Në çdo 15 tetor, bota përkujton Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, simbolin e pavarësisë për personat e verbër dhe ata me shikim të dëmtuar. Por në Shqipëri, kjo ditë tingëllon si një ironi e hidhur. Sepse ndërsa bota flet për dinjitet, barazi dhe mundësi, ne kemi ndërtuar një realitet ku të verbërit janë të harruar, të përjashtuar dhe të poshtëruar nga shteti që duhet t’i mbrojë.
Në çdo rrugë, në çdo institucion, në çdo zyrë publike ndjehet verbëria morale e qeverisë, që prej vitesh e sheh këtë komunitet si numër në statistika, jo si njerëz me nevoja, ëndrra dhe dinjitet.
Një shkop i bardhë sot në Shqipëri nuk është simbol i pavarësisë – është simbol i mbijetesës, i një lufte të përditshme për t’u dëgjuar, për të mos u përplasur me murin e padrejtësisë dhe indiferencës.
Një vend që nuk sheh më as njerëzit e vet
Mbi 15 mijë persona të verbër në Shqipëri përballen çdo ditë me një shtet që nuk i njeh, nuk i përfshin dhe nuk i mbështet.
Nuk ka trotuare të përshtatura.
Nuk ka semaforë zanorë.
Nuk ka ndihma ekonomike që mund të quhen njerëzore.
Nuk ka punësim të denjë.
Vetëm fjalë, komisione, strategji të shkruara për sirtarë dhe konferenca me kamera për propagandë.
Asistenca që marrin është poshtëruese — një shumë që s’mjafton as për një javë ushqim, e lëre më për një jetë me dinjitet.
Në një vend ku deputetët marrin shpërblime për pjesëmarrje në komisione ku as nuk flasin, personat e verbër jetojnë me 140 mijë lekë ndihmë në muaj. Kjo nuk është ndihmë — kjo është tallje me jetën.
“Mos na shikoni me keqardhje, na shikoni si njerëz”
Ky është mesazhi që sot komuniteti i të verbërve ia dërgon qeverisë.
Në protestën e zhvilluar në Tiranë, ata kërkuan rikthimin e shërbimeve që janë prerë, rritjen e asistencës që nuk është prekur që prej vitit 2009, dhe përfshirje të vërtetë në tregun e punës.
Por a i dëgjoi njeri?
Jo.
Sepse në këtë vend, më e lehtë është të shohësh fasada betoni se sa fytyrën e njeriut që kërkon dinjitet.
Shoqëri me sy të hapur dhe zemër të mbyllur
Kjo nuk është vetëm dështim i qeverisë, është dështim kolektiv. Një shoqëri që shikon, por nuk sheh.
Që ndalon për të parë një makinë të re, por jo një njeri që ecën me shkop të bardhë.
Që ka më shumë empati për një serial televiziv se për një bashkëqytetar që përpiqet të mbijetojë mes errësirës dhe varfërisë.
Dita e sotme duhet të na turpërojë të gjithëve.
Sepse nuk është personi i verbër ai që nuk sheh — jemi ne që nuk duam të shohim.
Nuk duam të shohim padrejtësinë, përjashtimin, mungesën e politikave, dhimbjen që kemi mësuar ta injorojmë.
Koha për të hapur sytë – vërtet
Nëse ka ndonjë ditë për të folur për dinjitetin njerëzor, është kjo.
Nëse ka ndonjë moment për të kërkuar llogari, është tani.
Qeveria duhet të ndalojë turizmin e propagandës dhe të ndërtojë realisht politika për akses, arsim, punësim dhe mbështetje financiare dinjitoze.
Sepse një shkop i bardhë s’duhet të jetë simbol i mjerimit, por i dinjitetit njerëzor që shteti duhet ta mbrojë, jo ta varrosë.
Të verbrit nuk kërkojnë mëshirë.
Kërkojnë mundësi.
Dhe nëse një shoqëri nuk i jep dot mundësi më të brishtëve të saj, ajo shoqëri është vërtet e verbër.




