PUNËTORËT E PASTRIMIT MES SHFRYTËZIMIT NË PUNË DHE SFIDËS PËR NJË QYTET TË PASTËR
Ditët e fundit, një fushatë mediatike ka rikthyer vëmendjen tek sfidat e pastrimit të Tiranës. Po flitet shumë për gjendjen e qytetit, për plehrat, për pamjen e rrugëve, por jo për shkaktarët e vërtetë të kësaj situate. Është një vëmendje sipërfaqësore, që anashkalon problemet e mëdha të punëtorëve të pastrimit, atyre që çdo ditë bëjnë punën më të rëndë për të mbajtur qytetin të pastër, por që trajtohen si të padukshëm.
Shumë prej këtyre punëtorëve nuk kanë kopje të kontratave të tyre, nuk gëzojnë ditë pushimi, paguhen pak dhe shfrytëzohen çdo ditë. Muajt e fundit kemi parë largime në masë të punonjësve, për shkak të pagave shumë të ulëta, orareve të tejzgjatura, mungesës së ditëve të pushimit dhe punës së gjatë nën diell dhe në kushte të vështira. Situata është tashmë alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Nuk mjafton të flasim për pasojat duke treguar me gisht qytetin e ndotur. Duhet të flasim për arsyet: kush fiton nga kjo situatë? Kush nuk respekton të drejtat e punëtorëve? Pse Bashkia dhe kompanitë e pastrimit vazhdojnë të mbyllin sytë para shfrytëzimit të tyre?
Është koha që të ngremë zërin për punëtorët e pastrimit! Ata meritojnë respekt, kontrata të rregullta, paga dinjitoze dhe kushte të drejta pune. Nuk mund të ketë qytet të pastër mbi shpinën e njerëzve të shfrytëzuar!
I bëjmë thirrje qytetarëve dhe mediave të mos mjaftohen me diskutime sipërfaqësore, por të kërkojnë llogari dhe ndryshim të vërtetë. Sepse pas çdo rruge të pastër, ka një punëtor që lufton për bukën e gojës me paga qesharake dhe pa asnjë të drejtë të mbrojtur!




