Një dokument i siguruar, i datës 9 mars 1997, në kulmin e trazirave që përfshinë vendin, hedh dritë mbi një prej momenteve më të errëta të funksionimit të shtetit shqiptar.
Shkresa, e firmosur nga krerë të lartë të ushtrisë Bashkim Gazidede dhe Adem Copani, urdhëron mobilizimin urgjent të rezervistëve në veri të vendit.
Në të kërkohet që ata të paraqiten menjëherë në repartet ushtarake, të vishen me uniforma, të armatosen dhe të nisen urgjentisht drejt Akademisë së Forcave Tokësore në Tiranë.
Ngjarja zhvillohet në një periudhë kur Shqipëria ishte në prag kolapsi total, pas shpërthimit të revoltave popullore dhe rënies së firmave piramidale. Në krye të shtetit në atë kohë ishte presidenti Sali Berisha, sot kryetar i PD në opozitë.
Përmbajtja e dokumentit ngre dyshime serioze mbi qëllimin real të këtij mobilizimi.
A ishte kjo një përpjekje për të rikthyer rendin në një vend që po rrëshqiste drejt kaosit?
Apo kemi të bëjmë me një strategji më të rrezikshme, ku strukturat shtetërore synonin të organizonin një përballje veri-jug?
Hipoteza që lind natyrshëm është nëse mobilizimi i rezervistëve nga veriu kishte për synim ndërhyrjen në jug, ku revolta kishte marrë përmasa të pakontrollueshme.
Një skenar i tillë do të përbënte një rrezik real për përshkallëzim në një konflikt të brendshëm me ndarje krahinore, një plagë që do të kishte pasoja të rënda për unitetin kombëtar.
Kjo shkresë zyrtare që asokohe ishte sekret, u publikua nga Petro Koçi, ish Ministër i Rendit Publik dhe një nga figurat e angazhuara në protestat kundër firmave piramidale në Fier në vitin 1997.
Në reagimin e tij, Koçi shkruan se shkresa tregon rrugaçërinë përçarëse shtetërore të regjimit të Bsrishës.
Nuk ka prova të drejtpërdrejta që konfirmojnë një plan të mirëfilltë për luftë civile por konteksti koha dhe mënyra e organizimit ngrenë pikëpyetje të forta mbi qëllimet reale.
Gjatë trazirave të 1997 por edhe më pas numërohen afro 2 mijë të vrarë dhe 3500 të plagosur dhe mijëra familja që u shkatërruan ekonomikisht nga firmat piramidale.




