23.1 C
Albania
Saturday, April 18, 2026
Google search engine
HomeArt/KulturëSa të bukura gratë:

Sa të bukura gratë:

SA TË BUKURA GRATË
Përherë të bukura gratë!
Por,
sa të bukura janë,
Edhe kur shkojnë për zi në mort.

Të hijshme në qetësinë e tyre,
Enden si në ëndërr, pa bërë zë,
Me sytë e zmadhuar pak më tepër se herët e tjera,
Prej habisë së vdekjes.

Të gjitha njëlloj, mbështetur lehtë në supet e njëra-tjetrës,
Pa fjalë.
Me petka të zeza,
Me lotët më të rëndë se përherë,
Me përvuajtjen e tyre, që i bën aq reale sa s’ka,
Të përkora në shenjtërinë e tyre,
(Si filli i perit që digjet ngadalë brenda qiriut, dhe bën dritë),
Të menduara më thellë,
Hutuar paksa prej kujtimesh, dashurie dhe malli,
Plot dhembshuri delikate,
Me shamitë e lotëve mbledhur në grusht,
Dhe, më afër se kurdo
me tokën dhe qiellin.

Fërgëllojnë trupat e tyre delikatë prej ngashërimit,
Dënesa e vajit nën zë,
lulëzon hije të bukura,
Fytyrat e tyre me pak gjumë, gjithë nur,
Bukuria e grave shtrihet si një brymë e bardhë,
Që zbut sadopak zinë përreth.

Të bukura,
(si përherë gratë),
Edhe këtë herë.

Mark Simoni

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat