“Mos vish të shkurtra!” – Kiara Tito rrëfen ‘kritikat e ëmbla’ të Luizit për veshjen e saj
Moderatorja e njohur dhe shumë e dashur për publikun shqiptar, Kiara Tito, ka qenë së fundmi e ftuar në emisionin veror “Pushime On Top”, ku nuk munguan pyetjet me nota kurioziteti për jetën e saj personale, sidomos për marrëdhënien me këngëtarin Luiz Ejlli. Në një atmosferë të relaksuar dhe plot të qeshura, Kiara ka ndarë me publikun disa detaje nga bashkëjetesa e tyre, ku nuk mungojnë as kritikat – të cilat ajo i quan me dashuri “sugjerime”.
E pyetur nga moderatorja Lei Kraja se kush është personi që e kritikon më shpesh për mënyrën si vishet, Kiara pa u menduar përmendi partnerin e saj, Luizin. “Ai është i pari që më thotë ‘mos vish të shkurtra’, – tha ajo duke qeshur. – Dhe ironia është që jam e vetmja që e hap sfilatën me një fustan të shkurtër”.
Edhe pse Luizi i sugjeron të vishet më ‘e mbuluar’, Kiara thotë se nuk e merr gjithmonë seriozisht këtë këshillë. “Po ka ndodhur ndonjëherë që më ka thënë ‘Kiara, të lutem, kthehu në shtëpi e ndërrohu’, por nuk është se e kam vënë ndonjëherë në zbatim”, rrëfen ajo me një buzëqeshje të qartë dhe një siguri që vjen vetëm nga një marrëdhënie ku mbizotëron mirëkuptimi.
Sa i përket postimeve në rrjete sociale, moderatorja theksoi se pavarësisht ndonjë reagimi xheloz, Luizi nuk e ka kontrolluar asnjëherë në mënyrë të tillë që t’i kërkojë të fshijë ndonjë foto nga Instagrami. “Përtej shakave, më vlerëson shumë për stilin që kam. Madje edhe vetë ai ndjek këshillat e mia për veshjet, vazhdojmë edhe jashtë shtëpisë me sugjerime dhe diskutime për stilin e njëri-tjetrit”.
Por mesa duket, këshillat për stilin nuk vijnë vetëm nga njëra anë. Edhe Kiara ka diçka për t’i thënë Luizit. “Tani ai ka gjetur stilin e vet dhe nuk i ndërhyj shumë. Por i them: ‘Mos vish shumë ngjyra’, sepse i pëlqejnë shumë bluzat me ngjyra të ndezura. Unë preferoj ngjyrat neutrale, më shumë të zeza apo bezhë. Megjithatë, duhet ta them, vishet bukur”, u shpreh ajo.
Një çift që luan, këshillon, kritikon me dashuri dhe bashkëjeton në një harmoni që nuk kalon pa u vënë re nga publiku. Kiara dhe Luizi, që i kanë bërë ndjekësit të ndihen pjesë e historisë së tyre që nga Big Brother VIP 2, vazhdojnë të jenë një nga çiftet më të përfolura dhe të pëlqyera në rrjet.




