Gjermania është e shokuar me vdekjen e saj, ajo ishte një prej sportisteve më të njohura gjermane të dy dekadave të fundit. ]
Biatletja Laura Dahlmeier, një prej sportisteve më të njohura të Gjermanisë në këtë shekull, ka vdekur në një aksident të rëndë në malet e Pakistanit më 28 korrik.
Pas përfundimit të karrierës aktive si sportiste, Laura merrej me pasionin e saj të dytë më të madh. Kësaj radhe ishte duke u ngjitur në majën Laila, në lartësi prej 6,069 metra, në malet Karakoram të Pakistanit.
Por sportistja model nga Garmisch-Partenkirchen u godit diku në lartësinë prej 5.700 metra nga një shkëmb dhe u rrëzua në thellësi.
Partnerja e saj sportive telefonoi menjëherë shërbimet e emergjencës, por për shkak të largësisë së zonës tepër të vështirë, helikopteri i shpëtimi nuk mundi të arrinte në vendngjarje deri në mëngjesin e 29 korrikut.
Dyshohet se Laura kishte vdekur menjëherë. Dëshira e saj ishte që trupi i pajetë (në qoftë se gjatë ngjitjeve përjeton ndonjë aksident) të mbetet aty ku ka përjetuar aksidentin dhe që të tjerët të mos rrezikojnë jetën.
Laura Dahlmeier ishte fituese e shumë titujve dhe medaljeve olimpike, botërore dhe e shumë garave. Ishte një prej sportisteve më të njohura në sportet e dimrit në Gjermani, Evropë dhe botë në këtë shekull.
Shkruan Bari Cani




