17.9 C
Albania
Thursday, April 16, 2026
Google search engine
HomeHistoriHavzi Nela dhe litari në sheshin e shqiptarëve(Si sot, 37 vite nga...

Havzi Nela dhe litari në sheshin e shqiptarëve(Si sot, 37 vite nga ekzekutimi i poetit)

Havzi Nela dhe litari në sheshin e shqiptarëve
(Si sot, 37 vite nga ekzekutimi i poetit)

Më 10 gusht 1988, në sheshin qendror të Kukësit, u var një njeri. Jo thjesht një burrë!
Por një poet dhe mësues që guxoi të mos heshtë para diktaturës më të egër në Europë. Ai quhej Havzi Nela.

Varja e tij nuk ishte vetëm akt kriminal. Ishte mesazh frike dhe nënshtrimi për të gjithë shqiptarët që ëndërronin liri dhe drejtësi. Në një vend ku fjala e lirë ishte krim, Nela pagoi me jetën sepse refuzoi të bëhej vegël e tiranisë.

37 vjet më pas, Shqipëria ka ndryshuar rrugë dhe formë, por litarë të rinj janë shtrirë nëpër institucione dhe ndërgjegje. Nuk ka më litarë në sheshe, por ka heshtje të imponuara, mësues të detyruar të bëhen zëra të propagandës dhe intelektualë që mbahen në hije ose në duart e pushtetit.

Heshtja e sotme, nuk është thjeshtë mungesë zëri. Ajo është një armë e fshehtë që vret ngadalë shpirtin e këtij vendi. Është gisht që tregon drejt kujtesës historike, aty ku shkojnë të vendosen emrat e heshtanakëve dhe të kompromistëve.

Ata që sot zgjedhin të heshtin para padrejtësisë, apo bëjnë kompromis me pushtetin duke mbuluar me heshtje krimet e vogla dhe të mëdhatë, janë po ata që nesër do të jenë të shkruar me germa të zeza në librin e këtij kombi.

Historia nuk fal asgjë dhe nuk harron askënd. Ajo kujton me ftohtësi, si ata që varën Havzi Nelën, ashtu dhe ata, që në heshtje e kanë lejuar të shuhej çdo shpresë për një Shqipëri të lirë dhe të ndershme.

Për ata, gishti i kujtesës do të jetë i pamëshirshëm. Sepse më keq se një litar që mbyt trupin, është heshtja që mbyt shpirtin dhe ndërgjegjen.
A nuk ka ardhur koha që t’i ndalojmë “litarvënësit” e sotëm…?!
Jo vetëm t’i përmendim me emra në rrjetet sociale, por t’i përjashtojmë nga çdo vendimmarrje publike?
Kjo nuk është luftë klasash, as hakmarrje personale. Është thjesht Drejtësi.
Drejtësi për Havzi Nelën dhe për të gjithë ata që kanë paguar me liri dhe jetë për fjalën e lirë.
Drejtësi për Shqipërinë që kërkon të ngrihet mbi heshtjen dhe poshtërimin e vlerave.

Si mbyllje, le të dëgjojmë zërin e tij të pambytur

“Kur më nxorrën në shesh me litar në qafë,
Nuk kërkova falje as nga toka, as nga qielli,
Se zemra ime s’ishte e ndaluar për liri,
Dhe fjalët që thashë do t’i dëgjojë brezi.”

Këto vargje janë thirrje dhe kujtesë se fjala e lirë jeton më shumë se litarët dhe frika.
Ajo êshtë përgjegjësia që na takon sot të mbajmë gjallë, për të ndërtuar një Shqipëri ku liria nuk vritet në heshtje.

Irma Marku

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat