Vjen një moment në jetë kur njeriu lodhet së kërkuari jashtë vetes, sepse kupton se gjithçka që kërkon, ka qenë brenda tij. Lodhet duke u përpjekur së rregulluari botën, njerëzit, apo duke sqaruar të tjerët. Lodhet nga betejat e shumta, të cilat edhe pse ka pasur aftësinë dhe dëshirën për t’i zhvilluar, e kanë bërë të kuptojë që është e njëjtë sikur të luftojë me mullinjtë e erës.
Në një shoqëri ku shpesh mbizotërojnë interesat dhe klanet, një mendje e shëndoshë e ka të vështirë të gjejë vendin e vet në mes të vorbullës së poshtërsive çoroditëse.
Prandaj, nëse njeriu fillon e analizon në qetësi, arrin ta pranojë realitetin e tij dhe të kuptojë se pranimi nuk është dorëzim. Është liri.
Çdo njeri ecën në një udhë të padukshme, që vetëm ai e njeh. Çdo zgjedhje, çdo gabim, ka logjikën e shpirtit të tij. Çdo padrejtësi që i bëhet apo ia bën dikujt, mbartet në shpirt. Asgjë nuk humbet, gjithçka kthehet në mësim.
Secili njeh njerëz që kanë ndërtuar karriera të shkëlqyera, por që bartin një shpirt të trazuar. Njerëz të cilët shpeshherë janë për t’u mëshiruar.
Në momente të tilla reflektimi, ndodh diçka e çuditshme: heshtja mbizotëron mbi fjalët shpërthyese që ishin gati të dilnin në sipërfaqe. Nëse dikur e shihje të domosdoshme të “ndryshoje” botën përreth vetes, tani e gjitha shfaqet si pasqyrë e asaj që kërkon ndryshim brenda vetes.
Pastaj, vjen ai momenti më i veçantë, momenti i çlirimit. Momenti kur duhet të lihen të shkojnë gjërat, njerëzit, ndjenjat, kujtimet që rëndojnë shpirtin. T’i lësh të shkojnë si gjethet që ndahen nga dega, jo nga ftohtësia, por nga besimi se çdo stinë e di kur mbaron.
Dashuria, në këtë rrugëtim, merr tjetër formë. Nuk është më kërkesë apo mall. Nuk matet me kthim të dashurisë, por me dëshirën për të dhënë. Jep, sepse s’mund të mos japësh. Jep sepse vetë akti i dhurimit të bën të ndihesh i gjallë. Atëherë e kupton se dhuron për paqen tënde shpirtërore, jo për miratimin e tjetrit.
Pikërisht në të tilla momente, je më pranë vetes se kurrë.
Nuk ndjen më nevojë t’i tregosh botës sa di, sa mendon, sa vlen. Ka një qetësi të thellë në të qenit i padukshëm, sepse nuk kërkon duartrokitje. Kjo qetësi është një gjendje dashurie me veten, është ai lloj i paqes që nuk ka më nevojë për krahasime, për dëshmi, apo fjalë të mëdha.
Pjekuria shpirtërore përmblidhet me pak fjalë: është ekuilibri midis asaj që kemi nevojë dhe asaj që duam. Të arrish të bësh këtë ndarje fiton paqen e brendshme. Sa herë që dëshira na komandon, shpirti ngushtohet. Por kur nevoja flet, ajo flet me zë të butë, të qartë, të mjaftueshëm.
Pjekuria shpirtërore është ajo kthesë e butë e udhës së brendshme, ku më në fund e ndien se nuk ke më nevojë të arrish askund.
Jam këtu, kjo më mjafton!
Alma Lamçja




