23.1 C
Albania
Saturday, April 18, 2026
Google search engine
HomeOpinionPARTIA DEMOKRATIKE DHE HIPOKRIZIA ME ELEKTORATIN:

PARTIA DEMOKRATIKE DHE HIPOKRIZIA ME ELEKTORATIN:

10 Shtator 2025 – Dita e hipokrizisë opozitare:

Sot, më 10 shtator 2025, kryesia e Partisë Demokratike u mblodh dhe nxori një vendim që flet më shumë se çdo deklaratë politike:
“Do të hyjmë në parlament, edhe pse nuk i njohim zgjedhjet.”
Kjo fjali është epitafi i opozitës shqiptare.
Një fjali që e nxjerr zbuluar hipokrizinë, dyfytyrësinë dhe bankrotimin moral të një partie që dikur ishte sinonim i shpresës.

REDAKSIA WINDOW.AL

Partia Demokratike dikur lindi si zëri i të shtypurve, si flamurtare e pluralizmit, si forcë që sfidonte diktaturën.
Sot, ajo është shndërruar në një klub interesash, ku humbësi shpallet lider, ku rregullat shkelen për t’i shërbyer një njeriu të vetëm, ku statuti përdoret si letër higjienike politike.

Statuti i PD thotë qartë:
“Kryetari që humbet, largohet.” Por Berisha nuk largohet.
Ai qëndron. Ai e shpik edhe njëherë formulën magjike të mbijetesës:
“Nuk i njohim zgjedhjet, por hyjmë në parlament.”
Një paradoks që vetëm në Shqipëri mund të thuhet pa u skuqur.
Njësoj si të shpallësh se nuk e njeh martesën, por jeton i lumtur me gruan në të njëjtën shtëpi.

Berisha:
Nga lider historik, në simbol të pengmarrjes:

Askush nuk ia mohon Sali Berishës rolin historik.
Ai ishte themeluesi i pluralizmit, një figurë e rëndësishme e tranzicionit shqiptar, një lider që dominoi skenën politike për dekada.
Por kjo i përket shekullit të kaluar.
Që nga koha kur ai u ngjit në pushtet:
• Bota ka ndërruar katër papë.
• Rinia e 1991-shit sot është në moshë pensioni ose e shpërndarë në emigracion.
• Vendi ka hyrë në NATO, ka hapur negociata me BE, ka kaluar kriza dhe reforma të pafundme.

Vetëm Berisha ka mbetur i pandryshuar, i lidhur me karrigen sikur të ishte pronë private.
Ai sot nuk është më shpresë, por simbol i bllokimit. Simbol i një opozite që nuk guxon të shohë përtej hijes së tij.

Humbjet që s’merren me sy:
Zgjedhjet e përgjithshme të 2021 – humbje.
Zgjedhjet lokale të 2023 – katastrofë.
Zgjedhjet e 2025 – fundosje totale.

Tre raunde humbjesh që do të mjaftonin për t’i rrëzuar çdo lider normal nga froni.
Por në PD, humbësi bëhet edhe më i pathyeshëm, edhe më i padiskutueshëm.
Kjo nuk është më politikë;
Kjo është sekta e liderit të përjetshëm.

12 Shtatori – dita e parlamentit pa opozitë:

Pas dy ditësh, më 12 shtator, do të mblidhet Parlamenti i ri.
Mazhoranca e Edi Ramës, e blinduar nga fitorja e fundit, do të ketë përballë një opozitë të rrënuar, pa vizion, pa moral dhe pa besueshmëri.
Si mund të marrë seriozisht populli një parti që thotë “nuk njoh zgjedhjet” por ulët në sallë për të marrë pagën dhe imunitetin?

Edi Rama, i cili prej vitesh sundon politikën shqiptare, tani ka fituar atë që çdo autokrat ëndërron:
Mjë opozitë të vdekur.
Një parlament ku opozita shërben si dekor, jo si alternativë.
Një vend ku pushteti kontrollon gjithçka – ekzekutivin, legjislativin, gjyqësorin, mediat, dhe tashmë edhe opozitën.

Ky është monopol i plotë politik.
Dhe monopoli është vdekja e demokracisë.

Çfarë rrezikon Shqipëria?

Një opozitë që nuk është opozitë, është dhuratë për pushtetin.
Ajo i jep Ramës gjithçka që ai do:
Pushtet absolut, pa asnjë kontroll real.
Kur qytetarët nuk besojnë më te opozita, ata dorëzohen, bien në apati, ose ikin nga vendi.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria po boshatiset.
Kur pushteti nuk ka kundërshtar, njerëzit nuk shohin më shpresë.

Dhe kjo nuk është vetëm përgjegjësia e Ramës.
Kjo është mbi të gjitha faji i opozitës që nuk pati guximin të rigjenerohej, që u bë peng i një lideri të vetëm, që nuk krijoi dot lidership të ri, që nuk i hapi rrugë brezave të rinj.

faleminderit, por mjaft doktor:

Nëse PD nuk do të zhduket përfundimisht nga skena politike, ajo duhet të bëjë një gjë të vetme:
Të ketë kurajën të mbyllë epokën e Sali Berishës.
Të thotë:
“Faleminderit, Doktor, por misioni yt mbaroi.”
Vetëm atëherë mund të rilindë si alternativë reale.
Vetëm atëherë mund të ofrojë fytyra të freskëta, energji të re, vizion modern.

Në të kundërt, PD do të mbetet një parti-muze, me vitrinë të mykur, me fytyra të rrudhura, me buzëqeshje të lodhura dhe fjalime që askush nuk i dëgjon më.

Dhe Shqipëria, më 12 shtator 2025, do të hapë jo thjesht një parlament të ri, por një epokë të rrezikshme:
Epokën e pushtetit absolut të një njeriu dhe mungesës totale të opozitës.

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat