Në Malësinë e Madhe, fjala opozitë ka humbur kuptimin.
Ajo është kthyer në një vegël të pushtetit, në një fasadë politike që ekziston vetëm për të krijuar iluzionin e balancës demokratike, ndërkohë që në terren realiteti është i kundërt:
Pushteti dhe opozita kanë bërë pakt me njëri-tjetrin – në kurriz të popullit.
REDAKSIA WINDOW.AL
Partia Agrare Ambientaliste, e cila zyrtarisht është pjesë e aleancës opozitare me Partinë Demokratike, në praktikë është kthyer në satelit të mazhorancës.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2023, kjo parti mori tre këshilltarë në Bashkinë e Malësisë së Madhe – një rezultat i arritur me vota të malësorve opozitarë, të zhgënjyer por ende besnikë ndaj alternativës kundër pushtetit.
Por çfarë ndodhi më pas?
Dy nga këta tre këshilltarë – njeri, drejtor i shkollës 9-vjeçare të Bajzës, dhe tjetri, drejtor i gjimnazit në të njëjtin qytet – janë emëruar nga vetë mazhoranca në detyrat e tyre.
Këshilltarët që morën votat e opozitës sot mbajnë postet që ua ka dhënë pushteti.
Ndërsa i treti, një mësuese, qëndron e fshehur në heshtje, në vend që të jetë zëri i votuesve që e besuan.
Ky është thelbi i mashtrimit politik në Malësi të Madhe:
Votat opozitare janë përdorur për të forcuar pushtetin.
Opozitarë me votë, por me rrogë të pushtetit:
Ky fenomen nuk është i ri, por është bërë normë.
Në vend që të jenë përfaqësues të qytetarëve që kërkojnë ndryshim, shumë nga të ashtuquajturit “opozitarë” janë punësuar nga pushteti, duke u kthyer në këshilltarë të heshtur, që nuk guxojnë të flasin, të kritikojnë apo të zbulojnë abuzimet.
Si mund të presësh nga një drejtor shkolle, i emëruar nga mazhoranca, që të ngrihet kundër po atij pushteti që i ka dhënë karrigen?
Kjo është kapja e opozitës lokale, një formë e re e korrupsionit politik që po shkatërron rrënjët e demokracisë.
Në vend të përfaqësimit të popullit, kemi përfaqësim të interesave personale.
Në vend të betejës politike, kemi heshtje të blerë me poste.
Në vend të opozitës, kemi bashkëqeverisje të fshehtë.
Rezultati:
Një Malësi e varfër, e harruar dhe pa zë:
Ja pse opozita nuk fiton në Malësi prej 12 vitesh.
Jo sepse populli nuk do ndryshim, por sepse ata që pretendojnë ta sjellin ndryshimin, janë bërë pjesë e sistemit që duhej përmbysur.
Ata nuk e përfaqësojnë më qytetarin, por interesat e atyre që i mbajnë në punë.
Dhe ndërkohë që pushteti blen heshtje, Malësia e Madhe po vdes ngadalë.
Sot ajo është një bashki që s’ka:
Drita të qëndrueshme,
Ujë të pijshëm të rregullt,
Transport publik,
Stadium funksional,
Bibliotekë publike,
Muze, qendër kulturore apo hapësira rinore.
Në vend të zhvillimit, ka shpopullim.
Në vend të punës, ka emigrim.
Në vend të politikës, ka pazare.
Malësia është kthyer në shembullin më të qartë të tradhtisë politike, ku opozita nuk lufton, por i jep oksigjen pushtetit që duhej ta rrëzonte.
Opozitë e vjetër, fytyra të ricikluara:
Kjo gjendje është pasojë e një sistemi të mbyllur që ka mbajtur peng vendin që nga viti 1944.
Po të ndryshojnë uniformat, fytyrat janë po ato:
Bijtë, pasardhësit, bashkëpunëtorët e një klase politike që s’e njeh më fjalën ndershmëri.
Edhe pas 1990-s, e ashtuquajtura demokraci solli vetëm riciklim të të njëjtëve, që sot ndahen në kampe të rreme, por bëjnë pazare të përbashkëta në prapaskenë.
Në Malësi, kjo ka marrë formën më vulgare të bashkëpunimit mes pushtetit dhe opozitës – me çmimin e varfërisë, izolimit dhe braktisjes së njerëzve.
Një popull i mashtruar s’mund të heshtë përjetë:
Opozita nuk mund të kërkojë më besim nëse nuk ndahet qartazi nga çdo formë bashkëpunimi me pushtetin.
Nuk mund të kërkojë më votë nëse përfaqësuesit e saj mbeten të punësuar e të varur nga po ai sistem që pretendon të luftojë.
Populli i Malësisë nuk është naiv.
Ai e di kush flet dhe kush hesht.
Ai e di kush mbron të vërtetën dhe kush mbron rrogën.
Dhe ditën që ky popull të vendosë të mos lejojë më të mashtrohet, atëherë Malësia do të ngrihet.
Deri atëherë, le të mbetet ky shkrim si akt akuze ndaj të gjithëve – pushtetit që sundon me frikë, dhe opozitës që hesht nga interesi.




