16.7 C
Albania
Friday, April 17, 2026
Google search engine
HomeSocialeABSOLUTJA DHE RELATIVJA:

ABSOLUTJA DHE RELATIVJA:

Përgatiti Zija Vukaj

(Për lexues përkatës)

«Kjo pikturë është e Rene Magritte, “Njohja e absolutes”. Doja ta sillja për t’ju ngritur moralin. Pastaj, do të jeni të përgatitur për gjithçka; një mësim serioz mbi konceptet e absolutes e relatives duhej të zgjaste të paktën dy mijë e pesëqind vjet, aq sa diskutimi real. I kam bërë pyetje vetes çfarë kuptohet me termin “absolut”. Është pyetja më fillestare që një filozof duhet të bëjë.
Jam vënë në kërkim artistësh që i kushtohen absolutes dhe, ja- veç ky Magrit i bekuar, por që nga ana filozofike më thotë pak- çfarë kam gjetur: “Piktura e absolutes”, “Quête d’absolu”, “Në kërkim të absolutes”, “Marcheur d’Absolu”, për të mos përmendur spekullimin që publiciteti i bën termit, si tek imazhi i “Absolu” i Valentinos, te mishi i grirë Absolu e te vodka Absolut. Duket se absolutja shitet mirë.
Përveç nocionit të absolutes më ka ardhur në mendje një nga të kundërtat e tij; dhe ky është nocioni i relatives, i bërë shumë i modës qysh kur kishtarët e niveleve më të larta e deri mendimtarët laikë kanë filluar një fushatë kundër të ashtuquajturit “relativizëm”, duke u përdorur për qëllime gati terroriste, ashtu si fjala “komunizëm” për Berluskonin. Prandaj do të kufizohem jo t’jua them por t’jua ngatërroj idetë, duke u përpjekur t’ju sugjeroj që secili prej këtyre termave të tregojë- sipas rrethanave dhe konteksteve- gjëra shumë të ndryshme mes tyre dhe se si pra ato nuk duhen përdorur si shkopinj bejsbolli.» (Umberto Eko, “Mbi supet e gjigantëve”)
Sipas fjalorëve të filozofisë, absolute do të jetë gjithë çfarë është ab solutus, e çliruar nga lidhjet apo kufijtë, diçka që nuk varet prej tjetrës, që ka arsyen e vet, shkak dhe shpjegim në vetvete. Pra diçka shumë e ngjashme me Zotin, në kuptimin që Ai përcaktohet “unë jam ai që jam”, ego sum qui sum, përballë të cilit gjithçka tjetër është e rastësishme dhe prandaj nuk ka shkak të vetin në vetvete- edhe nëse rastësisht ekziston- shumë mirë mund të mos ekzistonte; apo të mos ekzistonte më nesër, siç i ndodh sistemit diellor apo secilit prej nesh.
Prej se jemi qenie të rastësishme, e prandaj të destinuara me vdekë, ne kemi një nevojë dëshpëruese të kapemi pas diçkaje që nuk vdes, pra diçkaje absolute. Por kjo absolute mund të jetë transhendente, si hyjnia biblike, apo imanente. Për të mos folur për Spinozën apo Xhordano Brunon; me filozofët idealistë edhe ne hyjmë e bëjmë pjesën e absolutes, sepse absolutja është (për shembull te Shelingu) uniteti i pazgjidhshëm i subjektit që njeh dhe asaj që dikur konsiderohej e huaj për subjektin, si natyra apo bota. Te absolutja identifikohemi me Zotin, jemi pjesë e diçkaje që nuk është kryer akoma plotësisht: proces, zhvillim, rritje e pafund dhe vetëpërcaktim i pafund. Por nëse janë gjërat kështu, ne nuk do të mundemi kurrë as ta përkufizojmë as ta njohim absoluten, sepse bëhemi pjesë e saj; e duke tentuar ta konceptojmë do të bënim si baroni Münchausen që dilte nga këneta duke tërhequr veten për flokësh.
Atëherë alternativa është që të mendojmë për absoluten si diçka që ne nuk jemi dhe që qëndron gjetiu, duke mos u varur prej nesh, si Zoti i Aristotelit që e mendon veten mendimtar dhe siç donte Xhojsi te Dedalus. Portreti i artistit djaloshar, “mbetet brenda për brenda apo përtej a përmbi veprën e vet, i padukshëm, i stërholluar deri në zhdukje, indiferent, i zënë me thonjtë”. Në fakt në shekullin XV Nikolo Kuzano te “De docta ignorantia”, thoshte: Deus est absolutus.
Por për Kuzanon, si absolut, Zoti nuk është shfaqur plotësisht asnjëherë. Marrëdhënia mes njohjes sonë dhe Zotit është e njëjta që vendoset mes një shumëkëndëshi të brendashkruar dhe rrethit ku është brendashkruar: doradorës që shumohen brinjët e shumëkëndëshit, i afrohemi gjithnjë e më shumë rrethit, por shumëkëndëshi dhe rrethi nuk do të jenë kurrë të njëjtë. Kuzano thoshte se Zoti është si një rreth qendra e të cilit është gjithkund dhe vija rrethore nuk është nga asnjë anë.
A mund të mendohet një qark me qendër gjithkund e vijë rrethore nga asnjë anë? Sigurisht që jo. E megjithatë mund ta përmendim, dhe këtë po bëj në këtë çast; dhe secili prej jush kupton se po flas për diçka që ka të bëjë me gjeometrinë, meqë është gjeometrikisht i pamundur e i pakonceptueshëm. Pra ka një dallim mes mundësisë së konceptimit apo diçka më pak të mundësisë së emërtimit duke i veshur një kuptim çfarëdo.
Çfarë do të thotë të përdorësh një fjalë dhe t’i veshësh një kuptim? Do të thotë shumë gjëra.
A. Të kesh dituri për të njohur objektin e mundshëm, situatën apo ngjarjen. Për shembull bëjnë pjesë në kuptimin e fjalëve “qen” apo “pengohem” një sërë përshkrimesh, edhe nën formën e imazheve, për të njohur një qen e për ta dalluar nga një mace; e për të dalluar “pengohem” nga “kërcej”.
B. Të vendosësh për një përcaktim apo klasifikim. Kam përcaktim e klasifikim për një qen por edhe ngjarje dhe situata si vrasje nga pakujdesia, që si përkufizim di ta dalloj nga vrasje pa dashje.
C. Të njohësh për një entitet të dhënë veçori të tjera, të quajtura “faktike” apo “enciklopedike”: për shembull për qenin di se është besnik, që është i mirë për gjah apo për roje, për vrasjet nga pakujdesia që sipas kodit mund të çojnë në një dënim të përcaktuar etj.
D. Mundësisht të kesh dijeni se si prodhohet objekti apo ngjarja që lidhet me të. E njoh kuptimin e termit vazo sepse edhe po nuk qeshë poçar e di se si duhet të prodhohet një poçe- e kështu ndodh edhe me termin prerje koke apo acid sulfurik. Ndërsa për një term si truri njoh kuptimin A dhe B, disa veçori të C, por nuk di si do të mund ta prodhoja.
Një rast i shkëlqyer ku njoh veçoritë A, B, C, D na është paraqitur nga C. S. Peirce që e përkufizon kështu litiumin (CP 2.230):
Nëse do të shfletoni një manual kimie për të kërkuar përkufizimin e litiumit, do të gjeni që është një element me peshë atomike rreth 7. Por nëse autori ka një angazhim logjik më të madh do t’ju thotë se nëse kërkoni një material qelqi, të tejndritshëm, gri apo të bardhë, shumë të fortë, të thërrmueshëm e të patretshëm- në gjendje t’i japë një ton të purpurt një flake jo të ndritshme, nëse e thërrmoni këtë mineral me gëlqere apo helm për minj të thatë, e pastaj e shkrini, ai mund të jetë pjesërisht i shpërbërë në acid klorhidrik. E nëse kjo tretësirë avullohet dhe mbetja do të trajtohet me acid sulfurik të pastruar, do të shndërrohet në një klorur me metoda normale. Ky klorur, i kthyer në gjendje të ngurtë, i shkrirë dhe i galvanizuar me gjysmë duzine qeliza të fuqishme, do të formojë një rruzull metali ngjyrë trëndafili që do të pluskojë mbi benzinë. Dhe kjo lëndë do të jetë një ekzemplar litiumi. E veçanta e këtij përkufizimi- apo e këtij mësimi, më i nevojshëm se një përkufizim- është se ju thotë çfarë tregon fjala litium, duke përcaktuar çfarë duhet të bëni për ta arritur një përvojë perceptive të objektit të jashtëm.

Shembull i bukur i paraqitjes së plotë e të kënaqshme të kuptimit të një termi. Ndërsa shprehje të tjera kanë kuptime të mjegullta e të pasakta- e shkallë të ulët qartësie. Për shembull edhe shprehja numri më i madh çift, ka një kuptim, aq sa tashmë e dimë se duhet të ketë cilësinë të ndahet për gjysmë (prandaj jemi në gjendje ta dallojmë nga numri më i madh tek) dhe kemi madje edhe një dijeni të vagullt për prodhimin e tij, në kuptimin që mund të imagjinojmë të llogarisim numra gjithnjë më të mëdhenj, duke ndarë çiftët nga tekët… Vetëm se vëmë re që nuk do të arrijmë kurrë, ashtu si në një ëndërr, të kapim diçka që nuk e arrijmë. Një shprehje si ‘qarku me një qendër gjithkund dhe vijë rrethore nga asnjë anë’ nuk sugjeron ndonjë rregull për të prodhuar një objekt përgjegjës, jo vetëm nuk mbart ndpnjë përkufizim, por prish çdo përpjekje tonën për ta përfytyruar, duke shkaktuar vetëm një ndjhenjë marramendjeje. Një shprehje si ‘absolute’ ka një përkufizim thjesht tautologjik (është absolute ajo që nuk është e rastësishme por është e rastësishme ajo që nuk është absolute), por nuk sugjeron përshkrime, përcaktime e klasifikime, nuk mund të mendojmë për mësime për të prodhuar diçka përgjegjëse, nuk i njohim asaj ndonjë cilësi, përveç supozimit se i ka të gjitha dhe me gjasë është ai ‘id cuius nihil maius cogitari possit’ për të cilin fliste shën Anselmi i Ostas (e më vjen në mendje fraza që i vishet Rubinsteinit: “mos vallë besoj në Zot? Jo, unë besoj në diçka… shumë më të madhe…”). Ajo që më së shumti mund të imagjinojmë kur përpiqemi ta konceptojmë është terri klasik ku të gjitha lopët janë të zeza.
Natyrisht që është e mundur jo vetëm ta përmendim por madje ta paraqesim në mënyrë pamore atë që nuk mund të konceptojmë. Por këto imazhe nuk paraqesin të pakonceptueshmen: thjesht na ftojnë të mundohemi të përfytyrojmë diçka të pakonceptueshme; dhe pastaj e prishin pritjen tonë. Ajo që na kap në mundimin për ta kuptuar atë, është pafuqia e shprehur nga Dante në këngën e fundit të parajsës (XXXIII, vargj. 82- 96) kur don të na thotë çfarë ka parë kur ia ka ngulur sytë hyjnisë, por nuk arrin të na thotë tjetër, veçse nuk arrin të na e thotë; dhe i drejtohet metaforës magjepsëse të një libri me faqe të pafundme:

O pafund hir, nga sytë e mi me i kallë
Pata guximin nëpër dritë t’amshueme
Sa me u kapë pamja e mâ e larta shkallë!

Në pafundsinë e saj pashë të bashkueme
Me dashuni lidhë nye, çka rruzullimit
Përndahet si n’erë fletët e lshueme.

Gjana e rrethana, sjelljet e veprimit,
Thuejse së bashku mbledhë aty ngërthye,
Që ç’po them unë asht një kandile shqimit.

Të gjithsisë formën mbrenda këtij nye
Besoj q’e pashë, se kur e them kët unë
E ndjej vetveten gjithë të ngazëllye.

Veç një çast ma mahnit ma tepër trunë
Se njëzet e pesë shekujt ç’prej ndodhie,
Kur hija e Argut pat çuditë Neptunë.
(Shqip: Mark Ndoja)

Dhe nuk është e ndryshme ndjenja e pafuqisë që shpreh Leopardi kur don të na flasë pikërisht për pafundësinë (“Kështu mes kësaj/ pafundësie mbytet mendimi im:/ dhe e ëmbël më është mbytja në këtë det.”). Kjo na kujton një piktor romantik si Kaspar David Friedrich kur kërkonte të shprehte përvojën e sublimes, që ishte një gjë që në tokë mund të evokonte më mirë përvojën e absolutes.

Kaspar David Friedrich
Udhëtar në një det mjegulle
1817, Hamburg Kunsthalle

Tashmë Pseudo- Dionisi Areopagita kujtonte se, mbasi Njëshi hyjnor është aq shumë larg prej nesh sa nuk mund të jetë as i pushtuar as i prekshëm, duhet folur për të me metafora dhe aludime, por sidomos, për të vënë në dukje pamjaftueshmërinë e arsyetimit tonë, nëpërmjet simboleve negative, shprehjeve të pangjashme: “Në fund, e thërrasin edhe me emrat e gjërave më të ulëta si melhem erëkëndshëm, gur qosheje e madje i veshin një formë shtazore duke i përshtatur karakteristika të luanit e të panterës e duke thënë se do të jetë si një leopard dhe një arushë e tërbuar” (Pseudo- Dionisi Areopagita, Hierarkia qiellore II, 5).
Disa filozofë naivë i kanë dhënë rrugë mendimit që vetëm poetët dinë të na thonë se çfarë është qenia apo absolutja, por në fakt ata shprehin vetëm pafundësinë. Ishte poetika e Stéphane Malarmé-së, që ka shpenzuar jetën për t’u përpjekur të shprehë një “shpjegim orfik, misterioz të tokës”. “Unë them një lule, dhe jashtë harresës ku zëri im mërgon ndonjë përvijim, si diçka e ndryshme nga kupat e njohura, ngrihet me muzikalitet, vetë ideja e ëmbël, mungesa e çdo buqete a arome”. Në fakt ky tekst është i papërkthyeshëm dhe na thotë vetëm që përmendet një fjalë, e veçuar në hapësirën e bardhë që e rrethon dhe prej saj duhet të shpërthejë tonaliteti i së pathënës, por nën formën e një mungese. “Të përmendësh një send është të shprehësh tri të katërtat e fuqisë së poezisë, që përbën lumturinë e të gjeturit pak nga pak: të sugjerosh, ja ëndrra.” Gjithë jeta e Malarmesë vihet në mësimin e kësaj ëndrre, por në të njëjtën kohë në mësimin e shahut (humbjes). Shah (humbje që Dante kishte dhënë për të pranuar që në fillim, duke kuptuar se është krenari djallëzore të pretendosh të shprehësh përfundimisht të pafundmen; dhe e kishte shmangur shahun (humbjen) e poezisë, duke bërë pikërisht poezinë e shahut, jo poezi që don të thotë të pathënshmen, por poezi të pamundësisë për ta thënë.
Reflektohet mbi faktin që Dante (ashtu si Pdeudo- Dionisi e Nikolo Kuzano) ishin besimtarë. A mund të besosh në një absolute e të pohosh që është e papërfytyrueshme dhe e papërcaktueshme? Natyrisht, duke pranuar që mendimi i pamundur për absoluten të zëvendësohet nga ndjenja e absolutes, pra besimi si “thelbi i gjërave të shpresuara dhe argumenti i të padukshmeve”. Elie Wiesel, gjatë një konference, ka kujtuar fjalët e Kafkës përmes të cilave është e mundur të flitet me Zot por jo Zot. Nëse absolutja është filozofikisht një natë ku të gjitha lopët janë të zeza, për mistikun që si Shën gjoni i Kryqit shpreh përvojën e tij mistike përmes poezisë: përballë pashprehshmërisë së absolutes mund të na duket si një garanci fakti që ky tension I pakënaqur mund të zgjidhet materialisht në një formë të kryer. Gjë që lejonte Xhon Kitsin në Ode mbi një urnë greke (1819) të shihte bukurinë si zëvendësim I përvojës së absolutes “Bukuria është e vërteta, e vërteta është bukuria: kjo është gjithë ajo që ju dini në tokë dhe gjithë ajo çfarë duhet të dini.”

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat