13.1 C
Albania
Saturday, April 18, 2026
Google search engine
HomeBotëNjeriu vizionar që Lezha e ka në ginëssin e vet:

Njeriu vizionar që Lezha e ka në ginëssin e vet:

PERSONAZH:

Agostin #Cin #Marini, njeriu “Giness”, i #Lezhës…( #Themelues i televizionit privat “#Lezha Tv”,I dyti ne Shqiperi )

Këmbëngulja, pasioni dhe dëshira e jashtëzakonshme për të realizuar gjëra të veçanta, në fushën e elektronikës e z. Agostin Cin Marini, ka bërë të mundur që pasditen e datës 23 Tetor 1997, aty rreth orës 16.00, në ekranet e televizioneve të qytetarëve të Lezhës dhe rrethinave, të shfaqej sigla “Lezha TV”, datë e cila shënon edhe krijimin e televizionit të parë privat në Lezhë dhe të dytin në rang kombëtar. Një event i rëndësishëm në historinë post diktatoriale të këtij qyteti të lashtë dhe modern.

Ngjau kështu 28 vjet më parë në një qytet të vogël por me vlera dhe histori të madhe, aso kohe kur Agostini, ktheu shtëpinë e tij në studio të televizionit. Në koridorin e banesës (i cili u mbush plot e përplot me priza, kabllo, spina, televizione, kaseta, fotografi, libra, vidio, kamera, tavolina, sigël televizioni, rafte arkive etj) vendosi aparaturat. U improvizua studia e transmetimit dhe nisi transmetimi i parë, të cilin e kanë privilegjin se e realizuan Arben Bejtja dhe Maure Çano, më pas në ekranin e televizionit u vendos numri i telefonit të shtëpisë dhe ja kështu filloj transmetimi televiziv i kësaj dallëndysheje të parë të medias elektronike në Lezhë, e cila u bë njëherësh shkolla e parë e gazetarisë elektronike për dhjetra gazetarë ndër vite, ashtu si dhe “Koha Jonë” e pas viteve 90, për gazetarët e medias së shkruar, si dhe u bë realitet, një ëndërr e kahershme e Agostin Cinit, që qyteti i tij të ketë një stacion televiziv.

Emocionet e nismëtarëve ishin të ligjshme, pasi nuk e kishim të lehtë asnjëri prej nesh, sepse shkelnim në udhë të pa shkelur dhe të vështirë, pasi kërkonte përvojë, mjeshtri e profesionalizëm, por Agostini i përket atyre njerëzve që kur e nis një punë e kryen patjetër dhe kjo shërbeu si inkurajim për të gjithë stafin nismëtar, që të shpalosnin të gjitha vlerat dhe mundësitë që kishin në shërbim të këtij televizioni, i cili shumë shpejt arriti të bëhej, një me qytetarët dhe tempull i mendimit të tyre të lirë. Në harkun kohor të një viti u arrit të bëheshin, emisione, dokumentare, biseda direkte, dhe të pasqyrohej realiteti i Lezhës, dhe kështu të marrë udhë televizioni i parë në këtë qytet, i cili që prej asaj kohe dhe sot bashkëudhëton me qytetarët lezhjanë, ndonëse tashmë i përket një pronari tjetër.

Lezha si rrallë qytete të tjera e ka patur në vazhdimësi tendencën për tu lidhur me botën, përmes ekranit të televizionit edhe gjatë kohës së telave me gjemba, duke sajuar lloj-lloj antenash për të parë stacione të huaja kryesisht ato italiane dhe jugosllave. Shumë qytetarë lezhjanë i kanë kënduar në heshtje këngët e festivaleve të San Rremos dhe të këngëtares së famshme jugosllave Lepa Brema, por dhe kanë ndjekur ndeshje futbolli të kampionateve të ndryshme të futbollit evropian dhe botëror. Ndonëse televizioni u njoh rreth mesit të viteve 60-të, në vendin tonë ai hyri në prag të viteve 70-të. Dhe pikërisht në këtë periudhë, një gen receziv i qytetarisë së këtij qyteti për tu lidhur me botën, ka shpërthyer dhe është sërish Agostin Cini, që shkruan historinë, duke bërë të mundur sjelljen e televizionit të parë në Lezhë, pikërisht në fundin e vitit 1969.

Teksa kujton historinë e televizionit të parë Agostini kujton se: “Televizioni më ka ardhur dhuratë nga halla ime Domenika Delmonte, e cila ka qenë e martuar me një ingjinier italian, që ka punuar në Minierën e Bakrit në Rubik dhe ka banuar në Rubik deri në vitin 1960, kohë kur janë prishur marrëdhëniet me rusët. Aso kohë doli një urdhër që të huajt duhet të vendosnin të qëndronin këtu ose të riktheheshin në vendet e tyre. Bashkëshorti i hallës time Lindo Delmononde, së bashku me hallën dhe dy fëmijët djalë e vajzë vendosën të ktheheshin në Itali. Pas një periudhe të gjatë, halla erdhi në Shqipëri dhe na bëri një vizitë, ku u njoh më hallet dhe problemet tona, dhe sa duket ajo lexoj pasionin tim për të patur një televizion. Krejt paparitur në prag të vitit të ri, 1969 më vjen njoftimi për tu paraqitur dhe tërhequr një pako të ardhur nga Italia, që ma kishte dërguar halla ime Domenika. Kur kam marrë vesh se ishte televizion, gati sa nuk kam fluturuar nga gëzimi. Televizioni ka qenë i markës “Rex”, 14 polsh dhe me ngjyrë të kuqe. E kam montuar në shtëpinë e vjetër në lagjen “Skëndërbeg”, dhe mbaj mend se shtëpia ime edhe pse e vogël në kurbaturë, për ditë dhe netë të tëra është kthyer në një kinema, ku gjithë qyteti vinte për të parë televizion. Pa lere më, në vitin 1970 kur u bë kampionati i futbollit, për sa kohë ai ka zgjatur, shtëpia ime ka qëndruar e hapur gjatë gjithë kohës”.

Televizioni i #ardhur nga italia përbënte pse jo një dhuratë të famshme dhe disi të çuditshme për Agostin Cinin, dhe ndoshta pikërisht ky moment ka shërbyer si indicie për të stimuluar tek ai, dëshirën dhe hobin e tij për televizionin me të cilin më vonë u “dashurua” marrëzisht pas tij. Në atë kohë ky televizion i ardhur në familjen Marini në Lezhë, ishte televizioni i parë jashtë elitës politike të kohës dhe njëherësh shënon fillimin e shfaqies së antenave të para, që do të ishin jetë shkurtura, pasi në vitin 1974 diktatori do të shkarkonte mbi psikologjinë shqiptare “terrorin” e jetës borgjeze dhe liberale të vendeve të huaja, që shënoi njëherësh mbylljen e komunikimit përmes ekranit, pasi u kyqën stacionet e huaja dhe u shembën antenat.

Por pavarësisht nga kjo çensurë, Lezha ka qenë ndër qytetet më liberale të kohës në këtë drejtim, ku modifikimet e grupit të sekondës së televizioneve, dhe i antenave (falë artiznëve duarartë, ku padyshim Agostini edhe këtu ishte i pari), si dhe komunikimi krejt lirshëm i njerzve për stacionet e huaja pati njëfarë lulëzimi në prag të viteve 80-të. Natyrisht brenda atyre kufizimeve të diktuara.
Me #Agostin #Cin #Marinin është e lidhur edhe një ngjarje tjetër e para për këtë qytet, pasi është po ai që sjell antenën e parë parabolike në qytetin e Lezhës, dhe sërish shtëpia e tij hap dyert për qytetarët lezhjanë për të parë stacione të huaja. Më pas, me njohjen e antenave satelitore, qyteti i Lezhës shumë shpejt, (pavarësisht vështirësive ekonomike) u “pushtua” prej tyre saqë mori emrin “Qyteti i saçave”. Në atë kohë pata shkruar një reportazh me titull: “Qyteti i varfërisë nën sharpe”. Kjo rikonfirmoi edhe një herë raportet që kishte lezha me ekranet, dhe pasionin e qytetarëve për të komunikuar me perëndimin nëpërmjet dritareve dhe mundësive të ndryshme të komunikimit.
Në morinë e ulje ngritjeve të zhvillimit të konceptit për dritare informacioni në përgjithësi dhe të televizionit në veçanti, Agostin Cin Marini ka kalitur tashmë dëshirën e tij të hershme, dhe një ditë realizon ëndrrën e tij të fjetur për të patur një stacion televiziv privat. Dhe ngren pikërisht në mes saçeve, zgjatimin e antenës së stacionit të parë privat “#Lezha #Tv”, që është njëherësh edhe stacioni i dytë i këtij lloj në vendin tonë, pas stacionit “Shijak TV”. Dhe kështu njeriut lezhjan iu afrua në prag të shtëpisë mundësia e komunikimit përmes ekranit të televizionit, me bashkëqytetarët e tij, por dhe këta u bënë pjesë e televizionit, pasi aty panë dhe dëgjuan realitetin që po kalonin dhe apelin në tejkalimin e tyre.
Pavarësisht nga vështirësitë dhe mungesës së eksperiencës, falë pasionit të vetë Agostinit por dhe punës plot përkushtim të stafit të “Lezha TV”, duke filluar me folësat e parë nën siglën e “Lezha TV”; Arben Bejtja e Maure Çano, për të vijuar me gazetarët/et e parë/a, që punuan në këtë televizion: Majlinda Marku, Gerti Leka, Elona Reçi, Alketa Reçi, Ela Preçi, Eva Gjoni, Martin Dedaj, Zef Përgega, Adelina Nika, Preng Baloj, Kela Reka etj, për të vijuar me kameramanët: Ilir Ziu, Lush Marku, Lekë Lini, Gjovalin Shabi, Gac Hila, Pjetër Gjini etj, dhe montazhierët: Kadri Gashi, Baftjar Meta, Zuk Rustja, Ridvan Tahiri etj, u bë dritarja komunikuese e mendimit të lirë qytetar, dhe pikërisht për këtë emri i krijuesit të këtij televizioni, Agostin Cin Marini, ka hyrë dhe do të mbetet tashmë në librin “Giness”, të Lezhës, pasi solli në këtë qytet: televizionin e parë (1969); antenën e parë parabolike (1991); dhe hapi televizionin e parë në këtë qytet (1997.
Agostini i përket një familje ulqinake me tradita (babai i tij ulqinak dhe nëna shkodrane), e ardhur në Lezhë pas çlirimit të vendit. Ai ka lindur në Lezhë më 15.12.1952, këtu ka marrë arsimin 8-vjeçar dhe të mesëm dega mekanike, profili tornitor. Ka punuar për disa vite (1969-1971), në Ndërmarrjen e Nil Prodhimeve Lezhë, më pas kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak 1971-1973, në Tiranë. Pas përfundimit të ushtrisë e deri në vitin 1991, shofer në Ndërmarrjen Ushqimore të Lezhës. Në vitet 1991-1999, punon privat, dhe më pas në 1999-2011, shofer në Fondacionin Amerikan “Word Vizion”, dhe më pas përsëri i vetëpunësuar.
Pasioni për televizionin nuk e len rehat edhe tani, edhe pse tashmë nuk e ka ai televizionin që vetë e ngriti, por përmes rrjetit socilal “Face book”, çdo ditë është i kudo ndodhor në Lezhë dhe jo vetëm dhe përcjell foto dhe vidio nga më të ndryshmet, për ngjarje, individë, histori dhe gjithçka tjetër të Lezhës duke bërë të mundur që të ketë shumë ndjekës brenda dhe jashtë Lezhës, madje edhe përtej kufinjëve administrativë të Shqipërisë, deri në SHBA dhe Kanadanë e largët. Një numër shikueshmërie ndoshta më të madh sesa të televizionit që vetë ngriti.
E them me bindje se puna e Agostin Cin Marinit në pasqyrimit të realitet të përditshëm të Lezhës, është më e madhe sesa puna e të gjithë reporterëve mediatikë të këtij qyteti, dhe ajo çfarë është më e rëndësishmja këtë punë ai e bën vetëm falë pasionit të tij dhe i pa ndikuar nga askush. Puna e cila është një shërbim qytetar që meriton të vlerësohet edhe nga institucionet shtetërore të këtij qyteti, që paguajnë një mori memecësh por prej tyre askush nuk merr vesh se çfarë ndodh në këtë qytet i cili po rritet çdo ditë. #Prandaj ky njeri model i shërbimt ndaj vlerave të qytetit të Lezhës, qëndron sërish në listën “#Giness”, të Lezhës.

  • Ish pjesë e stafit të “LezhaTv” (1997-1998)

Martin Dedaj

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat