Në këtë shtjellim do të fokusohem te të brendshmet tradicionale të grave të Grenlandës Lindore, një veshje që sot do ta quanim “tanga”. E quajtur naatsit, kjo copëz intime vishjej brenda tendave, shpesh si e vetmja veshje kur gratë ishin në shtëpi apo vizitonin të afërm. Eksploruesit e hershëm kanë dokumentuar përdorimin e saj me kureshtje dhe habi, duke përshkruar se, pavarësisht ngricës jashtë, jeta brenda tendave ishte e ngrohtë e intime.
Naatsit bëhej nga lëkura e fokës, me ose pa qime, dhe qepej me fije të përfituara nga tendinat e drerëve apo të balenave. Forma ndryshonte disi nga njëra kulturë te tjetra, por gjithnjë përshkohej nga estetikë, fijet anësore stoliseshin me rruaza të imëta që pasqyronin dritën në mënyrë delikate. Kujdesi për trupin nuk mungonte as në këto kushte. Gratë nuk mbanin shumë flokë, dhe ato pak qime hiqeshin me piskatore të posaçme prej kocke a metali.
Sa për kujdesin menstrual, edhe pse njohuritë janë të kufizuara, studiuesit mendojnë se përdorej myshk me aftësi të lartë thithëse, një zgjedhje krejt natyrore, por gjithsesi funksionale.
Ky fragment kulturor na ndihmon të kuptojmë se çfarë do të thotë të jesh i përshtatur jo vetëm me klimën, por edhe me natyrën në të gjitha aspektet e jetës, deri në intimitet.
Para se veshjet moderne të dilnin nga sallonet e modës për të kapërcyer botën e ngrirë dhe të zinin vend në Arktik, gratë indigjene të rajoneve të ftohta, që shtrihen nga Skandinavia Veriore nëpër Groenlandë, Siberi e deri në Amerikën e Veriut, përballonin temperaturat ekstreme me një zgjuarsi mbresëlënëse. Ato vishnin shtresa të shumta prej lëkure, duke i dhënë përparësi të veçantë gëzofit të fokës, i cili, përveçse ishte i ngrohtë, ishte ajrosës dhe i papërshkueshëm nga uji, veçori që ndihmonin në parandalimin e ngrirjes së djersës. Në disa raste, mbulimi i trupit ishte aq i plotë dhe i shtresuar, sa të bënte të çuditeshe se si arrinin të ecnin, e lëre më të punonin jashtë ose të ndihmonin në ndërtimin e banesave të tyre të përkohshme.
Megjithëse u përkisnin kulturave të ndryshme, veshjet e grave indigjene paraqesin një ngjashmëri të habitshme në strukturë dhe dizajn, çizme të larta, pantallona të shkurtra, jelekë ose fustane, të brendshëm, ndonjëherë përparëse të zbukuruara, një parka të brendshme dhe një tjetër të jashtme, të rëndë. Dallimet kulturore pasqyroheshin në detajet e dizajnit, qëndisma të ndryshme, rregullimi i butonave, forma e përparëseve, gjatësia e xhaketave, si dhe aksesorë të punuar me mjeshtëri. Kjo larmi zbuluar në veshje është dëshmi e një inteligjence praktike dhe estetike të jashtëzakonshme, të zhvilluar në kushte të skajshme të të ftohtit.
Përgatiti: Albert Vataj




