Macroni prapë i ka punët ngushtë: brenda 12 muajve bie qeveria e tretë franceze!
Parlamenti i Francës ka rrëzuar Qeverinë e kryeministrit Francois Bayrou, pas nëntë muajsh në pushtet, pasi ekzekutivi i tij humbi mocionin e votëbesimit që ai thirri më 8 shtator.
Gjatë votimit në Asamblenë Kombëtare, 364 deputetë votuan për rrëzimin e Qeverisë, ndërkaq 194 ishin kundër.
Bayrou do t’i dorëzojë dorëheqjen e tij presidentit Emmanuel Macron të martën në mëngjes.
Bayrou është kryeministri i tretë që Franca ka pasur në 12 muaj.
Rrëzimi i Qeverisë pritet të shkaktojë edhe më shumë paqëndrueshmëri për ekonominë e dytë më të madhe të Bashkimit Evropian.
Asambleja Kombëtare, e cila ka 577 deputetë, i ndërpreu pushimet verore për ta mbajtur seancën e jashtëzakonshme që kërkoi Bayrou, e cila filloi në orën 15:00 të hënën.
Bayrou kishte nevojë për shumicë votash për, për të mbijetuar. Por nuk e arriti shumicën.
Deputetët e ekstremit të djathtë dhe të majtë, të cilët para seancës thanë se do të votojnë kundër Qeverisë së Bayrout, kanë mbi 320 ulëse në Asamblenë Kombëtare, ndërsa centristët dhe aleatët konservatorë kanë 210 sosh.
Discover
Tani, Macroni do të detyrohet sërish të gjejë një pasues që do të punojë në të njëjtin mjedis të brishtë dhe do të përballet me të njëjtat telashe buxhetore që i kanë munduar si Bayroun, ashtu edhe paraardhësit e tij.
Edhe vetë Macroni është zotuar se do të qëndrojë në detyrë deri në fund të mandatit, por rrezikon të kthehet në një president pa ndikim në planin e brendshëm nëse paraliza politike vazhdon.
Sipas sistemit politik francez, kryeministri emërohet nga presidenti, i jep llogari Parlamentit dhe është përgjegjës për zbatimin e politikave të brendshme, veçanërisht atyre ekonomike.
Presidenti ka pushtet të madh mbi politikën e jashtme dhe çështjet evropiane, si dhe është komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
Bayrou kishte propozuar një kufizim prej 44 miliardë eurosh në shpenzime në vitin 2026, pasi deficiti i Francës vitin e kaluar arriti në 5.8 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, pra shumë më i lartë se caku zyrtar i BE-së prej 3 për qind.
Franca përballet me një krizë të madhe borxhi. Në fund të tremujorit të parë të vitit 2025, borxhi publik i Francës arriti në 3.346 trilionë euro, ose 114 për qind të PBB-së.
Shkruan Bari Cani




