16.5 C
Albania
Saturday, April 18, 2026
Google search engine
HomeOpinionFest ka malsori!

Fest ka malsori!

MALSIA DIGJET:
BASHKIA KRIHET!
MALSIA THAHET:
BASHKIA HEDH VALLE!

“Fest Folk 2025” – Një festë me daulle mbi flakët e Malësisë së Madhe:

Çfarë paradoksi!
Në një Malësi të djegur nga zjarret, ku mungon uji për të pirë, për të vaditur, e ku netëve priten dritat si në mesjetë, Bashkia Malësi e Madhe dhe kryetari i saj, Tonin Marinaj, kanë zgjedhur të organizojnë… Festë popullore!
“Fest Folk 2025” – një lavdi folklorike me këngë burimore e muzikë qytetare, e ngritur sipër vuajtjeve të përditshme të një populli të harruar.
Po ç’të festojë Malësia, z. Marinaj?

A të festojë thatësirën që po e shkreton tokën dhe kafshët?
A të festojë mungesën e investimeve në infrastrukturë ujore?
A të festojë korrupsionin që ia ka shkulur rrënjët shpresës në çdo fshat?
Apo të festojë zjarret që po hanë pyjet, tokat dhe të ardhmen?

Në qendër të Koplikut, nesër me datën 29-07-2025 në orën 19:30, do të ngrihet skena.
Mikrofonët do të jenë gati. Artistët do të këndojnë këngë që flasin për trimëri, për tokë, për dashuri dhe për lavdi.
Por lavdia e dikurshme sot është shndërruar në heshtje të rëndë, në lot të fshehur, në valixhe emigrimi. Dhe në këtë dramë të përditshme sociale, kryetari Marinaj zgjedh t’u japë malësorëve valle dhe muzikë, në vend të zgjidhjeve.

Një popull që nuk ka ujë të pijë nuk ka nevojë për koncert!
Një nënë që nuk ka ç’t’i japë fëmijës për të ngrënë nuk ka nevojë për bilbila folklorikë!
Një fermer që shikon tokën e tij të djegur nuk ka nevojë për këngëtarë qytetarë me mikrofon!

Le ta themi troç:
Kjo nuk është festë, por fyerje.
Është tallje me gjendjen reale të Malësisë së Madhe.
Një farsë që kërkon të mbulojë dështimin total të pushtetit vendor në përballjen me hallet dhe krizat që po shkatërrojnë jetën e malësorëve.
Kur pyjet, tokat digjen, kur kanalet tharë, kur pleqtë rrinë pa ndihmë dhe të rinjtë ikin në Gjermani, ju vendosni t’i joshni me daulle e flauta!

A jeni vërtet kaq të shkëputur nga realiteti?
Apo jeni aq cinikë sa të mendoni se një natë show me artistë do t’i bëjë njerëzit të harrojnë se ju i keni lënë pa ujë, pa energji, pa rrugë, pa mbështetje?

Malësia ka nevojë për projekte konkrete:
Për rrjete vaditjeje, për ujësjellës funksionalë, për mbrojtje ndaj zjarreve, për shëndetësi dhe arsim.
Malësia ka nevojë për përfaqësim dinjitoz, për një kryetar që nuk i këndon krizës, por i del përballë.

Ndaj nesër, kur të ndizet skena, mos harroni se zjarret s’janë vetëm në male – ato po djegin edhe dinjitetin tuaj si pushtetarë.

Kjo nuk është “Fest Folk” – kjo është “Fest Faj”!

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat