14.3 C
Albania
Friday, April 17, 2026
Google search engine
HomeSportKur një 18-vjeçar vlen 1 miliard euro, po sa vlen një jetë...

Kur një 18-vjeçar vlen 1 miliard euro, po sa vlen një jetë njerëzore në këtë planet?

Kur një 18-vjeçar kushton 1 miliard euro, por një jetë njerëzore nuk vlen as një pako makarona

Nga redaksia e WINDOW.AL

Shifrat nuk gënjejnë, por herë pas here janë fyese. Dhe këtë herë, ato janë poshtëruese për çdo njeri me ndërgjegje. Lamine Yamal, 18 vjeç, është tashmë lojtari më i shtrenjtë në botën e futbollit, me një vlerësim marramendës prej 200 milion euro sipas “Transfermarkt”. Dhe çmenduria nuk ndalet këtu: ai është i blinduar nga një klauzolë 1 miliard euro, si të ishte ndonjë teknologji ushtarake ose burim energjie.

Po çfarë është në të vërtetë Lamine Yamal? Një talent i padiskutueshëm? Pa dyshim. Por edhe një simbol i babëzisë kolektive të kësaj bote, një ikonë e një sistemi ku paratë nuk rrotullojnë më vetëm topin, por edhe arsyen njerëzore, etikën dhe solidaritetin. Ndërkohë që shifrat e çmimeve të kartonëve ngrihen në qiell, njerëzit bien në gropat e varfërisë, pa drita, pa ujë, pa bukë, pa ilaçe, pa të nesërme.

Në këtë treg mercenarësh, që ka pushtuar sportin me rrënjë e me degë, të rinj si Jude Bellingham (180 mln), Erling Haland, Mbappe, Vinicius Junior e Valverde renditen si të ishin aksione në një bursë kapitalesh pa moral. Dhe gjithë kjo listë e artë duket si një katalog i “Zotave të fushës”, që nuk kanë më asgjë njerëzore – veç lëkurës së bardhë apo të zezë që e mbulojnë me reklama luksi dhe arrogancë pa fund.

Po çfarë po ndodh ndërkohë në botë?

Në Gaza, fëmijët hanë bar e gurë. Në Afrikë, sëmuren për një kapsulë që kushton më pak se një gotë uji në një stadium spanjoll. Në Shqipëri, prindërit rrinë zgjuar natën duke menduar si t’ua paguajnë librat fëmijëve. Ndërkohë që dikush në Barcelonë vendos që një fëmijë me këpucë “Nike” dhe flokë të stiluar, i cili sapo ka dalë nga puberteti, vlen më shumë se një qytezë e tërë. Më shumë se një vend. Më shumë se një jetë.

Ky nuk është sport. Kjo është poshtërim.

Në vend që të jetë inspirim, futbolli është kthyer në një spektakël brutal ndarjeje klasore. Sepse për çdo “Yamal” që blindohet me miliarda, ka mijëra fëmijë që nuk kanë as batanije në dimër. Sepse ndërkohë që Gavi del dhe shpall shokun e tij “pretendent për Topin e Artë 2025”, në të njëjtin vit, në Shqipëri apo në Amerikën Latine, do ketë fëmijë që do braktisin shkollën për të ndihmuar prindërit të paguajnë qiranë. Një dramë e heshtur, e përditshme, që nuk ka vlerë në “Transfermarkt”.

Mos gaboni: ne nuk jemi kundër suksesit, as kundër talentit, as kundër sportit. Por jemi kundër një bote që tallet me njerëzit, që e adhuron një adoleshent milioner por injoron një nënë që shet triko në cep të rrugës për të ushqyer djalin e saj.

Jemi kundër një sistemi që e konsideron të zakonshme të flasësh për vlera 9-shifrore për një djalosh, por ndien bezdi kur një qytetar i thjeshtë kërkon të rrisë pagën minimale me 50 euro.

Jemi kundër këtij kulti të çmendur të yjeve të futbollit, që nuk shprehin më asgjë për botën reale. As një fjalë për viktimat e luftës, për emigrantët që mbyten, për gratë që rrihen, për punëtorët që lodhen. Asgjë! Heshtje. Por sa herë që vjen “Ballon d’Or”, sa herë që ndizet Champions, bëhen papritur heronj kombëtarë, misionarë modernë të një feje të re: feja e parasë.

Këta nuk janë sportistë. Janë produkte, janë mish me çmim, janë simptoma të një bote që ka humbur busullën.

Ndaj nuk ka më vend për heshtje. Nuk ka më vend për duartrokitje. Ka vetëm një pyetje që duhet t’ia bëjmë vetes:

Kur një 18-vjeçar vlen 1 miliard euro, po sa vlen një jetë njerëzore në këtë planet?

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat