Përshëndetje ju o shumica e shqiptarëve të vegjël në “Shqiperine e madhe moderne”. Të gjithë jemi deshmitare se ketu diploma nuk ka më vlerë ,ajo tashme është zëvendësuar me teserën e partisë dhe aftësia me servilizmin. Ku mbi 50% e administratës publike këtu është një ushtri burokratësh të paditur, të pangopur dhe të paaftë, por të gatshëm t’i lëpijnë këpucët çdo lideri politik për një vend pune, një udhëtim në ishuj turistik, apo një rrogë shtesë për “merita të veçanta”.
Janë ata që nuk dinë të shkruajnë një fjali pa gabime, por firmosin tendera milionash. Janë ata që nuk kanë menaxhuar kurrë një inventar zyrash, por vendosin për buxhete miliona euro. Janë ata që e mbysin çdo përpjekje për profesionalizëm, sepse ndihen të kërcënuar nga një CV e ndershme.
Ndërkohë, shtresa e ulët, ajo që mban në këmbë këtë vend me djersën e ballit dhe me taksat që i nxirren edhe nga buka e fëmijëve, paguan dëmet milionëshe eurosh te padijes dhe hajdutërisë së tyre. Miliona euro të humbura nga gabime trashanike, që as drejtësia nuk i sheh më, sepse janë bërë “rutinë institucionale”.
U shemb një fshat i tërë në Theth, askujt nuk i hyri gjemb në këmbë
Asnjë ndëshkim. Asnjë përgjegjësi. Madje, shpërblime! Sepse në këtë republikë nuk ka rëndësi sa di, por kujt i shërben.
Administrata shqiptare sot është bërë një trup i dhjamosur nga privilegjet dhe ushqyer me gjakun e popullit. Janë si vezët e prishura në një gjellë , që ta shpifin.
Ndaj herën tjetër kur të prisni orë të tëra për një shërbim banal, kur të ju humbasin dokumentet, ose kur të dëgjoni për një tjetër skandal financiar në shtet, kujtoni…. kjo nuk është rastësi. Është sistemi. I ngritur për të shpërblyer budallallëkun dhe për të vrarë meritën.
Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë zyra. Ka nevojë për më pak servilë dhe më shumë profesionistë. Por me këtë kastë, edhe zyrat po rrënohen… bashkë me shpresën.
Rifat Kullolli




