O ANA
Ese
Studentët e viteve ‘80, pjesë e të cilëve jam edhe unë, ishin ndoshta nga brezat më të mirë, aq sa mendoj ti cilësoj pararendësit e ndryshimeve të pak viteve më pas.
Duke udhëtuar me makinë për kafen e mëngjesit, në mënyrë instiktive vendosa në Youtube një këngë të një grupi që dukej sikur ishte për Adrenalinën tonë, djemtë e “Srebrna krila” dhe e famshmja hiti i verës së vitit 1981 “O Ana”.
“Srebrna krila”, ( Krahë argjendi), është një grup pop-rock kroat nga Zagrebi. Ata ishin të njohur në Kroaci, dhe në republikat dhe provincat e tjera të ish-Jugosllavisë. Pak ditë këndoi me ata edhe Daniel Popoviç, i cili fitoi vendin e katërt në një festival Evropian me këngën e famshme “Dźuli” (Xhuli). Por ishte koha e rivalitetit të madh serbo-kroat dhe Kalember, lideri i grupit, e përzuri Popoviçin, një malazes, pse deklaroi që një vit do këndonte me ta.
Koha kur përplasjet në fushën e basketbollit prodhonin konflikte fizike të përgjakëshme midis Cibona të Zagrebit, Jugoplastika të Splitit dhe Partizanit të Beogradit, apo Crvena Zvezdës.
Ata ishin grupi i parë i vërtetë kroat i djemve. Në ato vite kuptoja aq sa kisha dëgjuar në eter se kroatët dhe sllovenët nuk donin të ishin pjesë e Jugosllavisë së Millosheviçit. Emra si kroatët Stipe Shuvar, Stipe Mesiç dhe sllovenët Milan Kuçan apo Janezh Dernovshek, udhëheqësit më të lartë të këtyre republikave të pasura, ishin përkrahës seriozë të çështjes së Kosovës dhe në këto vite lindi Srebrna Krila, (1978) me
Kalember
Dado Jelaviç
Slavko Pintarić-Pišta (që nga viti 1981).
Më vonë erdhën edhe emra të tjerë.
Midis të tjerave dy këngë të tyre, si “Milena” dhe “Ana”, konsideroheshin hite edhe te studentët e Tiranës. Ishim të dashuruar me këta emra vajzash të hyjnizuar në këto këngë.
Anat e asaj kohe ishin “të kërkuara”, po edhe ato e përfaqësonin denjësisht atë emër që e mbanin Ana Frank, Ana Karenina, Ana Magnani, apo personazhi Ana në filmin “Më fal” luajtur nga Antonella Lualdi.
Kulmi i suksesit të grupit ishte në 1983 në Moskë. Për dhjetë ditë, ata shitën gjithsej 250,000 bileta.
Që nga viti 1986, tastieristi Mustafa Ismailovski-Muc mori drejtimin e grupit dhe Kalember iu përkushtua karrierës solo. Me albumin e tij debutues, ai theu të gjitha rekordet e shitjeve dhe u bë albumi debutues më i shitur me 620,000 kopje.
Nuk e kam kuptuar pse këngët e Jugosllavisë së asaj kohe kishin një muzikë “të rëndë”, ku kitara elektrike dominonte dhe të godiste në shpirt duke e çuar adrenalinën në qiell.
Kitara elektrike në sytë e mi ishte ndryshimi që donim, ishte Perëndim në Lindje, vektori me kahje që na terhiqte drejt Perëndimit.
Arti i drejtohet zotësive të mendjes, që janë shumë të rrezikëshme, imagjinatës dhe ndjeshmërisë që e bëjnë ekuilibrin të prishet dhe jetën të çrregullt.
Kur fillonte “O Ana”, qyteti Studenti gumëzhinte nga radiot dhe zërat tanë, që në rëfren këndonim pa vetëdije.
Zëri, si teh brisku i ndryshkur, i Kalember tek “Ana” thërriste lirinë, bashkë me zërat e tillë të Joe Cocker, apo Zuchero.
A ishte “O Ana” vetëm adrenalinë, apo edhe liri?
Derisa këndonim këngë të huaja, ishte dëshira për liri. Gjatë gjithë historisë njerëzore binomi dashuri-liri ka qënë i pandarë dhe më i fuqishmi i shpirtit njerëzor.
Vokacioni artistik është shumë i rrezikshëm, dominues, të cilit pak njerëz mund ti rezistojnë.
Preludi i antikonformizmit të kohës së Perëndimit, që do ta perifrazoja me stilin “Unë shijoj një pije të pagatuar kurrë” të Emily Dickinson.
O, Ana, o, Ana
O, Ana, tugo mojih dana
O, Ana, o, Ana
O, Ana, tugo mojih dana
Nëse Zoti do të më kërkonte të më plotësonte një dëshirë, do ti kërkoja të më kthente edhe njëherë student me po të njëjtën biçikletë (vietnameze), po të njëjtat këngë dhe po të njëjtin Çelentano. Unë gjithmonë kam besuar se Zoti nuk është ateist.
Nuk ishin kohët kur deklarata dashurie të përjetëshme fashiteshin me gjumin dhe rishfaqeshin të nesërmen të mjegullta, të largëta, të pamundura.
Ishin kohët kur mund t’i drejtoheshim vajzave me classin poetik dhe t’i trajtonim si nimfa me vargjet e Nerudës për Beatriçen e tij.
Lakuriq je e kaltër si nata në Kubë,
Ke yje ndër flokë.
Lakuriq je madhështore dhe e verdhë
si vera në një kishë të artë.
“Ana” edhe sot, nëse e dëgjoni, do t’iu dërgojë në një botë paralele me këtë që jetojmë.
ANA
Akull në zemrën time
dhe ar në buzët e mia
Nga puthja jote,
kur më bëre dhuratën e zotërimit.
Oh, Ana, oh, Ana
Oh, Ana, trishtimi i ditëve të mia
Oh, Ana, oh, Ana
Oh, Ana, trishtimi i ditëve të mia.
Më dhemb zemra
sepse ende ëndërroj imazhin tënd
Kur u largove,
një klithmë mbeti në buzët e mia.
Oh, Ana, oh, Ana
Oh, Ana, trishtimi i ditëve të mia
Oh, Ana, oh, Ana
Oh, Ana, trishtimi i ditëve të mia.
Kastriot.Fetahu.
BOSTON 07/28/2025




