16 C
Albania
Saturday, April 18, 2026
Google search engine
HomeArt/KulturëFlet për Nacional shkrimtarja Blerina Pellumbi menjehere pas marrjes se Çmimit “Autorja...

Flet për Nacional shkrimtarja Blerina Pellumbi menjehere pas marrjes se Çmimit “Autorja e Vitit 2025” nga International Impakt Book Awards, në Hollywood:

BLERINA PELLUMBI : “AJO QË MË BËN MË SHUMË TË SHKRUAJ JANË EMOCIONET”
B. Pellumbi: “E shohim dhe prekim çdo ditë pandjeshmërinë apo botën e varfër shpirtërore por pikërisht këtu fillon misioni i shkrimtarit të bëjë të pandjeshmen të ndjeshme dhe të sjellë bukuri shpirtërore në të gjitha llojet e formave të të krijuarit dhe unë mendoj që në momentin që ne kemi shkrimtarë të mirë ka dhe shpresë për të shëruar këtë plagë të shoqërisë që ju vetë e shprehni në këtë formë”.
Intervistoi: Dr. Mujë Buçpapaj
I. Për vlerësimin dhe çmimin ndërkombëtar
1.Blerina, Çmimi “Autorja e Vitit 2025” I dhwnw nga International Impakt Book Awards, në Hollywood është një ngjarje e rwndwsishme. Si e përjetuat këtë vlerësim në aspektin personal, letrar dhe kombëtar?

  • B. Pellumbi: Faleminderit shumë për intervistën tuaj! Fakti që u ftova nga ju në këtë intervistë m’i shton emocionet e kësaj fitoreje. Lajmin për këtë fitore e mora natën vonë ishte ora 3. 37 minuta me orën e Francës kur poeti Kujtim Hajdari më shkroi një mesazh në mesenxher: Blerina u shpall “Autori i vitit” dhe ti je autori fitues në Roman. Në fakt nuk e kuptova as e besova dhe e pyeta përsëri: Kush fitoi Kujtim ?Ai u përgjigj: Ti je ajo, por do të marr më vonë sepse më duhet të jap intervista në televizion. Nuk munda ta besoja thjesht në sytë e mi rridhnin lot. Në fakt unë e kam ndjerë që kur kam filluar të shkruaj këtë libër që ky libër ose më saktë gruaja brënda librit ishte një fituese, ishte një grua e madhe që pavarësisht jetës një ditë ajo do nderohej, vlerësohej për forcën e saj dhe në këtë aspekt të parit të librit me syrin personal jam më shumë se sa një fituese, sepse e shoh atë grua të librit çdo ditë para pasqyrës dhe njoh në detaje forcën e saj.
    Në aspektin Kombëtar si një grua, nënë shqiptare jam tepër krenare, sepse ky libër u paraqit në konkurs si fiction për të përgjithësuar aty brënda çdo grua nënë shqiptare dhe jam mese e lumtur që sot vetë gruaja shqiptare mban këtë titull me një libër kaq të prekshëm dhe tepër interesant, siç janë dhe lotët e saj që sot ndriçojnë më shumë se kurrë edhe pse brënda tyre ka shumë dhimbje. Jam krenare që unë përfaqësoj me këtë libër gruan e vërtetë Shqiptare në një nivel ndërkombëtar dhe kjo u arrit falë punës këmbëngulse time, falë asaj ëndre të madhe që unë kisha por dhe kurajos që më dha përkthyesi i këtij libri Kujtim Hajdari. Ai ishte prezantuesi i librit në Hollywood. Kjo fitore vjen si pasojë e një humanizmi të pashoq që Shkrmtari Kujtim Hajdari tregoi duke shkuar në Hollywood vetëm disa ditë pasi ai kishte bërë një ndërhyrje kirurgjikale në zemër. Ai tregoi se mbështetja e një libri të tillë është një fitore për gjithë Shqipërinë tonë të bukur.
    2.Motivacioni i jurisë thekson “gjuhën e zemrës” dhe “forcën e shpirtit njerëzor” në romanin tuaj. Çfarë do të thotë për ju të shkruani përmes një gjuhe emocionale në një realitet gjithnjë e më racional dhe të ftohtë?
  • B. Pellumbi: Në fakt kam jetuar gjithë jetën time në këtë ftohtësirë të akullt që na rrethon, por di që brënda zemrës sime ka shumë ngrohtësi dashuri, por dhe të vërteta. Të jesh e vërtetë e drejtpërdrejtë dhe e dashur sot bën më shumë armiq se miq, unë jam e tillë por kam diçka më të çmuar se kaq flas me gjuhën e zemrës dhe shpirtit duke i bërë njerëzit të reflektojnë dhe të kuptojnë se kjo jetë është ndonjëherë më e shkurtër se një fjalë, është më e shkurtër se një gjest apo veprim i pamenduar.
    Të duash është hyjnore, të jetosh jetën në të gjitha dimensioned, por dhe pa u dorëzuar asnjëherë sfidave që të sjell jeta është akoma më hyjnore. Jam munduar t’i flas botës me gjuhën e zemrës nëpërmjet lotëve, sepse të ngjallësh emocion do të thotë të jesh njerëzor dhe unë bëra pikërisht këtë nëpërmjet zemrës sime preka zemra njerëzish duke i bërë ata të kuptojnë jetën, bukurinë e saj, qëllimin e saj por mbi të gjitha të jenë vetvetja, ta duan dhe respektojnë veten edhe sikur e gjithë bota të jetë kundër.
    Respekti që ne ju japim të tjerëve është thjesht respekt për veten, por kur këtij respekti i shtojmë dashuri duke e parë tjetrin si veten, kjo është diçka më tepër është thjesht ajo njerëzorja që po humbet çdo ditë e kjo botë po bëhet më racionale apo më e ftohtë.
    3.​Në kontekstin e globalizimit letrar, si e shpjegoni faktin që një vepër me rrënjë kaq të forta shqiptare ka arritur të rezonojë kaq fuqishëm me një audiencë ndërkombëtare?
  • B. Pellumbi: Në fakt kur e kam shkruar librin kam menduar që po shkruaja një libër të fuqishëm sepse unë njihja forcën e asaj gruaje e njihja atë në detaje dhe ajo grua isha vetë unë. Mendova ta shkruaj në vetën e parë që lexuesi të bëhej një me personazhin kryesor të cilit jo pa qëllim i vendosa emrin Dea, pastaj u përpoqa ta vesh me emocion të tillë duke e mbajtur lexuesin nga ana emocionale të lidhur me librin. Mendimi im personal është sepse tek Dea apo historia e Deas çdo kush gjen veten ,sepse Dea ka tipare universale ajo grua është një grua e thjeshtë e cila zgjodhi të dashurojë fort madje edhe të heshtë kur nga sytë e saj dilnin vetëm lot, por ajo kurrë nuk u dorëzua. Ajo dinte të donte jetën edhe pse fatkeqësitë që e ndoqën në jetë ishin të paparashikueshme apo të papranueshme. Veshja me emocion e librit e bën atë të prekë miliona zemra.
    Të japësh emocion, ashtu si ky libër të bën të qash, të qeshësh por dhe të lumturohesh është çelësi i hapjes së portave ndërkombëtare në dhënien e këtij çmimi. Gjithashtu do theksoja dhe diçka unë kam emigruar në shumë shtete kam njohur kultura të ndryshme dhe ajo që kam veçuar gjithmonë është buzëqeshja e shpirtit tonë të bukur si shqiptarë. Këtë shpirt të bukur unë e kam sjellë në libër jo vetëm për ta lexuar por më shumë për ta ndjerë qoftë dhe nëpërmjet heshtjes.
    4.​Romani “Lotët e një gruaje” është vlerësuar si një nga veprat më prekëse të vitit. Cili ishte momenti ose përvoja që ndezi shkëndijën për këtë roman?
  • B. Pellumbi: Shkëndija e vetme isha “Unë”. Kur shihja jetën që bëja, por dhe atë grua që qëndronte brënda meje, një grua me kurajo, e bukur në shpirt i thoja vetes: Ti je e veçantë, ti mundesh të bësh gjëra më të mëdha se sa lotët gjëra më të mëdhaja se sa trishtimi, dështimi apo dhe humbjes së njerëzve të mi më të dashur. I thoja vetes ti je e fortë ti tregosh botës diçka më të fortë se dhimbja që ti mban brënda teje sepse ti je vërtet e bukur në shpirt, je vajza e një babai, je motra e një vëllai, je nënë e dy fëmijëve. Këtë gjë ja thoja vetes gjithmonë edhe kur punoja mbi 12 orë në ditë madje edhe dt. 4 Tetor qe u shpall çmimi, kam punuar mbi 10 orë por përsëri buzëqeshja duke thënë: Ti do jesh Autor i vitit 2025 .Pra me pak fjalë të mos mposhtësh nga lotët është më shumë sesa një motiv për të ecur është ndjeshmëri e qënies njerëzore për të qënë të përjetshëm dhe unë dëshiroj të jem e tillë duke e bërë këtë me vepra më të mëdhaja se sa shkrimi i një libri apo fitorja e një trofeu.
    5.​Në këtë vepër, trajtoni dhimbjen, qëndresën dhe shpresën e grave shqiptare në emigracion. Si e ndërtoni ju zërin e tyre letrar pa rënë në patetikë apo viktimizim?
  • B. Pellumbi: Të ndërtosh një vepër letrare do të thotë krijosh me shpirt duke dhënë aty mesazhet më të bukura për jetën dhe në çdo detaj të shkrimit janë copëza të formimit tonë në radhë të prarë nga ana njerëzore . Unë tek ky libër duke rikrijuar veten ashtu siç isha reale e vërtetë e drejtpërdrejtë krijova dhe gruan e vërtetë ashtu si vërtet duhet të jetë një grua . Një grua duhet të dashurojë me forcë jetën pavarësisht dështimit. Një grua duhet ta dojë jetën pavarësisht vdekjes, por unë në fakt e kam përgjithësuar aty çdokush gjen veten ose një copëz të saj. Unë vetë si person nuk viktimizohem kurrë e nuk ka pse të vijtimizohesh pse nga sytë e tu dalin lot dhimbje. Dhimbja është pjesë e jetës por jo fundi i saj. Në veprën time Dea, personazhi kryesor përpiqej çdo ditë t’i fshihte lotët edhe pse ata e shoqëronin çdo ditë. Ajo dinte si të ngushëllonte veten, dinte si të luftonte çdo ditë në emër të dashurisë, dinte gjithashtu dhe si të fitonte në emër të jetës duke shëruar çdo ditë veten dhe duke i dhënë shoqërisë apo ambjentit ku ajo jetonte edhe pse në emigracion në tokë të huaj , shkëlqimin e saj shkëlqimin e një gruaje që nuk ju dorëzua kurrë dhimbjes…
    6.​Cili është raporti mes autobiografisë dhe fiksionit në këtë roman? Ku mbaron përvoja personale dhe ku fillon krijimi letrar?
  • B. Pellumbi: Libri siç e thashë pak më lart është shkruar në vetën e pare, jo pa qëllim, sepse kjo e bën autoren një me lexuesin kjo shkrirje që unë krijova nuk të lejon të shohësh se ku mbaron personalja apo ku fillon fikction, janë të ndërthurura të dyja në një formë ideale është një prozë-poezi që mua më buroi nga zemra dhe nëse lexuesi e fillon librin ta lexojë nuk e lëshon nga dora derisa ta mbarojë së lexuari, këtë ma kanë shprehur dhe lexues në USA por dhe shumë lexues shqiptarë. Pikërisht kjo ndërthurje e vetes me të tjerët duke ju ngacmuar ndjenjat njerëzore ka sjellë një sukses të veprës në tërësi. Por gjithashtu dhe mbajtja në kureshtje nëpërmjet përshkrimeve prozë- poetike ka bërë që tek kjo vepër të kuptohet që autorja është vetë personazhi kryesor të cilën ngadalë lexuesi e kupton gjatë leximit por gjetja e gjithsecilit kexues në vepër e bën këtë një kryevepër të Romanit Fiction.
    II. PËR KRIJIMTARINË LETRARE DHE VIZIONIN ESTETIK
    7.​Krijimtaria juaj shpalos një ndjeshmëri të veçantë, por edhe një fuqi rrëfimi të sinqertë. A mund të na flisni për procesin tuaj të të shkruarit? Nga niset një tekst letrar te ju: nga përjetimi, ideja apo struktura?
  • B. Pellumbi: Ajo që më bën më shumë të shkruaj janë emocionet. Unë e ndjej atë që shkruaj, por dhe shkruaj që të tjerët të ndjejnë atë që unë dua të transmetoj . Ajo që më bën më shumë të shkruaj si emocion i veçantë është dhimbja. Kam shkruar 4 libra të tillë pothuaj histori të vërteta jete. I kam shkruar sepse kam ndier njerëzit kam prekur botën e tyre të brendshme dhe duke shkruar bëhem një me ta. Aktualisht po shkruaj librin me titull LYPËSJA QË KËRKONTE NJERIUN një libër që vjen si një lidhje emocionale e imja me botën që na rrethon nëpërmjet personazhit kryesor që është thjesht një lypëse e cila jeton në një botë ku ne çdo ditë po humbim vetë njeriun.
    Unë nuk shkruaj me qëllim, strukture, apo rregull në një formë të shkruari, por unë thjesht ndjej atë që shkruaj…Faleminderit për pyetjen tuaj …
    8.Në veprat tuaja përmenden shpesh trauma, dhimbje, sfida shpirtërore. A është letërsia për ju një formë shpëtimi apo një akt dëshmie ndaj realitetit?
  • B. Pellumbi: Unë do e perceptoja si diçka më të gjerë se të dyja këto, do e perceptoja si një realitet i hidhur, por ku ti mëson të ecësh pikërisht nga dhimbjet e kockave të tua duke u kthyer në një forcë që sjell jo vetëm dashuri dhimbje apo lot por ti sjell “Rilindjen” tënde si grua çdo ditë.
    9.​Si e përkufizoni ju rolin e shkrimtarit sot, në një epokë të tejmbushur me informacione, por shpesh të varfër në ndjeshmëri?
  • B. Pellumbi: E shohim dhe prekim çdo ditë pandjeshmërinë apo botën e varfër shpirtërore por pikërisht këtu fillon misioni i shkrimtarit të bëjë të pandjeshmen të ndjeshme dhe të sjellë bukuri shpirtërore në të gjitha llojet e formave të të krijuarit dhe unë mendoj që në momentin që ne kemi shkrimtarë të mirë ka dhe shpresë për të shëruar këtë plagë të shoqërisë që ju vetë e shprehni në këtë formë . Unë jam optimiste dhe mendoj se një krijues ka brënda tij një botë hyjnore të cilën e jep çdo ditë pak e nga pak qoftë në ambient të ngushtë shoqëror por dhe në ambient më të gjerë nëpërmjet shkrimit.Uroj të shtohen këta shpirtra të bukur qoftë në gazetari apo krijim veprash sepse kjo është baza.
    III. PËR IDENTITETIN KULTUROR DHE ROLIN E GRUAS
    10.​Jeni bërë zëri i grave shqiptare në emigracion, një temë shpesh e patrajtuar mire në letërsinë shqiptare. Si e konceptoni përfaqësimin e kësaj figure në narrativën kombëtare dhe ndërkombëtare?
  • B. Pellumbi: E konceptoj si një eksperiencë te paharrueshme por mbi të gjitha si një fitore tashmë jo vetëm personale por fitimin e gruas së vërtetë në përgjithësi në të gjithë globin, sepse gruaja në libër është vërtet me tiparet e një gruaje shqiptare por ajo ju jep zemër dhe forcë grave në kontinente të ndryshme sepse ajo flet nëpërmjet ndjenjave njerëzore. “Te jesh i vërtetë dhe njerëzor sot është luks për vetë njerëzimin”.
    11.​Ju jeni një shembull i suksesit të arritur pa mbështetje institucionale. Sa vend zë dinjiteti dhe vullneti femëror në rrugëtimin tuaj artistik?
  • B. Pellumbi: Të kesh dinjitet si grua, siç jam dhe unë do të thotë të ecësh në rrebeshe shiu e vetme të ndjesh lagështirën dhe të ftohtin e botës që të rrethon dhe të gjesh ngrohtësi vetëm nga rrezet e diellit që ndodhen brënda shpirtit tënd dhe të mundohesh që me këto rreze të zgjosh zemra të lodhura njerëzish. Unë këtë e kam bërë çdo ditë tashmë prej 25 vitesh. Jam çuar çdo ditë në orët e para të mëngjesit dhe kam fjetur shumë vonë duke mbaruar çdo punë në formën më prefekte të mundshme madje duke dhënë çdo ditë nga vetja më të mirën e mundshme në çdo aspekt të jetës, por kurrë nuk kam haruar sa vajzë të bukur lindi nëna ime duke e parë çdo ditë në pasqyrë dhe duke i thënë ec përpara mos u dorëzo asnjëherë, pasi Nëna jote krenohet me ty çdo ditë. Kurajoja dhe dinjiteti janë të lidhura ngushtë me njëra- tjetrën Ato janë dy gjëra shumë të rëndësishme tek unë dhe sot me krenari e them se të ecësh me dinjitet është fitorja më e bukur për një grua si unë.
    12.Si trashëgimtare e largët e Nënë Terezës, a e ndjeni këtë si një ngarkesë simbolike apo si një burim frymëzimi në misionin tuaj human dhe letrar?
  • B. Pellumbi: Nënë Tereza është burim i madh frymëzimi tek unë e kam adhuruar dhe adhuroj figurën e saj. Ajo tashmë është pjesë e zemrës sime dhe pse jo nëse unë arij një ditë të jem bestseller unë do e coj akoma më lart emrin e saj të madh në humanizëm por dhe vetë emrin e gruas Shqiptare në përgjithësi duke patur humanizmin jo vetëm si një mision por si pjesë të përditshmërisë sonë në përgjithësi.
    13.A mund të na flisni per familjen tënde, origjinën, dhe vizionin tënd për familjen shqiptare? Si i mbani lidhjet me Shqipërinë?
  • B. Pellumbi: Unë jam lindur dhe rritur në një familje me tradita në një fshat afër qytetit të Korçës.Emri i fshatit tim Malavec. Babai im quhet Luan Demo dhe ai ka qënë me profesion mësues letërsie ne rrethin e Korçës ndërsa e ndjera nëna ime Lirije Çela me origjinë nga Pogradeci ka qënë infermiere. Jam rritur me shumë dashuri të madhe nga dy prindërit e mi. Mendoj se kam qënë fëmija më i lumtur në botë sa here kujtoj fëmijërinë time. U shkollova me arsimin e mesëm në shkollën Raqi Qirinxhi në qytetit e Korçës dhe pastaj përfundova dhe studimet e larta në degën mësuesi në Universitetin Fan Stilian Noli po në Korçë. Kam punuar shumë vite mësuese reth 10 vite por aktualisht jetoj dhe punoj si emigrante në Francë.
    Emigracioni mund të them me plot gojë më ka formësuar e forcuar më shumë. Kam qënë shumë e brishtë sidomos kur kujtoj vitet e para në familjen që unë krijova. Mendoj se familja shqiptare po kalon një lloj krize për vet faktin e emancipimit me hapa të shpejtë drejt një shoqërie më të modernizuar dhe emancipuar e cila nuk po gjen terrenin e duhur në ambientin e zhvillimit mendor dhe prandaj ka përplasje apo dhe divorce dhe ka më shumë bashkëjetesa sesa familje të vërteta. Për mua familja është vëndi më i bukur ku gjendet vërtet lumturia. Unë kam një familje ku jam vetë kryefamiljare dhe kam dy fëmijë për mua familja është e shenjtë dhe duhet të luftosh çdo ditë që ta mbash atë të bukur dhe të fortë.
    Me Shqipërinë për momentin unë vetëm kontaktoj nëpërmjet telefonit apo rrjeteve sociale sepse akoma jam në pritje të një përgjigje për dokumenta këtu në Francë.Kam pothuaj 4 vite këtu. Por sapo t’i kem ato plani im i parë është Vendlindja ime, dua të vij të çmallem me çdo vënd që për mua është më shumë se sa i shenjtë është çlodhje plotësim emocional i pazëvendësueshëm.
    IV. PËR NDIKIMIN DHE TË ARDHMEN
    14.Letërsia juaj po bëhet gjithnjë e më universale. Si mendoni se mund të ndikojë ky sukses në perceptimin e letërsisë shqipe në botë?
  • B. Pellumbi: Dëshiroj që emri ynë i bukur si shqiptarë të njihet kudo në botë por jo vetëm në shkrimin e një libri. Unë dëshiroj megjithë zemër t’i tregojmë botës anët tona më të mira si komb siç janë humanizmi, bujaria, qetësia, përballjen me të vërtetat e jetës.T’ju japim atyre shembullin më të bukur se qëllimet tona gjejnë vëndin e duhur dhe ne arrijmë gjithmonë aty ku ne duam të arijmë, t’ju tregojmë që ne jemi vizionarë duke kthyer dhe Lotët tanë të emigracionit në diamantë.
    Jam e bindur se fitorja e këtij libri tregon se ne si letërsi shqiptare në tërësi jo vetëm vlejmë në formën e të shkruarit, por japim ndjesi të paharueshme gjë që ndodh shumë rrallë sot në letërsinë botërore moderne.
    15.Ju keni përmendur dëshirën për të krijuar një platformë për gratë shqiptare në diasporë. Si e parashikoni lidhjen mes misionit tuaj human dhe rrëfimit letrar në të ardhmen?
  • B. Pellumbi: E di që do jetë një eksperiencë e bukur sepse vetë fakti i mbështetjes me mbush zemrën. Shpresoj ta realizoj këtë dhe jo vetëm ti mbështes por çdo histori gruaje që unë dëgjoj do i kushtohet një libër…është thjesht një ëndër tjetër e bukur kjo e cila uroj të realizohet…
    16.Gazeta letrare dhe kulturore Nacional ju ka mbeshtetur në rrugëtimin tuaj drejt këtij Çmimi, a keni një mesazh per mijera lexuesit tane në Ballkan dhe në botë, por edhe për krijuesit e rinj që media jonë përpiqet t’i afirmojë?
  • B. Pellumbi: Unë ju jam shumë mirënjohëse sepse jeni të vetmit që më kini përkrahur mbështetur duke hedhur në letër fitoret e mia. Unë përshëndes gjithë lexuesit tuaj veçanërisht emigrantët të cilët më kuptojnë dhe ndjejnë ato që unë them sepse ata e dinë më mirë se sa e vështirë është rruga në emigracion dhe ajo e suksesit akoma më e vështirë. Jam krenare që një grua emigrante përfaqëson denjësisht letërsinë shqiptare por dhe krenare që gazetaria dhe letersia jonë ka një emër me kaq ndikim kombetar dhe nderkombetar, siç jeni ju zoti Mujo Buçapaj që më përkrahët dhe hapët një dritare komunikimi për të komunikuar me Shqipërinë time. Më ka munguar shumë ky komunikim dhe vërtet ju jam mirënjohëse dhe jam e bindur që një ditë kjo gazetë pse jo të vijë e në gjuhë të huaja për mbarë botën. Ju falënderoj me zemër për intervistën tuaj ndërsa krijuesve të rinj do ju thoja që të krijojnë vepra me shpirt zemër por mbi të gjitha vepra të vërteta sa më realistë.
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat