16.5 C
Albania
Saturday, April 18, 2026
Google search engine
HomeOpinionSHQIPËRIA PA TEATËR!SHQIPTARËT NË TEATËR!! punto di inserimento alla fine

SHQIPËRIA PA TEATËR!SHQIPTARËT NË TEATËR!! punto di inserimento alla fine

Pesë vjet pa Teatrin Kombëtar – por a po e kthejmë Parlamentin në skenë groteske mbas 11 majit?

Shqipëria ka pesë vjet pa Teatër Kombëtar.
Që prej 17 majit 2020, kur një regji politike me duar të nxira nga propaganda dhe fadromat zhduku nga faqja e dheut një ndër pasuritë më të çmuara të kujtesës urbane, ky vend ka mbetur pa skenën ku dikur përplaseshin ide, zëra, emocione, shpirt.
Në vend të një godine me tulla dhe gjurmë artistësh, kemi një gropë të madhe e bosh që quhet “zhvillim”. Dhe në vend të artit të vërtetë, kemi një skenë politike të deformuar, një shfaqje të pafundme groteske që po luhet para syve tanë.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, ironia e madhe është kjo:
nuk kemi më Teatër Kombëtar, por do të kemi një Parlament Kombëtar që po ngjan gjithnjë e më shumë me një teatër të mjerë.
Ku politikanët janë kthyer në aktorë të një tragjikomedie të lodhur dhe publiku – në një spektator të heshtur.

11 maji – dita kur vota u bë rekuizitë politike:

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit nuk sollën ndonjë befasim.
Jo se kishim shumë për të pritur.
Në një vend ku fushatat janë fasadë, listat e kandidatëve hartohen në zyrat e ngushta të partive dhe opozita përçahet sa për të krijuar iluzionin e garës, rezultati nuk është vullnet popullor – është një konfirmim i dhunës institucionale mbi zgjedhësin.

Fituan të njëjtët.
Humbën të njëjtët.
U dëshpëruan të njëjtët.
U ngazëllyen të njëjtët.
Dhe, më e frikshmja:
askush nuk u befasua.

Votimi? Formal. Numërimi? I diskutueshëm.Kamera sigurie? Fikeshin kur duhej.
Komisionerët? Nuk dinin as kë përfaqësonin.
Procesi? Një tjetër akt i një shfaqjeje ku rezultati dihej që më parë.

Që nga ajo ditë, ka kaluar plot një javë – sot jemi 20 maj, dhe Komisioni qëndror i zgjedhjeve ende nuk ka çertefikuar zgjedhjet.
Ndërkohë në zyrat e partive bëhen pazaret për poste, ndahen karriget, gatuhet “opozita e re” me përbërës të vjetër.
Populli pret.
Jo me shpresë – por me përçmim.
Parlamenti si skenë e një farsë politike

Në vend të një kuvendi të mendimit dhe përfaqësimit!!
Shqipëria do të ketë (përsëri) një trupë mediokre që imiton dialogun, por prodhon vetëm zhurmë.
Një parlament që do të ketë më shumë regji se ndjeshmëri, më shumë fjalime të gatshme se mendim të lirë, dhe më shumë aktorë politikë se përfaqësues të denjë.
Nuk do të ketë debat për llogaridhënien.
Do të ketë batuta, ofendime, ironi boshe.
Nuk do të ketë komisione të pavarura.
Do të ketë dekor.
Dhe regjia mbetet e njëjtë:
Një dorë e padukshme që shpërndan rolet dhe e ndërpret shfaqjen kur dikush del nga teksti.

Dhe kjo trupë – që do të zërë vendet në sallën e parlamentit kur të hapet sipari – do të jetë ndoshta më e dobëta që ka pasur ky vend në 30 vjet.
Me figura të zbehta, me deputetë që nuk dinë të flasin, që nuk dinë të dëgjojnë, dhe që nuk kanë asnjë lidhje me qytetarët që supozohet se i përfaqësojnë.

Kush e shkroi këtë pjesë?

S’ka dyshim:
Regjisor i madh është Edi Rama.
Dikur artist, sot autokrat me shije estetike.
Ai që shkatërroi Teatrin për të ngritur një simbol të heshtjes.
Ai që në vend të kulturës zgjodhi propagandën, dhe në vend të dialogut – monologun e përjetshëm me veten.
Ai që ndërtoi një realitet ku çdo institucion është fasadë, çdo vendim është i kontrolluar, dhe çdo kundërshtar – i blerë, i kërcënuar, ose i injoruar.

11 maji ishte akti më i fundit i kësaj drame.
Një akt që mbylli me sukses të plotë ciklin e manipulimit institucional dhe e vuri kapakun e fundit mbi demokracinë e deformuar shqiptare.

E qytetari?

Qytetari shqiptar sot është spektatori i lodhur i një shfaqjeje që nuk e ka kërkuar.
Ai nuk brohoret më.
Nuk proteston më.
Nuk shpreson më.
Vetëm sheh.
Rrallëherë qesh – më shpesh përçmon.
Dhe gjithnjë e më shpesh, ikën.
Jo vetëm nga sallat e votimit, por edhe nga vendi.
Sepse kur e kupton që i vetmi teatër që ke është Parlamenti – dhe ai është i kapur – nuk ke më as për çfarë të luftosh.

Shqipëria nuk e humbi Teatrin Kombëtar – e zëvendësoi me një teatër kombëtar grotesk.

Sot, në vend të dramave të Migjenit, kemi monologët e Ramës.
Në vend të artit të Ndrenikës, do të kemi fjalimet boshe të deputetëve të rinj.
Në vend të jehonës së protestës, kemi heshtjen e përgjumur të atyre që binden.
Dhe në vend të një publiku aktiv, kemi një turmë të apatisë kolektive.

Por kujdes:
çdo shfaqje, edhe ajo më e shpifura, ka një fund.
Një ditë, ndoshta, ky popull do të ngrihet, jo për të duartrokitur, por për të ndërprerë këtë farsë.
Dhe atëherë, mund të nisë vërtet rindërtimi.
Jo i një godine, por i një vetëdijeje.

Deri atëherë, Republika e Shqipërisë mbetet ajo që është:
Republika Teatrale e Shqipërisë – një dramë me shumë akte, por pa asnjë katarzë.

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat