21.7 C
Albania
Sunday, April 19, 2026
Google search engine
HomeOpinionSHQIPËRIA E 2025-së:SI LABORATOR I SKIZOFRËNISË POLITIKE:

SHQIPËRIA E 2025-së:SI LABORATOR I SKIZOFRËNISË POLITIKE:

MBI VOTËN E PËRJETSHME MAJTAS:
SHOQËRINË E SËMURË DHE MASHTRIMIN E DY KRAHËVE:

Shqipëria në vitin 2025 është një vend që duket si demokraci nga larg, por që brenda saj gëlon një shoqëri thellësisht autoritare, psikologjikisht e deformuar, politikisht e papjekur dhe kulturorisht e kalbur.
Ajo sillet si një pacient që pretendon se është shëruar, por që sapo i hiqet serumi i rrejshëm i optimizmit mashtrues, përplaset përtokë dhe rrëfen gjithë trishtimin, varësinë dhe ndyrësinë që ka mbajtur të fshehur nën buzëqeshjen idiote të tranzicionit.
Në këtë vend, nuk ka të djathtë, sepse nuk ka vetëdije për liri.
Nuk ka as të majtë në kuptimin etik të fjalës,
sepse nuk ka solidaritet.
Ajo çka quhet politikë në Shqipëri është një spektakël i zvetënuar psikopatie kolektive, ku të dy krahët—majtas dhe djathtas—janë vetëm versione të ndryshme të të njëjtës sëmundje:
babëzisë, frikës, manipulimit dhe mediokritetit ideologjik.

POLITIKA E MAJTË NË SHQIPËRI:
NJË FORMË INFEKSIONI SOCIAL:

E majta shqiptare nuk është më një platformë ekonomike apo sociale;
ajo është një formë ndotjeje kulturore.
Ajo është zhveshur nga çdo idealizëm historik dhe është bërë një sistem për të kontrolluar të dobëtin përmes ndihmës, për të blerë të varfërin përmes pagesave minimale dhe për të mashtruar të paditurin me premtime që në vendet normale do quheshin delirante.
Nuk është rastësi që e majta vazhdon të sundojë Shqipërinë, sepse popullsia nuk do të lirohet nga zinxhirët – ajo vetëm do që t’i bëhen zinxhirët më të butë.
Rilindja nuk është parti, është një kult psiko-politik që vepron si një organizatë kriminale me legjitimitet institucional.
Ajo nuk beson në barazi – ajo beson në kontroll të turmës përmes dobësimit të individit.
Dhe turmat shqiptare, të mësuara prej dekadash të mos kenë opinion, moral apo qëndrim, e pranojnë këtë sundim jo thjesht si të pashmangshëm, por si të dëshirueshëm.

Qeverisja aktuale nuk është thjesht arrogante, është një projekt i gjatë kastrimi kulturor.
Ajo promovon njerëz mediokër, jep tituj nderi banditëve, emëron servilë në çdo institucion dhe dënon talentin me mënjanim, shpërfillje ose shpifje.
Kjo është mënyra më e sofistikuar për të zhdukur meritokracinë, për të ruajtur varësinë nga shteti, për të ushqyer modelin e qytetarit që nuk mendon, nuk pyet, nuk kundërshton, vetëm lutet, lëpihet dhe voton.
E majta shqiptare ka shndërruar politikën në një teatër grotesk të patronazhit dhe prepotencës, ku çdo akt është i shkruar për të përsëritur një mesazh të vetëm:
Ju s’keni alternativë tjetër veç meje.

POLITIKA E DJATHTË NË SHQIPËRI:
KLOUNI I DËSHIRËS PËR PUSHTET:

E djathta shqiptare, nga ana tjetër, është një dështim spektakolar jo sepse është shtypur nga regjimet, por sepse nuk ka pasur kurrë kurriz për të ekzistuar realisht.
Ajo është vetëm një iluzion gjeometrik në spektrin politik, një formë e mashtruar e opozitës që ndërtohet mbi mohimin, por që nuk guxon kurrë të ndërtojë vetë. Krahët e djathtë në Shqipëri janë hipokritë, sepse ata flasin për treg të lirë por janë skllevër të oligarkëve; flasin për vlera tradicionale, por janë përdhunues të çdo etike publike; flasin për shtet ligjor, por bëjnë pazare me të njëjtën klikë që pretendojnë se luftojnë.
Opozita shqiptare është një kafkë e zbrazët që mbushen me zëra të rastësishëm, por që nuk ka tru, nuk ka ide, nuk ka vizion.

Një parti e djathtë që thërret për drejtësi, por nuk përmend pronën e grabitur; që flet për demokraci, por drejtohet si feudalizëm; që thotë se është ndryshe, por imiton deri në neveri arrogancën e kundërshtarit, nuk mund të jetë alternativë.
Ajo është thjesht dublantja e keqe e së njëjtës skenë politike, që pret radhën për të grabitur, jo për të ndërtuar.
E djathta shqiptare është viktimë e një paradoksi fatal:
ajo kërkon të qeverisë një shoqëri që e përçmon individualizmin, ndërsa vetë nuk guxon të edukojë popullin me idetë që përfaqëson.

SHOQËRIA SHQIPTARE:
NJË MASË E NDËRGJEGJËS PRIMITIVE QË VOTON PËR DRU E MBYLL SYTË NDAJ DHUNËS:

Shoqëria shqiptare është zemra e kësaj tragjedie politike.
Kjo nuk është një shoqëri që ka rënë viktimë e politikanëve – është një shoqëri që ka prodhuar këta politikanë, i ka dashuruar, i ka ndërtuar, i ka votuar dhe pastaj ka bërë sikur i urren, vetëm për t’i votuar sërish.
Një shoqëri që thotë se do ndryshim, por që refuzon çdo ide të re; që thotë se do shtet ligjor, por urren ligjin sa herë ai e prek atë vetë; që mallkon korrupsionin, por vetë korrupton çdo ditë, nga nënpunësi i vogël tek mjeku që kërkon zarfin.

Kjo është një shoqëri që nuk ka ndjenja qytetarie, por ka instinkt gjahu.
Është e programuar për të mbijetuar, jo për të bashkëjetuar.
Ajo nuk e kupton lirinë si të drejtë të shenjtë, por si rast për të mashtruar, për të vjedhur, për të shpëtuar nga rregulli.
Shqiptari mesatar është një qenie që nuk mendon në kategori të përgjithshme, por vetëm në rrethin e vet të ngushtë, dhe ky është terreni ideal ku lulëzon e majta – sepse aty shteti nuk shihet si strukturë ligjore që barazon të gjithë, por si murge e madhe që ndan nga pak për çdo shërbëtor të bindur.

KONKLUZION:
SHTETI SI PRIND ABUZUES:
SHOQËRIA SI FËMIJË I DËSHIRËS PËR T’U SUNDUAR:

Në analizën përfundimtare:
Shqipëria e 2025-ës është një vend ku nuk ekziston më përplasja ideologjike, por vetëm përplasje interesash mes dy klaneve që vishen me ngjyrat e së majtës dhe së djathtës për të mashtruar një popull që s’ka më as sy për të parë dhe as shpirt për të rebeluar.
Kjo nuk është demokraci, kjo është skizofreni politike – ku një krah sillet si baba dhunues që ndëshkon, ndërsa krahu tjetër sillet si njerku i rremë që premton ëmbëlsira, por i ka sytë të mbushur me urrejtje ndaj fëmijës që nuk i nënshtrohet.

Nëse kjo shoqëri nuk bën një revolucion të thellë moral, kulturor, psikik dhe arsimor:
Atëherë ajo do vazhdojë të sillet si skllevër të cilët qeshin me zinxhirët, që votojnë për kryeplakun që i dhunon, dhe që pastaj thonë “kështu jemi ne, kështu është Shqipëria”.
Por Shqipëria nuk është kështu.
Shqipëria është bërë kështu.
Dhe derisa të shkatërrojmë këtë gënjeshtër kolektive, do mbetemi në këtë cikël të pafund turpi, poshtërimi dhe autokolonizimi politik.

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat