10.9 C
Albania
Sunday, April 19, 2026
Google search engine
HomeOpinionKëndvështrim qytetar:

Këndvështrim qytetar:

I gjithë zinxhiri i incidenteve të ndodhura ditën e sotme, përplasjet, dhuna, bllokimi i proçesit të votimit, shit-blerja e votës, kërcënimet, shkelja e Kodit Zgjedhor hapur tregojnë primitivizmin e politikës shqiptare dhe gjithashtu edhe të shoqërisë. Me vëmendje po dëgjoja një kronikë që fliste për zgjedhjet e para elektorale në 91′, dhe panorama e asaj kohe fatkeqësisht reflektohet edhe pas 35 vitesh në sistem. Është për të ardhur keq që ne nuk jemi ndrequr, që nuk jemi përmirësuar, që nuk thellohemi dhe të kuptojmë rëndësinë e qytetarisë gjate ushtrimit të të drejtës themelore të saj, siç është proçesi i votimit. Nuk kam parë popull në botë si shqiptarët, që kanë përjetur e ndjerë poshtërsi nga më rëndat në lëkurën e tyre, kanë ecur në kalvare të gjata dhimbjesh e pikëllimi, e ne sërish diskutojmë shitblerje votash, përsëri përballemi me një militantizëm të verbër, që refuzon të kuptojë të vërtetën. Kanë kaluar 35 vite, e akoma nuk ka rënë kulti i ardhurimit për figura politike të caktuara, akoma nuk kanë ndaluar së bëri “ndere” me votën. Ne si popull i drejtohemi kutisë së votimit për “hatër” të atij apo këtij, dhe nuk e kuptojmë se po abuzojmë me vetëdije me atë çelës që hap dyert e mundësive dhe të lirisë. Të gjithë ne votojmë duke menduar vetëm për vete, pa i hedhur sytë përtej pragut të oborrit, sepse ne ndjekim atë filozofi që thotë se “nuk është problemi im derisa të më ndodhë mua”. Nuk e kuptojnë sot shqiptarët që rrihen e grihen për politikë e politikanë se në fakt nuk është sistemi që na shërben neve, por jemi ne që po i shërbejmë atij, po e ushqejmë, madje edhe me gjakun tonë. Ne akoma e shohim mirëqënien tonë si shtet e si komb të shkëputur nga vota. Jam përballur gjatë gjithë fushatës elektorale me njerëz që thonin “nuk më ka ofruar njeri, se e kisha shitur”. Kjo ishte e dhimbshme. A shitet liria? Me sa duket po. Sepse ne jemi të gatshëm të hamë dheun në tokë të huaj, të durojmë diskriminimin, poshtërimin, shkeljen, e ta ndërtojmë të ardhmen në dyert e Evropës, se sa të ndjekim fillin për të zhbërë lëmshin në tokën tonë. E duan të gjithë ndryshimin, por presim që atë ta bëjnë të tjerët, presim që të vijë Amerika apo Evropa dhe të vendosë rendin në shtëpinë tonë, sepse i besojmë më shumë autoritetit të tyre se sa vetevetes. Por me sa duket kështu jemi brumosur, kështu është gatur gjella jonë, e ndërsa bëj këtë shkrim, sytë i kam tek valixhet, duke shpresuar që të mos detyrohem ti përdor, për ti shpëtuar këtij primitivizmi.

Nga Sadik Sallaku:

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat