23.1 C
Albania
Saturday, April 18, 2026
Google search engine
HomeSportKujt po i intereson të shkatërroi Vllaznin?

Kujt po i intereson të shkatërroi Vllaznin?

“LORO BORiÇI” NË PËRDHUNIM:
KUR BASHKIA SHKODËR KËRKON TË ZHBEJË IDENTITETIN SPORTIV TË QYTETIT:

Shkodra nën arrogancën e një kryetari që e sheh futbollin si pengesë dhe kulturën si makinë propagande.

Shkodra po përjeton një nga momentet më të turpshme të historisë së saj institucionale.
Stadiumi “Loro Boriçi”, monumenti më i rëndësishëm sportiv në veri të Shqipërisë, është vënë në qendër të një përplasjeje brutale midis Bashkisë dhe Klubit të Futbollit Vllaznia – një përplasje që nuk ka të bëjë me organizimin e një koncerti në vetvete, por me shpërfilljen e ligjit, përdhosjen e një simboli publik dhe përdorimin e hapësirave sportive si plaçkë për interesa të ngushta politike e klienteliste.

Në qendër të kësaj përplasjeje është Benet Beci, kryetari i Bashkisë Shkodër, i cili me një akt të pashembullt ka tentuar të përdorë stadiumin për një koncert festiv me këngëtarin Bujar Qamili, më 21 qershor 2025, duke shkelur çdo normë administrative, etike dhe ligjore.
Pa asnjë vendim të Këshillit Bashkiak.
Pa asnjë konsultim me klubin që e ka stadiumin si seli dhe zemër të veprimtarisë së vet.

Një pushtim i pastër politik:

Veprimi i Bashkisë nuk është një incident i rastësishëm, por një logjikë sistematike përdhunimi të infrastrukturës publike.
Dhe kjo logjikë shfaqet më së miri në faktin që Beci jo vetëm po përdor stadiumin për qëllime që nuk kanë asnjë lidhje me sportin, por po e bën këtë me njerëz që nuk janë pjesë e Shkodrës, as në frymë, as në vlerë.
Ai ka importuar nga Tirana Pandi Laçon, një emër që njihet më shumë për estetikën e spektaklit të ndërtuar mbi miqësi politike sesa për lidhjen me realitetin lokal.
Dhe me këtë sjellje, i thotë artistëve të Shkodrës:
“Ju nuk ekzistoni.”

Po, Shkodra – qyteti i Prenk Jakovës, Tonin Harapit, Simon Gjonit, Palok Kurtit – etj etj etj qenka aq “e zbrazët” sa duhet të presë “shpëtimin” kulturor nga importi i Laços.
Është një poshtërim kolektiv.
Është përçmim i pastër për një qytet që ka rritur artistë, krijues dhe muzikantë që kanë lënë gjurmë në gjithë jetën kulturore kombëtare.

Reagimi i Vllaznisë:
Zëri i fundit të arsyes në një qytet që po mbytet nga propaganda:

Reagimi i Klubit të Futbollit Vllaznia nuk ka qenë thjesht i drejtë, por i domosdoshëm.
Në deklaratën e saj, drejtuesit e klubit kanë zbardhur me fakte shkeljet ligjore dhe moralet e Bashkisë.
Stadiumi “Loro Boriçi” është pronë publike me destinacion specifik – për sport, dhe për futbollin në veçanti – dhe çdo përdorim tjetër i tij është i mundur vetëm me vendim të Këshillit Bashkiak.
Dhe një vendim i tillë nuk ekziston.
Çfarë po ndodh, pra, është një përdhunim i hapur i ligjit nga një kryetar që e sheh pushtetin si pronë personale.

Por më shumë se një betejë për ligjshmërinë, kjo është një betejë për dinjitetin.
Stadiumi është shpirti i këtij qyteti.
Vllaznia nuk është thjesht një klub sportiv – është identitet, histori, krenari.
Nëse sot lejojmë që në sallën e konferencave të instalohet backdrop-i i koncertit, nesër do të kemi prova baleti mbi fushën e gjelbër.
Dhe pasnesër, ndoshta do të kemi mitingje partie me balona mbi tribunën ku shkodranët kanë derdhur lot për fitore dhe humbje.

Nga stadiumi në sallë koncertesh:
Skemë për zhbërjen e sportit në emër të “eventeve”

Bashkia nuk po ndalet me këtë koncert.
Në deklaratën e saj, KF Vllaznia bën të ditur se në shkurt 2025 ka paralajmëruar institucionin se po shfaqen përpjekje sistematike për ta shndërruar stadiumin në hapësirë koncertesh, provash për orkestra, madje edhe në qendër trajnimi për aktivitete që nuk kanë asnjë lidhje me sportin.

Pyetja që lind është e thjeshtë:
Pse Benet Beci dhe njerëzit e tij kërkojnë me çdo kusht ta boshatisin sportin nga hapësirat e veta?
Kush përfiton nga kjo shndërrim i një impianti sportiv në agjendë kulturore me frymë partiake?

Përgjigjja është gjithashtu e qartë:
Sepse sporti i ndershëm, publiku sportdashës, stadiumi i mbushur me qytetarë të lirë e të paindoktrinuar nuk i shërbejnë propagandës politike.
Ndërsa një koncert, i kuruar nga drejtoria e kulturës, me emra të zgjedhur politikisht, me retorikë bashkiake dhe kontroll total mbi skenën dhe fjalën – kjo po, është terren i sigurt për show politik.

Shkodra nuk është skenë politike – Shkodra është Vllazni, sport, djersë, krenari:

Nuk është e papritur që në këtë qytet, që dikur kishte ekipin më të frikshëm të Shqipërisë dhe që ka dhënë emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar, sot të përballet me një kryetar bashkie që e sheh sportin si pengesë për aktivitetet kulturore.
Por është tronditëse që kjo ndodh pa reagimin që meriton.

Ku janë institucionet?
Ku është Këshilli Bashkiak?
Ku janë artistët shkodranë që heshtin ndërkohë që vendet e tyre zihen nga pseudokultura e importuar nga Tirana?
Ku janë njerëzit e sportit që duhet ta mbrojnë me zë të lartë tempullin e futbollit shkodran?

Nëse ky skandal kalon në heshtje, atëherë Shkodra nuk ka më fuqi të reagojë.
Dhe një qytet që nuk mbron as sportin, as artin e vet, është një qytet që po dorëzohet.

Në emër të çdo shkodrani që ka qarë për një humbje të Vllaznisë, që ka pritur orë të tëra në shi për të parë një ndeshje, që ka kënduar himnin në tribunë dhe që e ndjen “Loro Boriçin” si tempull – mos heshtni.
Sepse nëse sot stadiumi kthehet në skenë, nesër zemra e qytetit do t’i takojë propagandës.
Dhe atëherë, çdo gjë është e humbur.

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat