19.3 C
Albania
Friday, April 17, 2026
Google search engine
HomeOpinionKJO ËSHTË TALLJE E NDYR!

KJO ËSHTË TALLJE E NDYR!

PARTIA DEMOKRATIKE SI PËRRALLAT E GJYSHES:
NA ISHTE NJËHER PARTIA DEMOKRATIKE!

Partia Demokratike, forca politike që dikur lindi me shpresën për të rrëzuar diktaturën, sot është katandisur në një lojë të pistë me ndjenja, me vota dhe me besimin e qytetarëve shqiptarë.
Nga maja e idealeve, PD është zhytur në baltën e pazareve të vogla, të tradhtive parlamentare dhe të një lidershipi të konsumuar që nuk arrin më të mbajë gjallë as shpresën më të vogël te njerëzit e djathtë.

REDAKSIA WINDOW.AL

Pas zgjedhjeve të përgjithshme të majit 2025, shqiptarët prisnin një opozitë të fortë, një zë të bashkuar që të sfidonte pushtetin arrogant të Edi Ramës.
Prisnin një PD që do të dilte në rrugë, në parlament, kudo ku duhet, për të mbrojtur votën, lirinë, familjen, ekonominë e vendit.
Çfarë morën në vend të kësaj?
Përçarje, deputetë që ikin si pula të trembura, grupe që formohen e shpërbëhen si tullumbace, dhe një lidership që mban karrigen vetëm për inat të kohës, pa asnjë vizion, pa asnjë strategji.

Shikoni rastin e Mesila Dodës:
U fut në listat e PD-së si pjesë e pazareve të errëta, hyri në Kuvend me votën e demokratëve, dhe sot shfaqet “e pavarur”, duke e shitur atë mandat si mall privat.
A është kjo përgjegjësi? Jo!
A është kjo respekt për votuesit? Jo!
Kjo është tallje e pastër me elektoratin, është dëshmi e një kulture politike që e sheh PD-në jo si shtëpi të lirisë, por si stacion tranziti për interesa personale.

Dhe nuk është vetëm Mesila.
Një pjesë e deputetëve janë strukur pas Fatmir Mediut, një pjesë pas Ilir Metës, të tjerë krijojnë grupe që nuk vlejnë as sa një klub kafenesh.
Nga 44 mandate që mori më 2025, sot PD është katandisur me vetëm 35 të shpërndarë.
Ky nuk është opozitarizëm – ky është vetëvrasje politike. Dhe kur një opozitë vetëvritet, pushteti gëzon.
Rama sot sundon më i qetë se kurrë, sepse e di që opozita e tij është e shkatërruar nga brenda.

Pyetja e madhe është kjo:
Kush e çoi PD-në deri këtu? Kush mban përgjegjësi për këtë shkatërrim?
Përgjigjja është e qartë: Lidershipi i saj.
Sali Berisha, që e quan veten simbol të betejës, sot nuk kontrollon më asgjë.
Ai ka humbur partinë, e ka humbur besimin e të rinjve, e ka humbur shpresën e elektoratit.
PD është kthyer në pronë private, në një shtëpi ku secili hyn e del sipas interesit.
Dhe ky është dështim i madh, jo i vogël.

Por këtu nuk mbaron historia.
Sepse sot, në shtator 2025, duhet të ngrihet një pyetje që është shumë më e madhe se vetë Berisha apo vetë Doda:
A ka ende burra dhe gra të vërtetë në Partinë Demokratike?
A ka ende demokratë që nuk e kanë humbur turpin, guximin dhe dinjitetin?
A ka ende njerëz që e ndjejnë përgjegjësinë historike, që e dinë se kjo parti nuk është thjesht një seli, por një shpresë që po vdes para syve tanë?

Sepse heshtja është tradhti.
Kush hesht sot, është pjesë e lojës.
Kush pranon sot që PD të copëtohet, është bashkëfajtor me Ramën.
Kush e sheh PD-në të shpërbëhet dhe nuk ngrihet, nuk ka të drejtë të flasë nesër.

Prandaj thirrja është e qartë:
Ngrihuni! Burra dhe gra të PD-së, demokratë të thjeshtë, anëtarë të ndershëm, të rinj e të reja që ende e ndjeni në gjak flamurin e opozitës – mos e lini partinë të shkojë drejt varrit politik.
Merreni situatën në dorë! Mos lejoni që disa individë të konsumuar ta përdorin PD-në si pronë të tyre personale.
Shkundeni këtë strukturë të kalbur, jepini asaj frymë të re, forcë të re, vizion të ri.

Ky është momenti i fundit.
Sot kërkohet guxim për të thënë të vërtetën:
PD ka dështuar, PD është kthyer në vegël, PD është në rrezik zhdukjeje.
Por ky dështim nuk është i pashmangshëm.
Nëse ka ende njerëz me dinjitet, kjo parti mund të ringjallet. Nëse ka ende demokratë me gjak në deje, kjo opozitë mund të rikthehet.

Historia nuk do t’i falë ata që heshtën.
Historia do të kujtojë vetëm ata që patën guximin të ngrihen.
Dhe koha është tani.
Sepse nesër do të jetë vonë.

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat