Takimet e fshehta në PD janë si ajo pjata tradicionale që e servirin në çdo dasmë shqiptare:
të gjithë e dinë si gatuhet, të gjithë e hanë, të gjithë thonë “sa mirë doli”, por askush nuk pranon se e ka futur dorën në tenxhere.
1991–2007: Berisha dhe Nano ulen te Ura e Tabakëve, pa dëshmitarë, pa celularë, vetëm dy shishe raki dhe një marrëveshje që i dha Topit presidencën si “bakshish”. Topi e mori vesh pas tre vjetësh se kishte qenë pjata e dytë.
2008: Berisha dhe Rama takohen aq fshehtë saqë as Kryesia e PD-së nuk e dinte se po ndryshonin Kushtetutën. Deputetët votuan 115 me 0 si delet që shkojnë në vathë, sepse “është urdhër i lartë”.
2013–2021: Primaret? Jo faleminderit. Më mirë takime në vila me kryetarët e degëve, pak para, pak premtime, pak kërcënime – dhe lista del “demokratike” në mëngjes.
2021–2025: Niveli “familjar plus”. Argita bën rezervimin, Shkëlzeni kontrollon listën e të ftuarve, Noka ruan derën. Në krahun tjetër, Salianji, Alimehmeti dhe ca të votuar organizojnë darkën e tyre paralele – po aq sekret, po aq “për të mirën e partisë”.
Çfarë kemi sot?
Një parti ku vendimet merren nëpër lokalet e Tiranës, por konferencat për shtyp mbahen në shesh duke bërtitur “transparencë!”.
Është si të shkosh në dasmë dhe të hash byrekun duke u ankuar që s’ke parë se çfarë i hodhën brenda.
Por ja që byreku del gjithmonë i shijshëm… për ata që e gatuan.
Traditë, pra.
Pa takime të fshehta, PD-ja do të ishte… një parti normale.
Dhe kush e do një gjë të tillë? 😏
Shkruan Rea Lundra




