22.5 C
Albania
Saturday, April 18, 2026
Google search engine
HomeSocialePjekuria emocionale:

Pjekuria emocionale:

Udhëtini drejt pjekuria emocionale, përmes urtësisë e butësisë së arsyes

Pjekuria emocionale lidhet me aftësinë e individit për të kuptuar, rregulluar dhe shprehur emocionet në mënyrë të balancuar, të përgjegjshme dhe të përshtatur me kontekstin shoqëror. Ajo është forma më e thellë e stabilitetit të brendshëm dhe reagimit etik, si ndaj ndjenjave personale ashtu edhe ndaj atyre të të tjerëve.

Nga perspektiva filozofike, pjekuria emocionale mund të shihet si integrim i arsyes dhe emocionit. Pra, si gjendje ku emocionet nuk janë as të shtypura dhe as të pakontrolluara, por kuptohen dhe udhëhiqen nga arsyeja. Këtu përafrohen mendimet e Aristotelit, Spinozës, madje edhe mendimtarëve modernë si Martha Nussbaum, të cilët argumentojnë se emocionet janë moralisht të rëndësishme dhe mund të stërviten përmes reflektimit dhe praktikës etike.

Aristoteli besonte se asgjë ekstreme nuk mund të jetë e virtytshme. Prandaj, ai propozoi teorinë e mesit të artë, ku pjekuria emocionale është aftësia për të arritur këtë ekuilibër përmes shprehisë dhe mençurisë.

Spinoza besonte se ne e arrijmë lirinë personale, kur i kuptojmë emocionet tona dhe nuk veprojmë më si skllevër të tyre. Pjekuria emocionale, pra, është zotërimi racional i pasioneve tona dhe jo eliminimi i tyre.

Martha Nussbaum argumenton se emocionet janë pjesë e gjykimit moral dhe pasqyrojnë atë që na intereson. Pjekuria emocionale përfshin kultivimin e emocioneve të duhura, sidomos kultivimin e dhembshurisë dhe pikëllimit, në mënyrë që të mund të mbështesin atë çka është e drejtë dhe ndërlidhet me dinjitetin njerëzor.

Pjekuria emocionale nuk është diçka me të cilën njerëzit lindin, ajo kultivohet përmes përvojës jetësore, reflektimit dhe zhvillimit të qëllimshëm të inteligjencës emocionale. Ndërsa thamë që nga ana filozofike pjekuria emocionale pasqyron harmonizimin e emocioneve dhe arsyes, nga ana e ndërveprimit social, ajo është themeli i besimit, empatisë dhe bashkëpunimit në marrëdhëniet njerëzore.

Nëse ndalemi të mendojmë sa herë na është thënë “Mos qaj!”, “Mos u mërzit për gjëra të vogla!”, “Duhet të jesh i/e fortë!”, dhe nëse i krahasojmë me shprehjet “Si ndihesh?”, “A je vërtet mirë?”, “Çfarë të shqetëson në brendësi?”, kuptojmë që të parat na janë thënë shumë më tepër.

Të rritesh në një ambient kulturor ku ndjenjat e forta shpesh fshihen, kur konsiderohen të turpshme, ose quhen dobësi, mësohesh t’i shtypësh ato e jo t’i përpunosh. I mban përbrenda, në vend që të bësh përpjekje për të kuptuar çfarë po ndodh realisht me brendësinë tënde.

Prandaj, edhe pjekuria emocionale nuk është të mos ndjesh, nuk është as të bësh sikur je mirë kur realisht je i thyer përbrenda, nuk është as të heshtësh kur zemra buçet.

Pjekuria emocionale është kur i njohim ndjenjat tona, por nuk ua dorëzojmë timonin atyre. Është kur ndihemi të lënduar, por nuk hakmerremi, kur ndihemi të zemëruar, por nuk shpërthejmë mbi të pafajshmit. Pjekuria emocionale është të gjesh mënyrën të jesh i butë me veten, sidomos kur ndihesh i trishtuar, i dërrmuar apo i pashpresë.

Kjo pjekuri kërkon guxim për ta parë veten pa justifikime, e duke i përshpëritur asaj: Jam duke ndier diçka që nuk më pëlqen, por s’kam pse t’ia transmetoj këtë ndjesi të tjerëve. Unë mund ta kuptoj, ta përballoj dhe ta menaxhoj vetë këtë ndjesi që nuk është e duhura. Analizimi i drejtë në një moment paqeje me veten na bën ta zbërthejmë vetë këtë ndjesi jo të mirë.

Pjekuria mësohet, nuk është diçka që na jepet nga natyra. Ajo lind pikërisht atëherë kur para se të reagojmë, ndalemi dhe pyesim veten: “Çfarë po ndjej? Pse po e ndjej këtë? Si mund ta shpreh në mënyrë që të mos lëndoj as veten, as të tjerët?”

Në këtë udhëtim, nuk ka perfeksion, ka përpjekje, kthime pas, falje ndaj vetes dhe rifillim.

Duhet të kuptojmë që të jesh emocionalisht i pjekur nuk do të thotë të mos ndjesh, por të mësosh si t’i mbash ndjenjat në duar, pa i hedhur mbi botën. Sepse bota ka nevojë për njerëz që nuk janë të ftohtë, por të thellë, për njerëz që nuk mbajnë maska, por që guxojnë të kuptojnë veten për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme, për njerëz që dinë të ndjejnë pa u shkatërruar nga ndjenja.

Pjekuria emocionale u lejon individëve të bazohen në moral, të marrin përgjegjësi sociale dhe të jenë elastikë nga ana psikologjike, duke jetuar me mençuri, dhembshuri dhe duke falur dashuri në këtë botë, ku njerëzit po bëhet gjithmonë edhe më të ftohtë.

Alma Lamçia

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat