Në çdo zbulim arkeologjik që bëhet në trevat tona, njoftimet zyrtare pothuajse gjithmonë e etiketojnë atë si romak, grek, bizantin apo sllav.
Asnjëherë nuk shënohet me bindje se kemi të bëjmë me trashëgimi ilire, edhe pse këto troje kanë qenë dhe mbeten zemra e botës ilire.
Shembulli i fundit është varri monumental i zbuluar në Strikcan të Bulqizës, një gjetje me përmasa të mëdha dhe me rëndësi të veçantë arkeologjike. Zyrtarisht ai u cilësua si varr romak, për shkak të mbishkrimeve dhe elementeve të tjera të periudhës.
Por, askund nuk u tha se ky territor, këta njerëz dhe ky qytetërim ishin dhe mbeten pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve.
Duket sikur ka një prirje të qëllimshme për të fshirë nga kujtesa rrënjët e vërteta ilire të shqiptarëve, duke i lënë gjithnjë në hije ose duke i zëvendësuar me identitete të huaja.
Kjo nuk është thjesht mungesë vëmendjeje, por shpesh herë shërben si mjet për interesa të huaja, sidomos të shteteve fqinje greke e sllave, të cilat prej shekujsh kanë synuar të përvetësojnë trashëgiminë tonë historike.
Është e padrejtë dhe e dëmshme që në vend të pranohet me krenari e vërteta, se shqiptarët janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të ilirëve, po imponohet një narrativë e huaj që mohon ekzistencën e kësaj rrace të lashtë.
Ilirët kanë qenë dhe mbeten themeli i identitetit tonë kombëtar, ndaj çdo zbulim në këto troje duhet parë para së gjithash përmes këtij prizmi.
Arkeologjia shqiptare duhet të jetë në shërbim të së vërtetës historike, jo i interesave të huaja. Heshtja mbi ilirët nuk është thjesht një harresë shkencore, por një padrejtësi ndaj vetë identitetit tonë kombëtar.
Nga: Leon Molla




