjohur.

Kastriot. Fetahu.

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat