Në jug të Shqipërisë, zjarret nuk kanë djegur vetëm pyje. Ato kanë përpirë shtëpi, kujtime, djersë, shpresë.
Në Delvinë, Borsh e Berat, banorët kanë parë me sytë e tyre si flakët u ngjitën në muret e jetës së tyre, ndërsa shteti…heshti.
Në fakt, shteti nuk është se heshti, por ishte pak “i zënë” me “ndërtimet pa leje” në Theth e gjetiu.
Dhembja që nuk shuhet me ujë
Në Kalasë, një nënë ka parë shtëpinë e saj të shndërrohet në hi, ndërsa fëmijët i mbante në krah, pa ditur ku të strehohej.
Në Selenicë, një burrë i moshuar ka qarë për Kishën e fshatit, të ndërtuar nga gjyshi i tij, që sot është një grumbull gurësh të nxirë.
Në Berat, ullinjtë që mbante si trashëgimi për nipërit, janë kthyer në trungje të karbonizuara. Tani shikojnë të terrorizuar flakët që po iu afrohen banesave.
“Shtëpia ime u bë hi. Nuk kam ku të fle sonte. Kam fëmijë të vegjël dhe askush nuk na pyet.”, shprehet një banore nga Selenica, Delvinë
“Kisha e fshatit, 200 vjet histori, u dogj para syve tanë. Nuk është vetëm një ndërtesë, është kujtesa jonë.”, flet i moshuar nga Selenica.
“U përpoqa ta shuaj zjarrin me kova uji. Djegia në shpatull më dhemb më pak se heshtja e shtetit.” , thotë mes dhembjesh Apostol Zhupa, banor i Kopaçezit.
Të dhemb shpirti tek dëgjon fjalë të tilla dhe sheh pamje apokaliptike që përfshijnë gjithçka!
Populli në zjarr, qeveria në hije
Banorët luftojnë me lopata, me degë, me duar të zbrazëta. Ndërsa helikopterët vonohen, ministrat japin deklarata sterile, dhe dronët fluturojnë për statistikë, satelitët e qeverisë kanë pushtuar hënën, e njerëzit digjen.
Në Delvinë, 11 banesa janë djegur, 2000 banorë janë evakuuar, dhe Kisha e Shën Dhimitrit është shkatërruar nga flakët.
Në Borsh, energjia elektrike është ndërprerë, ndërsa në Berat, vatrat aktive përfshijnë zona të vështira malore, ku ndërhyrja ajrore është e domosdoshme dhe emergjente ndërsa flakët po iu afrohen banesave të fshatrave.
Mos flasim për bagëtitë e shumta , kosheret e bletëve apo ullinjtë shekullorë që flakët kanë djegur e shkatërruar.
Një histori që përsëritet
Shqipëria mban vendin e parë në Evropë për rrezik nga fatkeqësitë natyrore, ku zjarret përbëjnë një pjesë të madhe. Por më tragjike se vetë fatkeqësia është mungesa e mësimeve nga e kaluara.
Heshtja është bashkëfajësi
Qeveria ka dështuar në:
-Parandalim: mungesë e sistemit të paralajmërimit të hershëm.
-Reagim: zjarrfikës të pamjaftueshëm, mjete të vjetruara, koordinim i dobët.
- Solidaritet: mungesë e ndihmës për banorët e prekur, asnjë plan për strehim apo dëmshpërblim.
Në një vend ku propaganda është më e shpejtë se helikopteri, zjarri është më i shpejtë se shpëtimi.
Një apel nga hiri
Nga hiri i shtëpive të djegura, nga lotët e banorëve të braktisur, lind një thirrje:
Mos na lini vetëm. Mos na flisni për strategji, kur ne po humbim gjithçka. Mos na heshtni me fjalë boshe.
Shqipëria po digjet!
Adivije Hoxha




