14.3 C
Albania
Friday, April 17, 2026
Google search engine
HomeAktualitetDUAM DIALOG NUK DUAM LUFT:

DUAM DIALOG NUK DUAM LUFT:

“Thethi është i gjithë Shqipërisë” – Flet Zef Vladi, Bajraktari i Shalës: “Kulla nuk prishen me fadromë, por me marrëveshje”

Zef Vladi, një nga figurat më të respektuara të trevës së Shalës dhe bajraktar i njohur i zonës, ka reaguar ashpër pas aksioneve të fundit të ndërmarra nga qeveria për prishjen e disa ndërtimeve në Theth. Në një deklaratë të fortë e të drejtpërdrejtë, ai e ka cilësuar ndërhyrjen si të pamatur, fyese dhe të papranueshme për një shtet që pretendon të jetë demokratik.

“Thethi është i gjithë Shqipërisë. S’është vetëm i Shalës, as i Zefit, por i gjithë kombit shqiptar,” – u shpreh Vladi me ton të vendosur. “Kur pashë çfarë po ndodhte me sytë e mi, më ngjau me pamjet e Kosovës në kohën e luftës, kur serbët i turreteshin fshatrave. Të dërgosh forca speciale në një fshat malor për të shembur me fadromë, pa paralajmërim dhe pa marrëveshje, është e pabesueshme. Kjo nuk ndodh në një vend demokratik.”

“Kemi ndërtuar mbi tokën tonë, me djersë dhe me gjak”

Bajraktari i Shalës ka theksuar se ndërtimet në fjalë nuk janë uzurpime të paligjshme apo ndërtime luksoze për përfitim personal, por shtëpi tradicionale, të ngritura mbi tokat e trashëguara brez pas brezi.

“Këto prona janë tonat prej mbi 500 vitesh. I kemi me dokumente. Edhe Enver Hoxha, me gjithë diktaturën e tij, na merrte taksa për këto toka. Tani vjen shteti dhe na i shemb, pa pyetur askënd? Oficeri që fyeu banorët nuk fyeu një individ, por fyeu gjithë zonën. Ai s’ka ardhur të zbatojë ligjin, por të poshtërojë. Kjo nuk është drejtësi, është dhunë.”

“Kryeministri na tha vetë: ndërtoni!”

Vladi akuzon drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për hipokrizi dhe mashtrim, duke deklaruar se vetë ai i ka nxitur banorët të ndërtojnë dhe të zhvillojnë turizmin në zonë.

“Vetë Edi Rama ka ardhur në Theth. I ka parë shtëpitë me sytë e tij. I kemi bërë me leje, me taksa, në tokat tona. Pse i lejoi, nëse sot i quan të paligjshme? Atëherë përse na kërkoi taksa? Nuk mund të tallesh me një popull që ka vuajtur e ka derdhur gjak për të mbrojtur çdo gur të shtëpisë.”

“Kryetari i Bashkisë? Sot thotë jam i Pecajve, nesër na shemb shtëpitë”

Me zhgënjim të thellë, Vladi i është referuar edhe kryetarit të bashkisë së Shkodrës, duke kujtuar se ai ka ardhur nga një prej fiseve të zonës, por ka tradhtuar rrënjët e tij.

“Ky kryetar bashkie që sot firmos për të na shembur kullat, dikur na thoshte jam i Pecajve. Tani vepron si armik, jo si vëlla. A i kujtohet çfarë do të thotë burrë fjale? A e di çfarë peshe ka fjala në veri? Kulla nuk prishet me urdhra, por me mirëkuptim dhe bisedë.”

“Mos na provokoni! Diaspora dhe Dukagjini janë gati”

Vladi paralajmëron se nëse nuk tërhiqet shteti nga kjo fushatë që ai e quan “shtetërore kundër maleve”, do të ketë një reagim masiv të diasporës shqiptare dhe të gjithë Dukagjinit.

“E gjithë diaspora është në krahun tonë. Janë gati të vijnë e të na ndihmojnë. Nëse nuk hiqni dorë nga kjo marrëzi, do njoftojmë të gjithë Dukagjinin, dhe do i keni këtu. Mos luani me durimin e njerëzve që nuk kërkojnë luftë, por nuk dinë as të heshtin kur u prishen shtëpitë.”

“Duam dialog, jo përplasje”

Në fund, bajraktari bën thirrje për reflektim dhe dialog. Ai i drejtohet shtetit me një mesazh të qartë: shtëpitë, historitë dhe djersa e malësorëve nuk janë për t’u poshtëruar.

“Këto kulla i kemi ngritur me mund, i kemi mbrojtur me gjak. Mos na i prekni! Nuk duam konflikt, nuk kërkojmë përplasje. Jemi vëllezër, duam dialog. Nëse shteti është i mençur, do na dëgjojë. Nëse jo, do përballet me një zemërim që nuk shuhet me propagandë televizive.”

Ky reagim vjen në një moment tensioni të madh mes komunitetit vendas dhe institucioneve shtetërore. Thethi, zemra e Alpeve shqiptare, po bëhet arenë përplasjesh, jo për shkak të ligjit, por për shkak të arrogancës dhe shpërfilljes që po shfaqet ndaj një zone simbol të shpirtit shqiptar.

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat