Shkodra sot nuk është më qytet europian. Nuk është më qyteti i kulturës, i historisë, i krenarisë kombëtare. Shkodra sot është bërë arenë gjakderdhjesh, një skenë e hapur ku bandat kriminale shfaqin forcën e tyre pa asnjë frikë nga ligji. Çdo javë, qyteti tronditet nga breshëri kallashnikovi, atentate mafioze dhe vrasje të përsëritura. Bilanci është makabër: 12 viktima vetëm në 11 muaj. Kjo është shifra e një lufte të hapur, jo e një qyteti që pretendon të ecë drejt Bashkimit Europian.
Masakra e Dobraçit, atentatet në qendër të qytetit, ekzekutimet e njëpasnjëshme në lagje e fshatra, kanë zhdukur kufirin mes të fajshmit dhe të pafajshmit. Plumbat sot nuk pyesin më. Ato marrin jetë, shuajnë familje dhe vrasin besimin e njerëzve te shteti. Shkodra jeton me frikën se emri yt mund të jetë nesër në lajmet e mbrëmjes.
Por pyetja e madhe është: ku është shteti? Ku janë institucionet që duhet të garantojnë sigurinë publike? Ku është Policia e Shtetit, që paguhet nga taksat e qytetarëve, por shfaqet vetëm për të numëruar kufomat dhe për të mbledhur gëzhojat? Ky nuk është më thjesht dështim i policisë, është kapitullim i plotë i saj përballë krimit.
Dhe përgjegjësia nuk është vetëm e policëve lokalë. Përgjegjësia është politike. Përgjegjësia bie mbi qeverinë dhe kryeministrin e vendit, që prej vitesh shfaqen në inaugurime, konferenca dhe fjalime plot premtime, por heshtin përballë masakrave që po ndodhin çdo javë në Shkodër. Ky është një turp kombëtar. Është një alarm i kuq për demokracinë, sepse kur shteti dorëzohet përballë krimit, atëherë qytetarët mbeten peng të bandave.
Shkodra është sot fotografia më e qartë e Shqipërisë: një vend ku krimi bën ligjin, ndërsa shteti është spektator. Një vend ku familjet hapin dyert e mortit çdo javë, ndërsa qeveria hap shampanjën për propagandë dhe për statistika të rreme. Një vend ku qytetari i thjeshtë nuk gëzon më as të drejtën minimale të jetës.
Është e papranueshme që në vitin 2025, në një vend që aspiron integrimin europian, qytetet tona të kthehen në fusha beteje të bandave, dhe qeveria të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur. Në çdo vend normal, pas këtij bilanci tragjik, drejtuesit e policisë dhe Ministri i Brendshëm do të kishin dhënë dorëheqjen. Në çdo vend normal, qeveria do të kishte shpallur gjendje emergjence dhe do të kishte mobilizuar gjithë kapacitetet për të rikthyer rendin.
Por në Shqipëri, heshtja është përgjigjja. Heshtja është bashkëfajësi. Heshtja është tradhti ndaj qytetarëve.
Shkodra nuk ka nevojë për fjalime. Nuk ka nevojë për dekorata. Nuk ka nevojë për propagandë. Shkodra ka nevojë për drejtësi, për siguri, për një shtet që nuk dorëzohet përballë bandave.
Kjo është një thirrje e fundit: ose shteti zgjohet sot dhe vendos kontroll mbi qytetet e tij, ose nesër Shkodra – dhe me të gjithë Shqipëria – do të jetë një territor i lirë i krimit. Dhe atëherë, përgjegjësit nuk do të jenë vetëm bandat, por edhe qeveria që i la qytetarët pa mbrojtje.




