22.5 C
Albania
Saturday, April 18, 2026
Google search engine
HomeSocialeNga kompleks sportiv për qytetarët - Në hotel për miljonerët:

Nga kompleks sportiv për qytetarët – Në hotel për miljonerët:

Në Korçë po luhet një nga aktet më të rënda të abuzimit me pronën publike dhe dinjitetin qytetar. Një tokë që iu mor pronarëve për të ndërtuar një kompleks sportiv publik, sot po jepet me qira qesharake – vetëm 1 euro në total – për ndërtimin e një hoteli luksoz me 5 yje, në favor të tre nga biznesmenët më të fuqishëm të Shqipërisë.

Gjithçka filloi me një vendim të Këshillit Bashkiak të Korçës, që shpronësoi pronarët për një projekt komunitar. Çmimi i shpronësimit: 8500 lek/m². Kostoja për qytetarët: rreth 900,000 euro të dala nga buxheti publik i Bashkisë Korçë.

Por në vitin 2020, trualli iu kalua Ministrisë së Turizmit, dhe tani, me vendim të qeverisë shqiptare, kjo tokë po jepet me qira simbolike – vetëm 1 euro në total për dekada të tëra.

Po, 1 euro për gjithë truallin. Kjo nuk është qira. Kjo është një falje e maskuar, një shpërblim politik dhe klientelist me pasurinë e qytetarëve dhe në kurriz të komunitetit.

A e dini çfarë është më e rëndë?

Ky hotel do të ndërtohet në një qytet ku ekzistojnë qindra hotele, bujtina dhe struktura turistike, të ngritura me shumë mund e sakrificë nga banorët vendas. Ky “investim strategjik” nuk do të sjellë zhvillim të balancuar – përkundrazi, do të shkatërrojë konkurrencën e ndershme, do të godasë bizneset lokale dhe do të përqendrojë fitimet në pak duar.

Kjo është një padrejtësi e shumëfishtë:
– Ndaj pronarëve të tokës, të cilëve iu mor prona me çmim të ulët për një qëllim që nuk u realizua.
– Ndaj qytetarëve të Korçës, që paguan me taksat e tyre për një truall që sot u jepet privatëve për hiçgjë.
– Ndaj sipërmarrësve lokalë, që nuk kanë parë as ndihmë, as lehtësira, as privilegje, por tani do përballen me një hotel të mbështetur nga shteti.

Ky është një projekt që përfiton nga paratë tona, nga prona jonë, por nuk i kthehet askujt prej nesh.

Prandaj sot pyesim publikisht:

– Pse një biznesmen paguan vetëm 1 euro për tokë publike, kur qytetari i zakonshëm s’merr asnjë metër pa kredi e hipotekë?
– Pse prona që u mor për komunitetin po i jepet luksit privat?
– Ku është drejtësia për pronarët, për taksapaguesit, për qytetin?

Kjo nuk është strategji zhvillimi.
Kjo është strategji plaçkitjeje.

Korça nuk është për t’u falur.

Korça është e qytetarëve të saj. Dhe qytetarët nuk do të heshtin.

Genci Shehaj

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat