23.1 C
Albania
Saturday, April 18, 2026
Google search engine
HomeOpinionAvukati si barrë në drejtësi!

Avukati si barrë në drejtësi!

“Avokati hyn me qytetarin, prokurori me gjyqtarin, kush është vërtet palë në këtë proces?”

Në gjykatat tona, barazia para ligjit është një slogan i bukur për postera dhe konferenca, por në praktikë është një shaka e hidhur që luhet çdo ditë, dhe avokatia është viktima më e heshtur e kësaj komedie të zezë.

Në një realitet të përditshëm dhe të shëmtuar, prokurori ka jo vetëm leje për të hyrë nga dera e brendshme, por edhe një ndjenjë të lindur pronësie mbi korridoret, zyrat, madje edhe mbi kafen e gjyqtarit.

Ai nuk pyetet kush je dhe pse je. Hyn, rri, flet, sheh dosje, merr informacion dhe ndonjëherë edhe “diskuton” çështje që ende s’kanë hyrë në sallë. Duket si ndihmësgjyqtari pa togë por me pushtet.

Ndërkohë, avokati, që përfaqëson të drejtën e qytetarit për një mbrojtje të ndershme, pret jashtë si një vizitor i paftuar. Thirret me radhë, futet nga dera e publikut, shfaqet para gjykatës dhe përballet me një sistem që e sheh me mosbesim.

Gjyqtari e njeh prokurorin që në shkollë, ndajnë korridoret prej vitesh. Avokati është “i jashtëm”, një faktor që duhej të respektohej, por trajtohet si një barrë e domosdoshme.

Po si mund të quhet kjo barazi?

Nëse mënyra se si hyn në gjykatë përcakton edhe mënyrën se si dëgjohesh, atëherë kemi ndërtuar një sistem drejtësie ku prokurori ka statusin e “banorit të përhershëm”, ndërsa avokati është “vizitor me afat”, dhe shpesh i padëshiruar.

Në një shtet që pretendon reforma në drejtësi, ku avokati është pjesë thelbësore e procesit, ai është i vetmi që nuk ka as zyrë në gjykatë, as qasje institucionale, as ftesë për kafe. Ai ka vetëm përgjegjësinë për të mbrojtur qytetarin në një sistem që e ka bërë palë të pafuqishme.

Prokurori flet me gjyqtarin në zyrë. Avokati flet nga banka e sallës. Prokurori hyn pa trokitur. Avokati pret të thirret. Prokurori shoqërohet nga sistemi. Avokati shpesh përballet me të.

Kjo është drejtësia shqiptare me dy standarde, dy dyer dhe dy realitete.Një për ata që janë “brenda”.
Dhe një tjetër për ata që janë me qytetarin.

Drejtësia që hyhet nga dera e pasme, nuk është drejtësi. Është sistem, është privilegj, është farsë.

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat