“Kur ‘rrushi’ i opozitës u bë verë e vjetër në kantinën e PS-së”:
Edi Rama e ka kuptuar prej kohësh një të vërtetë që pjesa tjetër e politikës shqiptare ende bën sikur nuk e kupton:
Që në këtë vend nuk fitohet me ide, me programe apo me moral politik.
Fitohet me metafora, me fabulime epike dhe, mbi të gjitha, me një dozë të trashë ironie që i shkon aq bukur një audience që më shumë dëshiron të qeshë me fatin e vet sesa të përballet me të.
Në fjalimin e tij të fundit, në kulmin e euforisë pas “fitoreve” të 11 majit, ai e tha thjesht dhe bukur:
“Kur ata zgjoheshin dhe thonin rrush, ne kishim mbushur koshat.”
Ka ndodhur një mrekulli retorike këtu.
Rama jo vetëm që e përdori një nga frutat më të përfolura në traditën shqiptare për metaforë politike, por e vuri edhe në kontekstin e një gare zgjedhore.
Opozita zgjohet në mëngjes, freskohet me ujë të ftohtë, pi një kafe turke të hidhur, shikon sondazhet me trishtim dhe pastaj belbëzon një fjali të vetme:
“Rrush…” Ndërkohë, në rrugët e Rilindjes, makinat e PS-së, si karrocat e vjelësve modernë, kanë mbushur që në agim koshat me “frytet e demokracisë”.
Ironia e Ramës nuk është thjesht personale, është filozofike.
Ai e trajton opozitën si një komunitet gjumashësh kronikë, që kur përpiqen të zgjohen, kanë kaluar të gjitha mundësitë.
Ndërsa opozita mban fjalime për “kapjen e shtetit”, “parregullsitë e votës”, dhe “shpresën për ndryshim”,
Rama i mbledh këto slogane në një thes dhe ua shet sërish qytetarëve si prova të paaftësisë së tyre.
E kur humbasin, u thotë me një buzëqeshje tinzare:
“Nuk është faji juaj që nuk fituat, është faji ynë që fituam shumë mirë.”
Kjo është retorika e një mjeshtri:
Ta bësh humbësin të ndihet fajtor për fitoren tënde.
Dhe ta bindësh se nuk ka më asgjë që mund të bëjë, përveçse të zgjohet herët e të bërtasë emra frutash.
Çfarë ndodhi me 200 mijë votat që munguan?
Sipas Ramës, ato janë thjesht prova e mungesës së punës së opozitës, e mosorganizimit, e gjumit të gjatë.
Por në të vërtetë, ato 200 mijë vota janë rrëfimi më i qartë i asaj që Rama përpiqet të fshehë me metafora.
Janë votat e një mase njerëzish që nuk e panë më asnjërën palë si zgjidhje.
Janë votat e të zhgënjyerve, të të lodhurve, të atyre që e dinë se “koshat” nuk mbushen nga puna, por nga pushteti.
Kjo është ironia më e thellë:
Ndërsa Rama tallet me opozitën, me ritmin e saj të ngadaltë dhe me zgjimet e vonuara, ai nuk flet kurrë për mënyrën se si pushteti i tij ka përfituar nga asfiksimi i alternativës.
Nëse koshat janë mbushur, pyetja që duhet të bëjmë është:
Me çfarë janë mbushur?
Me rrush? Apo me kartonë, me patronazhistë, me kontrata publike të shpërndara si karamele në festa fshati?
Kush është më për të ardhur keq:
Ai që humbet, apo ai që fiton kështu?
Opozita shqiptare ka bërë një sport kombëtar nga humbjet.
Edi Rama e di këtë.
Prandaj dhe e përdor ironinë si shpatë.
Ai nuk i sheh ata si kundërshtarë politikë, por si figurantë në një skenar që e shkruan vetë. E kur ata guxojnë të flasin për “vjedhje votash”, ai nuk i padit, nuk i kundërshton.
Jo. Ai u thotë:
“E keni fajin ju, që ne i fituam.”
E ndoshta, në një farë mënyre, ka të drejtë.
Sepse në politikën shqiptare, ku përballja e ideve është zëvendësuar nga gara e metaforave dhe batutave, fiton ai që e ka më të mprehtë thumbin.
Dhe në këtë lojë, opozita ende kërkon rrushin…
në kohën kur tavolina është zbrazur, gotat janë mbushur me verë, dhe fatura i ka shkuar popullit.
Në fund të fundit, ndoshta Shqipëria nuk ka më nevojë për opozitë.
Mjafton një fjalim i Ramës në muaj dhe e gjithë shoqëria e kupton se kush është fajtor për çdo gjë:
Gjithmonë tjetri.
Opozita për mungesën e votave.
Populli për korrupsionin.
Evropa për dështimet në integrim.
Dhe historia?
Historia do ta shkruajë fituesi…
me një kosh të mbushur plot metafora dhe vota.
Në këtë vend, kush zgjohet vonë, nuk gjen rrush.
Gjen Ramën.
Tashmë edhe me një kantinë të vetën politike.




