Në kalendarin e jetës sonë të përditshme, ka shumë ditë që vijnë e ikin pa lënë gjurmë.
Por ka disa ditë që na përkasin – jo si konsumatorë, jo si spektatorë, por si qytetarë.
Sot është njëra prej tyre. Sot është dita e votimeve në Shqipëri. Sot është dita jote.
Ti që ke parë padrejtësi. Ti që ke ndjerë në kurriz papunësinë, korrupsionin, arrogancën e pushtetit. Ti që ke pritur radhën në sportel, që ke përballuar spitalin publik, që ke parë fshatin të boshatiset, lagjen të zbraset, dhe dritat e shpresës të fiken një nga një. Mos qëndro mënjanë sot. Mos e lër askënd të vendosë për ty.
Sepse vota jote nuk është një favor. Nuk është një dhuratë për politikanin që të përmend emrin çdo katër vjet. Vota jote është një mjet, një akt force, një përgjegjësi e madhe. Është mënyra më paqësore dhe më e drejtë për të ndryshuar drejtimin e gjërave. Për të treguar se je aty. Se po sheh. Se nuk je më i heshtur.
Nëse nuk voton, heshtja jote bëhet miratim për çdo padrejtësi që vjen më pas. Çdo pushtet i korruptuar e do popullin që nuk voton. Sepse e di që ata që rrinë në shtëpi, nuk përfaqësohen, nuk dëgjohen, nuk numërohen.
Ndoshta nuk beson më tek asnjë parti. Ndoshta je lodhur nga premtimet boshe. E kuptojmë. Por të mos votosh fare, do të thotë t’ua lësh timonin pikërisht atyre që nuk i do. Të lejosh që e ardhmja jote, e fëmijëve të tu, të shkruhet nga të tjerët – pa ty.
Prandaj, mos e shpërfill këtë ditë. Voto. Jo për ta, por për veten tënde. Voto për të treguar që je më shumë se një numër. Je një zë. Je një njeri me mendim, me dinjitet, me vullnet për të ndryshuar diçka.
Voto që të jesh nesër me ndërgjegje të qetë. Voto që të mos pyesësh veten pas katër vitesh: “Pse heshta atë ditë?”
Voto për Shqipërinë që e meriton më shumë se kaq.
Sot është dita jote. Mos e humb.
Përgatiti: Koja Leonard:




