16 C
Albania
Saturday, April 18, 2026
Google search engine
HomeSocialeKultura e lodhjes dhe shoqëria e zhurmës:

Kultura e lodhjes dhe shoqëria e zhurmës:

Në mëngjes, politika dhe kronika të zeza.
Në mesditë, sërish politika dhe kronika të zeza.
Pasdite, telenovela turke, latine, seriale ku ndjenjat janë të rreme, lotët plastike dhe morali i zëvendësuar me klishe.
Në mbrëmje, debat politik.
Në orën 23:00, përmbyllja me kronika të zeza dhe lajme të errëta.
Kjo është panorama e përditshme e një vendi me rreth 2.0 milion banorë.
Një popull i vogël, por i përmbytur çdo orë nga tensioni, tronditja dhe boshi psikologjik që prodhon vetë media.
Ekranet tona nuk janë më dritare të botës janë pasqyra të zymta ku shfaqet vetëm frika, konflikti, drama dhe zbrazëtia.

Psikologjia e njeriut të lodhur:

Kjo lloj përditshmërie nuk informon, por dëmton.
Truri i njeriut nuk është ndërtuar për të përtypur kaq shumë ankth, tragjedi e konflikte.
Në psikologji, kjo quhet mbingarkesë emocionale – gjendja kur mendja nuk përballon më as dhimbjen, as gëzimin.
Kështu lind lodhja e brendshme, ajo që nuk shërohet me pushime, por me qetësi shpirtërore.
Kur çdo mëngjes je i bombarduar me lajm për vrasje, korrupsion, akuza, përplasje;
Kur çdo pasdite je i zhytur në telenovela që ushqejnë iluzione dhe emocione të rreme;
Kur çdo mbrëmje sheh politikanë që ulërasin në studio;
Atëherë edhe trupi yt, edhe shpirti yt, futen në një cikël stresi pa dalje.
Shoqëria e tillë fillon e bëhet nervoze, e irrituar, agresive, pa durim.
Fjalët nxehen, bisedat kthehen në debate, ndërsa dashuria zbehet në ankth.
Në këtë klimë nuk lind më as mendimi, as krijimtaria, as shpresa.

Kultura që harron shpirtin:

Në gjithë këtë zhurmë, mungojnë ata që duhej të ishin zëri i ekuilibrit:
Psikologët, sociologët, punonjësit socialë, artistët, muzikantët, shkrimtarët.
Nuk flitet për muzikë, as për letërsi, as për art, as për shpirtin njerëzor.
Nuk ka më programe që të mësojnë të ndihesh mirë, të kuptosh veten, të ndërtosh paqe me botën.
Në vend të tyre, kemi dritat e studiove, ulërimat e panelistëve dhe lotët e rremë të telenovelave.
Mediat kanë ndërtuar një realitet të ri ku trishtimi shitet si emocion,
dhuna si argëtim,
konflikti si përmbajtje,
politika si mit.
Dhe më e keqja shikuesi e pranon këtë si normalitet.
Njeriu mësohet të jetojë në tension, ta kërkojë dramën si nevojë biologjike, ta ndiejë qetësinë si boshllëk.

Filozofia e zbrazëtisë:

Filozofikisht, kjo shoqëri po humb aftësinë për të ndjerë kuptimin.
Nuk pyet më “pse?”, por “çfarë ndodhi?”.
Nuk kërkon më kuptim, por emocion të shpejtë.
Në këtë nivel, njeriu shndërrohet në konsumator ndjesish, jo në krijues mendimesh.
Kjo është tragjedia moderne:
Kur njeriu nuk lodhet nga puna, por nga boshllëku.
Kur ai nuk ka më frikë nga vdekja, por nga heshtja.
Në heshtje ai do të duhej të reflektonte, të njihte veten, të kuptonte të tjerët.
Por heshtja nuk shitet, nuk bën klikime, nuk sjell audiencë.
Prandaj ajo është eliminuar.
Në vend të heshtjes, zhurmë.
Në vend të mendimit, reagim.
Në vend të njeriut, spektakël.

Shoqëria që ka nevojë të shërohet:
Një vend nuk zhvillohet duke folur përditë për vetveten në ankth.
Një popull nuk ngrihet duke parë vetëm dramë dhe krizë.
Shoqëria shqiptare ka nevojë për frymë, për dritë, për shpëtim nga pesha e informacionit të sëmurë.
Ka nevojë të qeshë, të dëgjojë muzikë, të lexojë poezi, të kuptojë jetën përtej politikës dhe krimit.
Nuk është luks të kesh programe që flasin për psikologji, art, frymëzim, shëndet mendor
është domosdoshmëri.
Nëse nuk ndryshojmë orientimin kulturor, do të rritet një brez që e njeh botën vetëm përmes konfliktit dhe ankthit.
Një brez që do të dijë gjithçka për politikanët, por asgjë për veten.

Thirrje për kthim te njeriu:

Aman, reflektoni pak!
Ju që ndërtoni përmbajtje, që ndizni ekranet, që e quani këtë “informim publik”.
Publiku është i lodhur.
Ai nuk ka më nevojë për ankth, por për frymëzim.
Nuk ka nevojë për kronikë, por për kulturë.
Nuk ka nevojë për zhurmë, por për kuptim.
Sepse një shoqëri që nuk ushqehet me dritë, do të hanë errësirën.
Dhe atëherë nuk do të mbetet më as media, as mendim, as njeri vetëm lodhje kolektive.

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat