Rama paralajmëron spastrim në administratë: “Kush ka përfituar në kurriz të shtetit, le të mbledhë plaçkat!”
Kryeministri Edi Rama ka dalë sot live në rrjetet sociale me një mesazh të prerë për të gjithë drejtuesit e strukturave të Partisë Socialiste nga veriu në jug. Ai u kërkoi vigjilencë dhe përkushtim ndaj komunitetit, ndërsa paralajmëroi largime të menjëhershme për ata që kanë abuzuar me detyrën apo kanë përfituar në kurriz të shtetit dhe qytetarëve.
Duke iu referuar takimeve të fundit në bashkitë e Vlorës dhe Tiranës, Rama theksoi se është koha për pastrim në administratë dhe për t’i dhënë fund fenomeneve që dëmtojnë hapësirat publike dhe cilësinë e jetës në qytete.
“U bëj thirrje të gjithë atyre që janë hapur me tenda, mushama, e më pas i përdorin për të hapur rrugë pirjes së duhanit në lokale, të fillojnë t’i çmontojnë vetë. Përndryshe do të përballen me gjoba dhe ndjekje penale për krim mjedisor dhe zaptim të pronës publike”, u shpreh Rama.
Kryeministri nënvizoi se 83 mandatet që PS ka marrë në rang kombëtar – përfshirë 19 në Tiranë, 9 në Vlorë, 12 në Elbasan dhe 1 në Shkodër – janë një përgjegjësi e madhe dhe jo një arsye për vetëkënaqësi apo gjumë politik.
“Kush mendon se këto mandate janë për të fjetur, gabon rëndë. Ka pasur nga ata që s’e kanë prishur gjumin fare, por kjo është një histori më vete”, ironizoi ai.
Rama paralajmëroi se brenda dy javësh do të përgatiten inventarët e të gjitha shkeljeve në zonat urbane, ndërsa në dyjavëshin e dytë të korrikut do të nisë një aksion i gjerë me të gjitha strukturat shtetërore, për të rikthyer hapësirat publike dhe zbatuar ligjin.
“Do të ngremë në hava këtë ‘shtëpinë tonë të përbashkët’, njësoj siç amvisat bëjnë pastrimin gjeneral të muajit”, tha Rama.
“Boll është boll. Të gjithë ata që kanë bërë para në dëm të komunitetit, le të fillojnë të mbledhin plaçkat.”




