Opozita që nuk kundërshton më: Heshtja e organizuar përballë një krimi ligjor
Redaksia WINDOW.AL
Në një vend ku përplasjet politike bëhen për karrige, heshtja kolektive e opozitës përballë draftit të ri të Kodit Penal është më shumë se një akt mungese reagimi – është bashkëfajësi. Ndërsa qeveria përpiqet të kalojë nën radar një nga projektligjet më autoritarë të kohëve të fundit, që prekin thelbin e lirive themelore të njeriut, opozita shqiptare ndodhet në një gjumë të qëllimshëm, ose më keq: në një marrëveshje të heshtur politike që përmban gjithçka përveç interesit publik.
Ku është opozita?
Kjo është pyetja që i djeg çdo qytetari që shikon ligjin penal të deformohet në mjet për kontroll politik, shtrëngim të protestës dhe ndëshkim të zërit ndryshe. Drafti në fjalë përmban elementë të qartë të shkeljes së të drejtës së protestës, të fjalës së lirë, dhe të sigurisë juridike të qytetarëve – por opozita nuk flet.
Asnjë konferencë shtypi.
Asnjë debat parlamentar domethënës.
Asnjë tryezë profesionale me juristë, ekspertë, media apo organizata të shoqërisë civile.
Asnjë propozim alternativ.
Vetëm heshtje.
Mbrojtje për bythët e tyre, jo për popullin
A po heshtin sepse ligji i mbron dhe i izolon? A janë deputetët më të interesuar të mbrojnë veten dhe rrethin e tyre të ngushtë në parlament sesa të përfaqësojnë hallet e qytetarëve që ua dhanë votën? Për shumëkënd, kjo nuk është më një hipotezë, por një konkluzion i dhimbshëm. Opozita shqiptare, pavarësisht siglës, është kthyer në një opozitë të kontrolluar, e kapur nga interesat klienteliste dhe jo më e angazhuar në luftë për parime.
Në vend të përplasjeve të forta për të drejtat e njeriut, kemi përplasje për emra listash, për poste në KQZ, për drejtimin e komisioneve, për marrëveshje që nuk bëhen asnjëherë publike.
Pse nuk organizohen protesta?
Sepse opozita nuk ka më rrënjë në shoqëri. Ajo nuk ka më besueshmëri për të thirrur qytetarët në sheshe. Populli i është larguar jo vetëm politikës, por edhe përfaqësimit. Dhe kjo, falë vetë tradhtisë së përfaqësuesve të tij në parlament – që për vite kanë ulur kokën kur pushteti ka shkelur të drejtat, ka miratuar ligje të ndyra, ka përjashtuar kritikët dhe ka zëvendësuar opozitën reale me kukulla politike.
Opozita, më shumë sesa PD
E rëndësishme është të theksojmë: opozita nuk është vetëm Partia Demokratike. Opozita është çdo parti jashtë qeverisë. Kjo përfshin lëvizje politike, grupe parlamentare, parti të vogla, figura të vetëquajtura “alternativa” – por asnjë prej tyre nuk ka ngritur zërin seriozisht. Asnjë përfaqësues politik nuk ka ofruar një analizë të plotë të pasojave të këtij drafti penal. Asnjë nuk ka sfiduar publikisht mazhorancën në terrenin moral, kushtetues dhe shoqëror.
Po shkatërrohet Kushtetuta nën sytë tuaj
Drafti i ri penal nuk është vetëm një shkelje e të drejtave të njeriut. Është një tentativë e qartë për të ndërtuar një sistem represiv juridik, ku çdo shprehje pakënaqësie mund të kriminalizohet, çdo qytetar që proteston mund të quhet pengues i rendit, çdo gazetari kritik mund t’i përmendet “ndikimi negativ në opinion publik”.
Në thelb, është një goditje ndaj demokracisë vetë.
Dhe kjo ndodh pa asnjë rezistencë të organizuar, pa debat publik të nivelit serioz, pa fjalë, pa protestë.
Opozitë pa sedër
Nëse një opozitë nuk reagon përballë dhunimit të lirive themelore, atëherë ajo nuk është opozitë. Është një dekor i dobët në skenën e një pseudo-demokracie.
A ka sedër kjo klasë politike?
A ka ndershmëri?
A e ka një vijë të kuqe që nuk e kapërcen dot në emër të interesit kombëtar?
Në këtë moment historik, opozita ka zgjedhur të heshtë, të shmangë betejën, të ruajë status quo-në, të mos trazohet. Populli ndërkohë, është lënë të përballojë vetë pasojat e ligjeve që po e shkatërrojnë nga brenda.
Jo parlament, por grup kriminal me imunitet
Parlamenti sot nuk është më arenë përballjesh idesh, përfaqësimi të popullit, mbrojtjeje të lirive. Ai është kthyer në grup të strukturuar politik, që me anë të legjislacionit po ndihmon në shfarosjen institucionale të kombit shqiptar.
Ligje të hartuara në errësirë, të miratuara pa debat, me gjuhë të dyshimtë, me pasoja të rënda afatgjata – kjo është fytyra reale e sistemit aktual.
Fundja, kush do ta paguajë çmimin e kësaj tradhtie politike?
Ju? Jo.
Ne.
Populli.
Si gjithmonë.
Që nga 1944, deri më sot – të njëjtat familje politike, të njëjtat fytyra, të njëjtat pasoja.
Zoti ua dhëntë hakun secilit prej tyre, jo për atë që kanë bërë për veten, por për atë që nuk bënë për ne.




