14.3 C
Albania
Friday, April 17, 2026
Google search engine
HomeArt/KulturëKur Shijaku na dukej si Parisi!

Kur Shijaku na dukej si Parisi!

Oh ÇFARE ÇUDIRASH!
Një herë, tek shihja filmin “Il postino” (“Postieri”), me personazhin e Pablo Nerudës dhe aktorin Massimo Troissi, (film që e kam parë disa herë dhe që e dua shumë), më erdhën ndër mend disa histori të vogla të mijat, krejt të kahershme.
Mbaj mend se, kur isha diku nga klasa e pestë apo e gjashtë, se nga erdhi në shkollë një metodë për korespondenca mes nxënësish. Rregulli qe kështu. I dërgoje letër një nxënësi të panjohur, (diku në shkollën e një qyteti tjetër), mjafton që ai të ishte në një klasë paralele si e jotja dhe duhej të kishte po të njëjtin numër regjistri. Një shoqja jonë e klasës, se nga gjeti emrin e një shkolle të Shijakut, dhe ne plasëm të gjithë të shkruanim letra. Sa komik ishte ankthi yne i pritjes, gjithë ato ditë, për zarfat me përgjigje. I shkonim pas postierit nëse na kishte ardhur ndonjë letër (përgjigje). Patjetër që ne djemëve na vlonte përbrenda dëshira e turbullt, që atje në Shijak, në numrin tonë të regjistrit, sa mirë do të ishte sikur të qe dhe të na binte ndonjë vajzë. Mbaj mend që mua më rastisi vërtetë një vajzë, që ishte krejt njëlloj si vajzat tona. Brenda zarfit pati futur dhe foton e saj, dalë me një grykëse të zezë dhe me jakë të bardhë si tantellë. Me duket se u shkruam edhe nja dy herë, dhe pastaj u harruam. Djemëve, që u rastisën çuna, e quajtën veten të pafat dhe e lanë këtë punë, nuk shkruan më. Emra shkollash të tjera nuk dinim, ndaj epoka dhe historia e korespondencave mbaroi, krejt pa lavdi dhe pa heronj, si dhe entuziasmi u shua fare, si flakë kashte. Dhe sot e kësaj dite vazhdoj të qesh me vete: “Po Shijakun shkuam e gjetëm ne?”(sikur Shijaku na e kishte fajin!), megjithëse ne edhe sikur me Parisin të ishim lidhur, aq do ishte suksesi ynë, sa për të shkruar nja dy tri letra dhe kaq. Kemi qenë ca budallenj të vegjël, që bënin gjasme.
Më kujtohen postierët me çantat plot kartolina në vitin e ri, ku patjetër në 80 përqind të atyre kartolinave qe shkruar “Fryu era nga përjashta, / Tundi perdet e mëndafshta ….”.
Kam parasyshë tim atë që, pasi blinte një tufë kartolinash, ulej në tavolinë që t’i shkruante. Kartolinat qenë përmbys. I kthente sa për tu parë pamjen, dhe aty përcaktonte edhe statusin e personit që i dërgohej. I shkruante ngadalë, me një kaligrafi të bukur të stilit të vjetër, me fjalë pak. Kujtoj që i jepte shumë rëndësi formulimit. Kartolina kortezie, kartolina kolegësh dhe miqsh, kartolina kushërinjsh. I jepte nënës pesë a gjashtë copë, dhe pastaj, në fund, çfarë mbetej na i linte në fëmijëve.
Nëpër qytet seç kishte një ngutje nga të gjithë, që mundësisht t’ia dërgonin tjetrit kartolinën përpara se të t’a sillte ai tjetri. Pavarësisht se në qytetet e vogla njerëzit shiheshin dhe takoheshin e përshëndeteshin dhjetë herë në ditë, duhej edhe një kartolinë kortezie t’ua dërgoje.
Nuk harroj ca pizavengë, mistreca të vegjël, kaqola fare, në moshë me mua, që mbasi e shikonin postierin e lagjes të rraskapitur dhe dembel, i luteshin t’ia shpërndanin ato kartolinat nëpër shkallët e pallatit. Donin të shihnin se, a u kishte ardhur ndonjë kartolinë vajzave të rritura të lagjes, dhe të mësonin ndonjë “sekret” të tyre.
Në vitin e parë në gjimnaz më erdhi një zarf, ku një redaksi gazete më shkruante se poezitë e mia megjithëse nuk do të botoheshin, kishin vargje që ia vlenin, ndaj të vazhdoja akoma të shkruaja dhe tua dërgoja. Zarfi qe veçantë, i madh, ngjyrë kaf në të verdhë, dhe kishte kaluar dorë më dorë, nëpër gjimnaz, deri sa mberriti tek klasa ime. Mbaj mend se shumë prej nxënësve më shikonin me një admirim të lehtë, sepse mua më kishte shkruar Gazeta. Dhe unë që bëja pak si shkrimtar, me atë hutimin dhe përhumbjen karakteristike të njeriut që fantazon letërsi. Po ç’dreqin kisha që bëja pak si i rëndësishëm, se tek e fundit vetëm një zarf i shkretë kishte ardhë, s’kishte asgjë më tepër. Po ç’të bësh, mendje adolëshenti!!!.

Mark Simoni

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat